Total Pageviews

Friday, March 4, 2011

“Miu” që e ka emrin “administratë”

“Miu” që e ka emrin “administratë”
» Dërguar më: 04/03/2011 - 13:35 - Gazeta Shqiptare

Nga Kiço Blushi

Me sa di, ne kemi një ligj për funksionimin e administratës civile. E megjithatë, janë me qindra nëpunës të djeshëm e të sotëm të ankuar te Avokati i Popullit për shkarkime të padrejta; janë mijëra ata nëpunës civilë që i janë drejtuar edhe zyrës së Shërbimit Civil; janë disa miliardë lekë dëmshpërblimet ndaj nëpunësve të shkarkuar pa të drejtë që kanë fituar gjyqet me qeverinë; janë të pallogaritshme investimet e BE-së e të SHBA-ve për trajnimin e nëpunësve e zyrtarëve si brenda dhe jashtë vendit, të cilët, pas trajnimit presupozohet se do të shërbejnë për së mbari, profesionalisht e me përkushtim ligjor. Por askush nuk mund të llogarisë se cila është shifra reale e dëmit kombëtar që na ka “dhuruar” kjo nëpunësi e korruptuar, partizane, mercenare, e papërgjegjshme dhe e babëzitur që shkatërron pyjet, lumenjtë dhe djersën e fukarenjve. Nuk llogaritet dëmi mbi pronat publike, mbi mjedisin, e sidomos mbi besimin se edhe kjo shoqëri mund të gëzojë një ditë atë që përmendet aq shpesh si “shtet i të Drejtës”! Miu i administratës që gërryen përditë zyrat e shtetit mund të rrënojë edhe një komb, sidomos kur çiftëzohet me “ata lart” e kur të dy skajet e administratës, ata lart e ata poshtë, çarkun e Drejtësisë e kthejnë në një lodër kalamajsh. Shefi i policisë rrugore deklaroi këto ditë se pas një polici rrugor qëndron një deputet. Kjo tregon të ç’niveli i kemi jo vetëm policët, por edhe deputetët, edhe ata “lart” edhe ata “poshtë”!
Fytyra e vërtetë e një shteti nuk duket te kostumi firmato i shtetarit të lartë, por te portreti, uniforma, te sjellja e atij nëpunësi të vogël, e një doganieri apo polici që të pret në kufi. Nëse polici i gjorë që të shikon jo në sy, po në dorë, mund të blihet me një dy mijë lekësh (të vjetër), nuk diskutohet që me një shifër ku e ku më të madhe mund të blihet edhe ministri i tij! Për këtë, besoj, nuk lipsen as sondazhet, as investigimet! Në çdo cep të Shqipërisë të kalosh, qofsh edhe si turist i huaj, e kupton se administrata po e gërryen shoqërinë bashkë me pasuritë e saj, tokat, pronat, ujërat, energjinë njerëzore si një kope brejtësish që nuk i vret ndërgjegjja nëse “hambarin” e përbashkët, bashkë me “drithin”, i nxjerrin një ditë jashtë përdorimit! Nuk ka rëndësi nëse kryekomunari i Dajtit shkarkohet me akuzën për “fshehje të pasurisë”, kur në fakt gjithë rrëzë Dajti mbi Tiranë është shkatërruar, rrënuar e shfytyruar përfundimisht! Le të bëhen zgjedhje vendore pafund në Durrës, le të fitojë kush të dojë, tanimë askush nuk ka për të mbajtur pikë përgjegjësie për degradimin përfundimtar të plazhit të Durrësit, deri në Golem e më tutje, pasi edhe kjo pasuri e përbashkët është katandisur në një ish plazh të pavlerë, të ndotur, të zaptuar në mënyrën më të shëmtuar e të paurbanizuar jo vetëm nga pallatet e ndërtimet pa leje, po edhe nga kanalet e ujërave të zeza! E pra, edhe nëse do të kapet ndonjë nga fajtorët, ç’rëndësi do të ketë nëse do të ndëshkohet si e meriton ai kryetar Bashkie, ajo zyrë urbanistike apo ajo KRTSH që ka lejuar këtë krim kombëtar kur dëmi nuk mund të ndreqet? Në shumë fusha rrënimet janë aq të mëdha, sa edhe ndëshkimi, -nëse mund të ketë ndëshkime ndonjë ditë!- nuk ka as vlerë e as kuptim!
***
Në fushatat e njëpasnjëshme zgjedhore, po edhe pas tyre, ne qytetarëve na premtohet ngulshëm krijimi i një administrate jo vetëm civile e profesionale, por edhe të pavarur nga politika, me një formim të spikatur perëndimor. Në këtë kuadër herë pas here u bëhet thirrje të rinjve që kanë studiuar jashtë, veçanërisht atyre pas viteve 90-të, që të kthehen sa më parë, sa më shpejt e pa asnjë ngurrim për t’u punësuar në administratën e sotme civile, natyrisht “për të mirën e atdheut e të demokracisë”, për të sjellë e për të mbjellë edhe në Shqipëri një mendësi kryekrejt të re e demokratike, e cila nuk do të ketë asnjë lidhje me të kaluarën komuniste, aq më pak me atë totalitare që e pat vënë nëpunësinë nën hyqmin partiak. Por edhe kjo rini e ardhur nga jashtë, nga shkollat perëndimore, fatkeqësisht, do të detyrohet të bëhet partizane, fanatike e njërës palë, do të transformohet shpejt në një nëpunës pa dinjitet, qëllimi sipëror të cilit është: si e si të gërryejë për vete sa më shumë, pasi nesër do të vijnë “ata të tjerët”, prandaj yxhym! Në këtë trysni të papërballueshme mediatike: “rrëmbe ç’të rrëmbesh, sa nuk është vonë”, rigjenerimi i administratës, nëpërmjet trajnimeve e specializimeve tash ngjan si një farsë e dalëboje që nuk e beson kurrkush! Nuk ka gjë më të vështirë se ndërtimi i një administrate civile, pas një rropame që ka ndodhur tek ne në të gjitha nivelet e administratës! Kanë kaluar njëzet vjet dhe….dhe pyetja tingëllon dramatike: a kemi ne një administratë civile, profesioniste, në shërbim të interesit publik, në dobi të qytetarit, aspak politike, aq më pak partiake ose tribale?
Thirrmat demagogjike të krerëve të sotëm për një administratë civile janë simotra të demagogjisë së diktaturës kur shumëkush besonte se nuk e kishte fajin sistemi, aq më pak udhëheqja, po “burokracia” që qëllimisht sabotonte funksionimin normal të sistemit të diktaturës së proletariatit! Kjo propagandë asokohe synonte të bindte njerëzit e pafajshëm se nuk e kishte fajin sistemi, as partia, aq më pak lideri, po disa nëpunës të burokratizuar që nuk e përcillnin apo edhe që e “sabotonin” direktivën e partisë! Dihej se pas të tillave fushata niste “qarkullimi” dhe burgosjet e nëpunësve të mesëm e të niveleve të ulëta…Edhe sot, sa herë kërkohet nga ndërkombëtarët të forcohet lufta ndaj korrupsionit, për të krijuar bindjen se “lart uji buron i pastër”, fillon jo qarkullimi, po zëvendësimi me të tjerë besnikë, shoqëruar edhe me arrestim të ndonjë kryekomunari, mjeku apo mësuesi ryshfetmarrës. Sot vetëm hajdutët e xhepave në autobusët urbanë janë pa imunitet të kufizuar! Por kurrkund nuk mund të ketë administratë civile normale kur ndëshkueshmëria quhet “politike”; kur Gjykata liron jo vetëm autorët e Gërdecit, po edhe vrasësit e 21 janarit; kur për milionat e bëra inerte nga Zogu i Zi nuk u ndëshkua njeri; kur milionat e rrugës së Kombit ikën “në drejtim të paditur” për “çështje procedurash”; kur minjtë e administratës nepotike e klanore nuk kanë frikë nga organet e Drejtësisë, po vetëm nga ndëshkimi i “atij lart”, i atij që të bën gjëmën e që ka në dorë emërim-shkarkimin!
E megjithatë nuk ka gjë më të pasigurt se puna në administratën e sotme! Sot je, nesër, pa asnjë shkak, të zëvendësojnë, të hedhin në rrugë, jo dhe aq për arsye partiake (tani kjo fazë duket e kapërcyer, pasi besoj se nuk ka mbetur nëpër zyra ndonjë që nuk është “me ne”!), aq më pak për arsye profesionale, por për shkak të “mosbesimit” që ke krijuar me “veprime e mosveprime” te klani drejtues. Nëse je profesionist, e sidomos i ndershëm, nëse ke respekt të mjaftueshëm për ligjet, ditët i ke të numëruara! Kjo e ka bërë nëpunësinë të mos ketë dinjitet profesional, madje “të firmosë” edhe vendime e tendera të rrezikshëm (si plehrat e Italisë, dhënia e detit Greqisë, ndërtimi i Gërdecit etj, etj) të cilët nesër mund ta rrasin nëpunësin firmëtar në burg! Videoja e Priftit më shumë se shifra e 700 mijë eurove, shpjegonte pikërisht këtë mendësi: autoriteti i zyrës së shtetit vlerësohet nëse di dhe nëse pranon të abuzosh me të! Sot vlera e një zyre shteti kërkohet të jetë në raport të drejtë me mundësitë që të jep kjo zyrë për të abuzuar e për të përfituar pa të drejtë! Zyra që të jep vetëm rrogën mujore e që nuk ka mundësi të pakufizuara abuzimi, nuk vlen! Kjo është “rregullorja” dhe morali i pashkruar i nëpunësisë së sotme.
***
Një i ri i tillë i katapultuar në nivelet e larta të administratës, në një debat televiziv doli e tha se ambasadori amerikan Arvizu, jo vetëm që nuk e fali rastësisht gjakun, por e dha edhe me krahun e djathtë, gjë që do të thotë, gjithnjë sipas këtij rioshi “politikan”, se SHBA përkrah të djathtën e konkretisht Berishën! Ky është shembulli ndoshta më vulgar, por përditë po shohim nëpunës të kësollojtë, -natyrisht jo vetëm zëdhënësit e partive- që lënë një shije të keqe e që provojnë se sa keqemosmëkeq e ka shfytyruar politika nëpunësinë, edhe kur janë deputetë, kandidatë, apo zëdhënës, ata janë të detyruar paraprakisht të lenë si haraç emrin e tyre: të deformohen, të shfytyrohen, të vetëdenatyrohen deri në atë masë sa të recitojnë broçkullat e njërit ose të tjetrit udhëheqës, pa i vrarë ndërgjegja, pa e bërë qejfin qeder, pa u turpëruar as para familjarëve të tyre!…Emrin që lë pas dhe që njeriu e ndërton vetë me kujdes para syve të publikut këta nëpunës-minj nuk e kanë për gjë ta vetëpërdhosin.
Por ana tjetër e medaljes, që këtyre brejtësve të administratës nuk iu dhemb, është mungesa totale e përgjegjësisë për shoqërinë, për të ardhmen, për ndërtimin dhe funksionimin e shtetit të së drejtës, funksion që asesi nuk mund të kryhet pa një administratë civile qytetare, të ndërgjegjshme e të përgjegjshme. Pa këtë “mi” çudibërës të administratës, asnjë pareti në pushtet, asnjë qeveri autoritare nuk do të qëndronte më këmbë. “Minjtë” e zyrave janë ata që mbushin e brohorasin nëpër salla e ekrane për të krijuar idenë e popullit që adhuron prijësin, por janë edhe ata që përgatisin fjalimet, që firmosin e shkelin ligje, që japin e marrin tendera e ryshfete; janë këta “qëndrestarë” që i thonë derrit dajë, që mund të dalin madje edhe dëshmitarë të rrejshëm për kauza të rrejshme; këta “nëpunës civilë” janë të gatshëm të zbatojnë urdhrat për të ndërtuar jo një, po disa Gërdecë; jo një, po disa përmbytje të Shkodrës e jo vetëm; të veshur me mandate deputeti apo me uniformë ata nuk ngurojnë të qëllojnë, të rrahin, apo edhe të vrasin të vërtetën jo vetëm në një 21 Janar, por në çdo rast tjetër…Këta “minj” lanë surretër të njëjtë, janë të ngjashëm, kanë të njëjtat tipare, gjuhë e sjellje si në Egjipt, si në Tunizi, si në Libi, si në Tiranë! Këta e gërryejnë jo vetëm shoqërinë, po edhe pushtetin, madje, më në fund, ata janë të parët që edhe emrin e udhëheqësit legjendar e bëjnë lanet!
Nuk mjafton që sa u tha më sipër të ilustrohet vetëm me fjalët aq të përdorura vitet e fundit: “korrupsioni sot po bën kërdinë në administratën civile”, se pse më ngjan se është kapërcyer edhe ajo fazë e kahershme kur administrata quhej “partiake”. Tash jemi në një fazë akoma më të avancuar: administrata e sotme “civile” është degraduar profesionalisht, politikisht, moralisht, n’daç edhe kombëtarisht, pasi është ajo që mban përgjegjësinë historike të rrënimit jo vetëm moral të shoqërisë, po edhe të shansit për të hyrë në BE. Administrata e sotme civile nuk është as e djathtë e as e majtë: ajo mund të quhet pa frikë e papërgjegjshme; më sak, ajo është e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme vetëm për përfitim vetjak, sa më të shpejtë e më të sigurt.
Nuk kam parë në këto vite dokumentar më të hatashëm e më dëshpëronjës, te “Zonë e ndaluar”, që tregonte se si një specialiste suedeze donte të zbatonte një projekt për trajnimin e administratës së tatimeve në Durrës. Sa herë shkonte në zyrat e tatimeve (aty ishte edhe zyra e PD-së!), gjente një drejtor të ri…i cili premtonte se do të bënte namin kundër korrupsionit…Por më në fund specialistja suedeze, që u njoh me tetë drejtorë në gati dy vjet, u detyrua të dorëzohet para arrogancës dhe sjelljes shvejkiane të nëpunësve të lartë të shtetit e të thotë, me zërin e vet të pikëlluar, se…se ky ishte vendi më i çuditshëm që kishte parë! Jo se një nga drejtorët u pranua të filmohej duke pirë raki në zyrë me vartësit e vet, por sepse për të ishte e pamundur të zbatohej projekti evropian për ndërtimin e një administrate civile në dobi të qytetarit!...Ky është dëmi më i madh që i kanë shkaktuar vendit krerët e partive në këto 20 vjet, natyrisht jo dhe aq rastësisht!

No comments:

Post a Comment