Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami po hoi dje para Kuvendit se në vitin 2009, Shqipëria ka nënshkruar një kontratë të ligjshme për eksport të municioneve luftarake drejt Jemenit. Por pretendoi se kjo kontratë nuk u arrit të realizohej. Duke folur për këtë çështje nga tribuna e parlamentit, Imami tha gjithashtu se qeveria e Jemenit është duke luftuar me terrorizmin dhe se sipas tij, ajo është aleate me Shqipërinë. “Qeveria e Jemenit është një qeveri që lufton kundër terrorizmit. Është një qeveri, e cila është aleate. Sigurisht që çështjet e demokracisë janë çështje që do zhvillohen edhe në Jemen sikurse kudo tjetër, por kjo nuk pengon që të kryhen tregti të ligjshme me këto vende. Në 2009-ën është lidhur një kontratë, e cila nuk është realizuar”, - deklaroi Imami. Qëndrimi i tij erdhi si kundërpërgjigje ndaj shqetësimit të ngritur nga deputeti socialist, Erion Braçe, i cili referuar shkrimeve të botuara në “Gazeta Shqiptare”, kërkoi sqarime nga ministri i Mbrojtjes për mospërputhjen e të dhënave të raportit të OKB-së me atë të Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për tregtinë e armëve që Shqipëria ka realizuar dy vjet më parë. “Kam të dhënat e AKSHE-s dhe më rezulton se për vitin 2009 raporti nuk është i vërtetë. Nga faqja e OKB-së kam shkarkuar raportin e tyre për tregtinë e armëve dhe në seksionin e Shqipërisë gjej që për vitin 2009 ka dërguar municion në Jemen. Kjo gjë nuk përfshihet në raportin e AKSHE-së”, - u shpreh Braçe.
Thellohet skandali
“Gazeta Shqiptare” në numrin e saj të datës 22 shkurt botoi lajmin se Shqipëria i ka shitur 54.044.000 plumba e mortaja luftarakë Jemenit në vitin 2009. Lajmi mbështetej në raportin vjetor të OKB-së (2010) për eksport-importet e armëve në botë, ku gjithashtu rezulton se vendi ynë ka shitur armë dy vjet më parë edhe për tri shtete të tjera, respektivisht Burundi, Mali i Zi dhe Çekia. Në numrin e saj të datës 23 shkurt, ‘GSH’ denoncoi skandalin se të gjitha këto eksporte armatimesh nuk ishin deklaruar në raportin vjetor për 2009-ën të Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, ku pretendohet se vendi ynë ka eksportuar armë vetëm drejt Malit të Zi. Një ditë më vonë (24 shkurt), në një sqarim për Gazetën, AKSHE, ndryshe nga sa shprehej në raportin vjetor, pohonte se për 2009-ën “janë lëshuar licenca eksporti, respektivisht drejt Republikës së Çekisë dhe Malit të Zi”. Dhe fiks një javë më vonë, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami bën të ditur ekzistencën e një kontrate për eksport të armëve drejt Jemenit por që sipas tij nuk është realizuar. Sikundër shihet AKSHE dhe Ministria e Mbrojtjes vijojnë të japin deklarata kontradiktore mbi këtë çështje duke thelluar edhe më shumë skandalin.
Tedi Blushi
Gazeta Shqiptare 3/4/2011
No comments:
Post a Comment