Dërguar më: 28/04/2009 - 11:26
Pas mbylljes së hesapeve me drejtësinë, Arjan Ndoja është riemëruar në krye të prokurorisë së Durrësit. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të prokurorisë së Përgjithshme, të cilat saktësuan se Ndoja është prezantuar paraditen e djeshme në detyrë. Arjan Ndoja u hetua për fshehje të pasurisë, por pak kohë më parë prokuroria e Tiranës e mbylli çështjen pasi nuk vërejti asnjë shkelje. Në këto kushte, kryeprokurorja Ina Rama firmosi për rikthimin e tij në detyrën e mëparshme. Burime nga organi i akuzës në qytetin bregdetar thanë se paraditen e djeshme, Ndoja u është prezantuar sërish si shefi i tyre i ri. Arjan Ndoja dha dorëheqjen pak muaj më parë nga funksioni i kreut të akuzës në Durrës, deri në zbardhjen e plotë të çështjes ndaj tij. Ai u kallëzua nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Ky institucion, pas verifikimit ka ngritur dyshime mbi mënyrën se si ai e ka vënë pasurinë. Në deklaratën e pasurisë para se të merrte postin e prokurorit të rrethit Durrës, ai ka pasqyruar të gjitha të ardhurat që kapnin shifrën e 743.000 eurove. Më pas pasuria e tij është shtuar ndjeshëm dhe, sipas ILDKP-së, nuk justifikohen dot 86.000 euro. Pas verifikimeve, prokuroria mbylli hetimet ndaj Ndojës, vendim që i ndezi dritën jeshile për rikthimin në detyrën e mëtejshme. Kështu, pa kaluar shumë kohë, Ina Rama vendosi të mos e lërë më Ndojën prokuror të thjeshtë, por ta riemërojë në postin e tij si prokuror i prokurorisë së rrethit gjyqësor Durrës.
No comments:
Post a Comment