Total Pageviews

Friday, March 4, 2011

SHBA: Droga e Afganistanit kalon tranzit në Shqipëri

Shqipëria është një vend tranzit për trafikun e lëndëve narkotike, kryesisht të asaj që vjen nga Afganistani”. Kështu thuhet në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës. Në këtë raport theksohet se “Trafiku i narkotikëve në Shqipëri vazhdon të mbetet një nga bizneset e paligjshme, më fitimprurëse të mundshme. Grupet e organizuara kriminale e përdorin Shqipërinë si një pikë tranziti për drogën dhe lloje të tjera të kontrabandës, nisur nga pozicioni strategjik që ka vendi, kufijtë e afërt, masat e dobëta ligjore dhe sistemi i pareformuar i drejtësisë”.
Pjesë nga raporti
Shqipëria ka bërë progres në përpjekjet e saj në luftën kundër narkotikëve përgjatë vitit 2010. Qeveria e Shqipërisë përpiqet për të përballuar në mënyrë agresive elementët kriminalë. Shqipëria është kryesisht një vend tranzit për trafikantët e lëndëve narkotike, kryesisht të heroinës afgane, e kontrabanduar përmes rrugës së Ballkanit me destinacion të gjithë Evropën Perëndimore. Portet e Shqipërisë, kufijtë porozë tokësorë, të financuar për luftën antitrafik, janë keqadministruar nga zyrtarët e forcave të policisë dhe që janë ndonjëherë të korruptuar dhe me pajisje të pamjaftueshme, e bëjnë atë një ndalesë tërheqëse për rrugën e kontrabandës për trafikantët. Kanabis vazhdon të prodhohet në zonat e largëta malore të Shqipërisë, për tregjet e Evropës. Varësia ndaj drogës është një problem relativisht i ri, me asnjë ide të qartë për dimensionet e saj të përdorimit dhe gjithashtu ka pak të dhëna zyrtare për ekzistencën e tyre. Trafiku i narkotikëve në Shqipëri vazhdon të mbetet një nga bizneset e paligjshme më fitimprurëse të mundshme. Grupet e organizuara kriminale e përdorin Shqipërinë si një pikë tranziti për drogën dhe lloje të tjera të kontrabandës, nisur nga pozicioni strategjik që ka vendi, kufijtë e afërt, masat e dobëta ligjore dhe sistemi i pareformuar i drejtësisë.
Shqipëria është një vend tranzit për heroinën e ardhur nga Afganistani dhe po kështu një vend burimi për sa i përket marijuanës (kanabisit), kryesisht për vendet fqinje si Italia dhe Greqia. Ndërsa pjesa më e madhe e drogave historikisht kanë kaluar përmes Detit Adriatik, politikat dhe rritja e agresivitetit policor kanë bërë që një pjesë e trafikut të shkojë drejt Kosovës dhe Malit të Zi, vende këto që përdoren si tranzit për kalimin më pas në Serbi dhe Bosnje. Kriminelët shqiptarë kanë marrë një rol të rëndësishëm për sa i përket financimit dhe shpërndarjes së heroinës jashtë Shqipërisë, kryesisht në Ballkanin Perëndimor dhe Europën Lindore. Historia e Shqipërisë si një vend i varfër dhe i izoluar ka bërë që varësia nga droga në vend të jetë e ulët dhe qeveria e populli i Shqipërisë kanë qenë të avashtë në adresimin e këtij problemi. Autoritetet lokale dhe qendrore pretendojnë se problemi nuk është i shpërndarë si rezultat i normave kulturore dhe i të ardhurave. Vendi është i penguar nga papunësia e lartë, krimi dhe mungesa e infrastrukturës, duke i lënë kështu pak kohë dhe burime qeverisë shqiptare të fokusohet tek trajnimet dhe edukimi parandalues. Nuk ka organizata të pavarura në vend që të merren me gjurmimin e atyre që abuzojnë me drogën.
Korrupsioni
Ndonëse qeveria shqiptare nuk inkurajon apo lehtëson përfitimet e paligjshme nga shpërndarja e drogës dhe e proceseve të tjera që lidhen me të, korrupsioni mbetet një problem që është rrënjosur thellë në vend. Rrogat e ulëta, pranimi si fenomen social i ryshfetit dhe rrjetet sociale të thurura fort, e bëjnë të vështirë luftën kundër korrupsionit tek policia, gjykatësit dhe doganierët. Prevalimi i korrupsionit e bën më të lehtë punën e krimit të organizuar dhe trafikantëve të drogës. Në 2009-ën dhe në gjysmën e parë të 2010-ës, policia dhe gjyqësori ishin më aktivë në investigimin e zyrtarëve të qeverisë dhe përfaqësuesve të drejtësisë për sa i përket korrupsionit. Përgjatë 2009-ës, sistemi i prokurorisë regjistroi 746 raste të lidhura me korrupsionin dhe 21.3% rritje në regjistrimin e rasteve krahasuar me 2008-ën. Prokurorët flasin për 338 raste që kanë shkuar në gjyq me një rritje prej 8.3%. Përgjatë 2009-ës, gjykata shpalli 346 verdikte fajësie, me 25% krahasuar me vitin 2008. Shqipëria është pjesë e Konventës së OKB-së kundër korrupsionit. Ndonëse këto shifra janë sinjifikante për sa i përket përmirësimit gjatë vitit të fundit, Shqipëria vazhdon të ketë mungesa në pavarësinë e gjyqësorit dhe kjo ka bërë që shumë raste të mos marrin asnjëherë drejtësi.
Zyrtarë të nivelit të lartë, duke përfshirë gjykatës dhe përfaqësues të parlamentit, kanë imunitet ndaj hetimeve, gjë e cila pengon investigimin për korrupsion. Gjithsesi, Njësia e Bashkuar për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik (JIU) e themeluar në 2007-ën, ka pasur impakt të prekshëm kundër korrupsionit në kryeqytet. Gjashtë zyra të JIU u vendosën në të gjithë Shqipërinë përgjatë vitit 2010.
D. Përfundim
Shqipëria vazhdon të bëjë progres me përpjekjet e saj kundër narkotikëve, porse përparimi është i kufizuar nga korniza të zbatimit të dobët politike, gjyqësore dhe të ligjit e institucioneve. Roli kryesor i Shqipërisë në pasqyrën e përgjithshme të narkotikëve është si një rrugë tranziti në Evropën Perëndimore dhe duke pasur parasysh pozicionin e saj gjeografik, ajo do të vazhdojë për të parë aktivitetin e trafikimit. Përmirësimi i institucioneve qeverisëse dhe policisë është duke pasur një efekt pozitiv, por përparimi është ende i ngadalshëm. SHBA, së bashku me BE-në dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë do të vazhdojnë të punojnë me qeverinë shqiptare në luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogës, për ta ndihmuar në përdorimin në mënyrë efektive të zbatimit të ligjit, si dhe për të mbështetur reformën ligjore.

Bledat Hoti Gazeta Shqiptare Mars 4, 2011

No comments:

Post a Comment