Total Pageviews

Wednesday, February 23, 2011

Shitja e Armeve - Perfitimi


Shihen armet, "fshihen" leket. Doganat zbulojne "Mbrojtjen": Arketuam 380 mije USD
» Dërguar më: 23/02/2011 - 13:12



Tedi Blushi



Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në raportin e saj vjetor për eksportet, sqaron se në vitin 2009, shteti shqiptar ka arritur të mbledhë nga shitja e armëve, municioneve, pjesëve e aksesorëve të tyre, një shumë prej 38.1 milionë lekësh. Por, referuar një tjetër raporti të publikuar nga ministria e Mbrojtjes, pretendohet se në buxhetin e shtetit gjatë vitit 2009 janë derdhur vetëm 2.581.613 USD nga eksportet e armëve. Shihet qartë se shifrat përgënjeshtrojnë njëra-tjetrën duke ngritur dyshime të forta mbi vërtetësinë e tyre. Mes 38.1 milionë lekëve dhe rreth 2.6 milionë USD nuk mund të hiqet shenjë barazimi. Atëherë kush nga dy institucionet gënjen? Nëse ministria e Mbrojtjes thotë se nga eksporti i armëve janë siguruar 2.581.613 USD atëherë pse drejtoria e Përgjithshme e Doganave raporton një shumë tjetër marramendëse? Kemi të bëjmë me një deklarim fiktiv të doganave? Apo me një fshehje të qëllimshme të fitimeve nga ana e ministrisë së Mbrojtjes?
Precedenti
Fshehja e të ardhurave të realizuara nga eksporti i armëve apo deklarimi i shifrave minimale të fitimeve që realizohen shitja e municioneve nuk ndodh për herë të parë. Një precedent i ngjashëm, ka ndodhur në vitin 2007, kur rezulton se ministria e Mbrojtjes nuk ka derdhur as edhe një qindarkë të vetme në buxhetin e shtetit nga shitja e municioneve. Skandali u denoncua në vitin 2008 nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin vjetor për zbatimin e buxhetit, ku thuhej mes të tjerash se “ministria e Mbrojtjes për periudhën e kontrolluar nuk ishte planifikuar dhe realizuar asnjë lek të ardhura nga shitja e armatimit dhe municioneve stok, ndërkohë që ky aktivitet ka qenë burim i rëndësishëm për financimin e Forcave të Armatosura”. KLSH-ja theksonte se për vitin 2006, nga shitja e demontimi i armëve, ministria e Mbrojtjes kishte përfituar rreth 467 milionë lekë, ndërkohë që një vit më pas nga ky aktivitet ishin “grumbulluar” zero lekë. Minimalisht, dëmi financiar që i është shkaktuar në atë kohë shtetit shqiptar nga fshehja e të ardhurave të tregtisë së armëve llogaritet në 12 milionë USD. Referuar kjo vetëm kontratave të nënshkruara mes MEICO-s dhe dy kompanive amerikane, “Southern Ammunition Company” dhe “AEY Inc”, të Efraim Diverolit. Konkretisht, kontrata e parë e shitblerjes së armëve, e nënshkruar më 6 qershor ’07 mes MEICO-s dhe kompanisë amerikane ‘SAC’, arrinte vlerën monetare 1.6 mln USD. E pasuar nga një tjetër kontratë më 28 dhjetor ’07, me vlerë 500 mijë USD. Ndërkohë që me kompaninë amerikane ‘AEY Inc’ të Efraim Diverolit, MEICO ka nënshkruar 35 kontrata të ngjashme, në vlerë totale 10.5 mln USD. Të gjitha këto marrëveshje janë bërë tashmë publike, por duke menduar se gjatë 2007-ës MEICO mund të ketë realizuar të tjera kontrata shitblerje municionesh, atëherë vlera reale e dëmit ekonomik që i është shkaktuar shtetit nga mosarkëtimi i këtyre të ardhurave mund të jetë edhe më e lartë se shifra 12 milionë USD.

No comments:

Post a Comment