Vila e Ministrit të Bujqësisë
24/02/2011 - Gazeta Shekulli
Një shtëpi ëndrrash për ministrin e Bujqësisë, vetëm pak kilometra larg qendrës së Tiranës. Tri kate banesë luksoze në një zonë rezidenciale, në komunën e Farkës. Vilat pak e shumë të ngjashme me të sot kushtojnë mbi 560 mijë euro, ndërsa bashkëshortja ka deklaruar vetëm 30 mijë eurot e truallit dhe zyrtari vetëm një kredi bankare prej 150 mijë eurosh
"Gjej shtëpinë e ëndrrave të tua...Vila luksoze të stilit amerikan...". Ky është slogani i një firme ndërtimi që të jep çelësat në dorë për një shtëpi në fshat, kundrejt një fature që shkon edhe në 600 mijë euro. Një ëndërr e bërë realitet nga ministri i Bujqësisë Genc Ruli. Vila e tij është e mahnitshme. Në zonën më të lakmuar nga milionerët e rinj shqiptarë, zyrtarë të lartë të qeverisë, familjarë të tyre, biznesmenë apo drejtues të studiove ligjore. Kjo në foto është pikërisht shtëpia në fshat, konkretisht në Mjull-Bathore në komunën e Farkës e ministrit aktual të Bujqësisë. Një truall i deklaruar nga bashkëshortja e ministrit në deklarimin e pasurisë të vitit 2009. Dhe me një financim të "vogël" të deklaruar nga ministri po në të njëjtin vit, të cilësuar si kredi për shtëpi afatgjatë.
Vila e Genc Rulit është njëra nga 44 të tilla të ndërtuara në zonën rezidenciale shumë afër kryeqytetit, në një zonë të butë kodrinore, apo siç thotë reklama e firmës ndërtuese, në ajër të pastër, por dhe shumë afër kryeqytetit. Bashkë me të kanë marrë vila edhe një familjarë i afërt i tij dhe një ish-kryetar i KQZ-së, tashmë drejtues i një zyre ligjore të mirënjohur në Tiranë.
Nuk është e vështirë të dallohet cilësia e lartë e punimeve në shtëpinë tre-katëshe të ministrit të Bujqësisë, në të gjitha materialet që janë përdorur dhe që e bën të dallueshme nga simotrat e saj në kompleksin e vilave.
Po me çfarë e ka bërë ministri Ruli këtë vilë kaq luksoze, edhe në fshat edhe shumë afër Tiranës?
Në deklarimin e pasurisë të vitit 2009, bashkëshortja e tij thotë se ka marrë pronësinë e tokës për ndërtim shtëpie 612 metër katrorë në Mjull-Bathore, komuna Farkë me çmimin 50 euro metër katrorë, kundrejt shumës 30600 euro. Ky truall është në zonën kadastrale 2704 Tiranë dhënë si numër pasurie në 25 prill 2008 dhe paguar me likuiditetet e dhëna dhe të deklaruara në vitin 2005.
Nëse do të kërkosh sot të blesh një vilë të tillë afër asaj të ministrit Ruli e ke një shans sepse në shitje apo për dhënie me qira janë 13 të tilla. Me çmime që të trembin. Nëse kërkon një dykatëshe me bodrum poshtë, me sipërfaqe 377 metra katrorë ndërtim, bëj gati 360 mijë euro. Për një tjetër me sipërfaqe 430 metër katrorë duhet të paguash 460 mijë euro, tjetra 472 metër katrorë bën 420 mijë euro, ndërsa një tjetër, shumë e ngjashme me atë të ministrit Ruli dhe me sipërfaqe ndërtimi 507 metër katrorë çmimi arrin në 560 mijë euro, ku 30 mijë euro kushton vetëm pishina e brendshme.
Se sa ka kushtuar vila luksoze e ministrit të Bujqësisë, duke e përafruar me çmimet e vilave ngjitur, që nuk krahasohen aspak me të, është e kuptueshme se duhet të kesh shumë më tepër buxhet.
Por ai nuk ka deklaruar asnjë shumë të tillë në deklarimin e pasurisë për vitin 2009 apo më përpara, përveç disa llogarive të papërfillshme bankare. Në deklarimin e vitit 2009, ministri Ruli deklaron një kredi të marrë për shtëpi në vlerën 150 mijë euro për periudhën 8 shtator 2008 deri 7 shtator 2023, me këst mujor 1064 euro, për 176 muaj. Me rrogën vjetore të ministrit, siç e kishte deklaruar kur ishte në krye të METE-s, prej 1.476.000 lekësh, ai duhet të marrë borxh te rroga e bashkëshortes për të paguar vetëm këstin mujor të kredisë. Sepse sipas deklaratës së pasurisë ai nuk ka mjete të mjaftueshme monetare për të ndërtuar një vilë, e cila nga vetë firma ndërtuese sot mund të vlerësohet mbi 600 mijë euro. Pra, me çfarë të ardhurash e ka ndërtuar vilën ministri i Bujqësisë, Genc Ruli?
DEKLARATA E PASURISE
Ministër i Ekonomisë, Genc Ruli, 2006
Shtese depozitë për shkollim 10.000 $ në Raiffeisen Bank
Interesat në depozita 10.005 $
Interesa në Bankën Amerikane 3612 $
Interesa bono thesari 390.000 lekë
Paga si ministër 1.476.000 lekë
Paga e bashkëshortes, 1.423.000 lekë
Paga nga pjesëmarrja në borde 250.000 lekë
Ministri i Bujqësisë Genc Ruli, ka investuar më tepër para në bono thesari si dhe ka përfituar nga interesat e depozitave që ka në disa banka. Në vitin 2008 ministri Ruli ka marrë një kredi prej 150 mijë eurosh për blerjen e një apartamenti, për të cilën paguan një kredi mujore prej 1.064 eurosh.
Pasuria në 2009-ën
Genc Ruli është një ministër me të ardhura modeste, siç deklarojnë shumica e ministrave dhe vetë kryeministri, në letrat që dorëzojnë te Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive. Deklarimet e Rulit me të ardhurat e pagës si kryeministër, dhe disa lëvizje të vogla bankare që nuk ngrenë peshë. Genc Ruli ka bërë mjaft deklarime, por që luajnë me shifra mjaft të papërfillshme.
3.075 dollarë- fitim në interesa nga depozita pranë Raiffeisen Bank
6.085 dollarë- interesa nga depozita pranë Intesa SanPaolo
200 euro- interesa nga një tjetër depozitë pranë Intesa SanPaolo
369.558 lekë të reja -interesa nga bonot e thesarit të Bankës së Shqipërisë
581.881 lekë të reja -interesa të llogaritura në bono thesari pranë Alpha Bank dhe Bankës së Shqipërisë, 1.801 euro- interesa nga depozita pranë Alpha Bank
1.232 dollarë- interesa nga depozita "Futura" e vajzës pranë Intesa SanPaolo.
0 investim- nga Fondet e Investimit pranë Raiffeisen Bank
40.000 dollarë-pakësim nga pasuria për banesën.
Përveç kësaj, Ruli merr disa pagesa nga pjesëmarrja në borde.
150.000 euro-kredi për shtëpi pranë Bankës Kombëtare Tregtare, me afat 15 vjet, me këste mujore prej 1.064 euro.
Shlyen kredinë për makinën "Toyota" të gruas së tij.
Akuzat ndaj ministrit
Ndoshta nuk ka lekë, por ka një mal me akuza për abuzime me postin e ministrit. Kur ishte në ikje nga posti i ministrit të METE-s, Ruli firmosi heqjen e borxhit të një firme që kishte marrë me koncesion një minierë në Bulqizë, duke marrë atributet e Kuvendit dhe të ministrisë së Financave. Me qenien e Rulit si ministër lidhen edhe dhjetëra koncesione të dyshimta dhe të dështuara me HEC-et vendore, me lejet minerare dhe privatizime të tjera skandaloze siç ishte ai te ish-Ekspozita "Shqipëria Sot". "Dhurata" më e fundit e kryeministrit Berisha për ministrin që kërkoi ta fuste në burg me akuzën për vjedhje në vitin 1994, ishte prokurimi i drejtpërdrejtë i 12 milionë eurove për ndërtimin e digave dhe të argjinaturave në zonën e nënshkodrës, e cila u përmbyt vjet 5 herë, duke shkatërruar pasuritë e mijëra njerëzve.
No comments:
Post a Comment