Total Pageviews

Tuesday, January 3, 2012

Ngjarjet, 18 krimet të bujshme tronditën Shqipërinë

Që nga 21 Janari, vrasja e gjyqtarit, djegia e oficerit të SHISH dhe atentati ndaj Dorian Muçës
Rreth njëzet ngjarje të rënda kanë lënë një shije të hidhur për lexuesin sivjet, duke nisur që nga vrasjet në tubime e deri tek ato të gjyqtarëve, apo atentatet ndaj oficerëve të lartë të hetimit të krimit. Jashtë vëmendjes, për vitin 2011 nuk kanë mbetur as vrasjet e disa biznesmenëve, ndërkohë që enigmatike mbetet ngjarja e para disa muajve, ku u gjet i djegur oficeri i SHISH-it në Durrës. Duket se vetëm muaji i zgjedhjeve ka qenë më i qetë, pasi e gjithë policia ishte në këmbë, me qëllim për mbarëvajtjen e tyre, pasi në të gjithë muajt e tjerë të vitit ka pasur nga një krim të rëndë. Gazeta “Shqip” ka renditur 18 prej tyre, duke filluar që në muajin janar të këtij viti, të cilat janë raportuar dhe ndjekur hap pas hapi për hetimin e tyre.

Nipat e ish-“Udhëheqjes”
Më 6 janar, pas një sherri mes tyre, Besnik Dabulla, i cili është djali i deputetes socialiste, Arta Dade, Shkëlzen Hoxha, nipi i Enver Hoxhës, si dhe Shkëlzen Lufi, nipi i Adil Çarçanit, përfundojnë në spital dhe në polici. Tre personat kanë qenë duke darkuar në ambientet e një lokali në zonën e ish-Bllokut, në pronësi të Besnik Dabullës, por kur dolën, një prej tyre mbeti i plagosur. Shkaku i konfliktit nuk u bë i ditur asnjëherë, ndërkohë që hetimet vazhdojnë nga Prokuroria e Tiranës.

Bosi i mafies italiane
Më 11 janar ekstradohet nga Shqipëria drejt Italisë nën masa të rrepta sigurie bosi italian i organizatës “Sacra Corona Unita”, Albino Prudentino. Ai akuzohet nga italianët për pastrimin e parave të mafies. Prudentino, prej vitesh ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane, ndërkohë që jetonte në Vlorë, ku kishe ngritur disa biznese. Madje, për të u përfol edhe kunati i ministres Majlinda Bregu, i cili kishte bashkëpunuar në këto biznese. Ekstradimi i Prudentinos u bë pas një procesi maratonë midis dy shteteve, për shkak se kërkesa nga pala italiane erdhi disa ditë me vonesë.

“21 janari”
Më 21 janar u shënua dita më e zezë e këtij viti, ku katër persona, të cilët kishin dalë në demonstratë mbetën të vrarë para Kryeministrisë. Prokuroria po heton vrasjen e tyre nga ushtarët dhe oficerët e Gardës së Republikës, por deri më sot, vetëm një person është në qeli. Veç katër personave të vrarë, Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, u plagosën dhjetëra të tjerë, por nga frika dhe situata e krijuar ato ditë, ata nuk u paraqitën në spital dhe morën mjekime fshehurazi. Nga përleshja u plagosën edhe punonjës të policisë e të Gardës së Republikës. Hetimet e deritanishme kanë ecur me hapa të ngadaltë, pasi pati edhe shumë përplasje institucionale, ndërkohë që Kryeministri i vendit e konsideroi këtë demonstratë si tentativë për “puç shteti”, duke akuzuar edhe krerët më të lartë të institucioneve të pavarura.

I arratisuri vret dy vëllezër
Më 18 mars, një ngjarje e rëndë tronditi Shkodrën, ku Admir Tafili, i arratisur nga burgu vrau për hakmarrje dy vëllezër. I armatosur, ai mundi të ikte nga Shkodra në Tiranë, ku u arrestua nga RENEA. Dy personat e vrarë ishin vëllezërit e ish-shefit të krimeve të Malësisë së Madhe. Tafili dyshonte se ish-shefi i krimeve ka vrarë babanë e tij në një aksion policie të organizuar për arrestimin e vrasësve të Arben Zylyftarit.

Plagosja e Tan Leprit
Një tjetër atentat u shënua në Tiranë më 25 mars, kur u plagos me një plumb në shpatull biznesmeni Dritan Avllaj, i njohur ndryshe si Tan Lepri. Ngjarja ndodhi në rrugën “Mihal Grameno”, ndërkohë që deri më sot nuk ka asnjë autor të dyshuar për këtë krim të rëndë. Ndaj Avllajt ka pasur dhe dy atentate të tjera, njëri në vitin 2001, kur biznesmeni u plagos në këmbë, si dhe një tjetër në vitin 2008, kur në lokalin e tij pranë Prokurorisë së Përgjithshme shpërtheu një sasi lënde eksplozivi.

Atentat Ardit Kajës
Krim i pazbardhur mbetet edhe ai i 4 prillit, sapo kishte nisur fushata elektorale. Në qendër të Tiranës, kreu i Inspektoratit Ndërtimor të bashkisë, Ardit Kaja u plagos nga dy persona me motor, të cilët mbeten të paidentifikuar. 37-vjeçari ishte duke lëvizur me makinën e tij kur e qëlluan disa herë me një pistoletë me silenciator.

Vrasja mafioze e Sokol Doçit
Më 28 korrik u vra në mënyrë mafioze Sokol Doçi. Atij i zunë pritë kur po qarkullonte me mjetin e tij për në banesë. Doçi kishte punuar dikur si avokat dhe më pas në Entin Kombëtar të Banesave. Një person ka dalë përpara automjetit, me të cilin udhëtonte viktima dhe ka qëlluar tetë herë në kokë dhe në trup, duke e lënë të vdekur në vend. Megjithatë, asnjë gëzhojë nuk u gjet në vendin e ngjarjes. Disa pista hetimi janë hapur, të cilat kanë lidhje me aktivitetin e viktimës, por asnjë prej tyre nuk ka sjellë deri më sot arrestimin e autorit.

Kartat e klonuara
Gjatë këtij viti, sidomos në 6-mujorin e parë, bankat dhanë alarmin për vjedhje bankomatesh me karta të klonuara. Pas një hetimi disamujor, më 2 gusht, policia arrestoi pesë bullgarë të cilët realizonin këto vjedhje, duke përvetësuar shumë të konsiderueshme parash. Gjatë muajve maj-korrik, ata kishin arritur të kryenin 100 transaksione, duke përfituar rreth 150 mijë euro.

Masakrohet një familje
Më 15 gusht, një krim i rëndë ndodhi në zonën e Matit. Dashamir Barçi, 35 vjeç, Valter Barçi, 27 vjeç dhe Durim Barçi 22 vjeç, përkatësisht vëllezër me njëri-tjetrin janë ndaluar nga forcat e rendit, për vrasjen e trefishtë të ndodhur në fshatin Fraks të Komunës Komsi, në Rrethin e Matit, ku mbeten të plagosur edhe dy persona të tjerë. Tre persona të një familje u vranë me automatikë, ndërsa dy të afërm të viktimave mbetën të plagosur rëndë. Shkak i këtij konflikti brenda fisit ishte pronësia.

Masakrimi i 35-vjeçares
Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi më 12 gusht, që tmerroi të gjithë banorët e Korçës, por që pati jehonë në të gjithë vendin. Liliana Arapi ishte gruaja 35-vjeçare, e cila u gjet e masakruar. Nga hetimi rezultoi se një 82-vjeçar, i cili bashkëjetonte me gruan, e kishte vrarë dhe copëtuar me sëpatë për shkaqe xhelozie. Trupi i pajetë i 35-vjeçares u gjet në vendgrumbullimin e plehrave të qytetit juglindor, i ndarë në disa qese të zeza. Koka e saj ende nuk është gjetur.

Atentati ndaj gjyqtarit
Shtatori solli një atentat të rëndë, që i mori jetën një gjyqtari në Vlorë. Bëhet fjalë për krimin e 9 shtatorit, kur makina e 33-vjeçarit Skerdilajd Konomi shpërtheu në ecje e sipër, duke e lënë të vdekur në vend. Ky krim mendohet se ishte planifikuar të bëhej publik, meqë atentatorët kanë dashur të japin një mesazh. Nga hetimet e deritanishme, mendohet se krimi ka ardhur për shkak të konflikteve të pronësisë. Ndërkohë, prokuroria po ndjek edhe pistat e tjera. Por, ajo e pronësisë ka pasur përparësi edhe për faktin se vazhdon gjyqi mes familjes së gjyqtarit dhe Toptanëve për shumë troje në bregdet.

Arjan Selimi
Më 27 shtator ekzekutohet Arjan Selimi, një personazh i njohur i botës së krimit në Shqipëri. Selimi, disa vite më parë, u dënua për trafik të lëndëve narkotike. Në momentin e ekzekutimit, ai sapo kishte dalë nga një kafe në katin e parë të pallatit ku banonte. Ai ishte me “arrest shtëpie”, ndërsa hetimi për të vazhdonte. Policia tha në atë kohë se kishte rikrijuar lidhje të reja të krimit, ndërkohë që priste edhe një fëmijë me Inis Gjonin.

Oficeri i SHISH-it
Më 25 tetor gjendet makina e shkrumbuar “Opel Corsa”, ngjyrë bezhë, me targa të Durrësit, në pronësi të oficerit të SHISH, Isa Çopa. Ai u gjet brenda makinës në zonën periferike të Durrësit, lagjja e njohur si “Currilat”. Ngjarja mbetet e dyshimtë edhe sot e kësaj dite, pasi policia deklaroi fillimisht se ishte vetëdjegie, por më vonë u gjetën shenja dhune në trupin e oficerit të SHISH-it. Dosjet e ndjekura prej tij janë tejet sekrete, ndërkohë që ka mospërputhje kohe, në vendet që ai ka qenë ditën e ngjarjes. Ky krim i rëndë po hetohet për vrasje, por deri më sot, nuk ka asnjë deklaratë zyrtare se ku kanë shkuar hetimet.

Biznesmeni në Fier
Më 30 nëntor, biznesmeni Spartak Spaho ishte duke ecur në këmbë në trotuarin e rrugës kryesore “Ramiz Aranitasi” në qytetin e Fierit, mes shumë kalimtarëve të tjerë, kur në orën 17:30 është qëlluar për vdekje. Ai po shkonte te pallati që po ndërtonte, (objekti po ngrihet mes një pallati tjetër dhe ish-hotel “Vjosës”), kur i është afruar një automjet tip “Benz”, në të cilin ndodheshin dy persona. Mësohet se personi i ulur në vendin e parë ka nxjerrë kallashnikovin dhe ka qëlluar nga dritarja e makinës me breshëri mbi 40-vjeçarin, duke e lënë të vdekur në vend. Dy ditë pas ngjarjes, policia njoftoi se kishte identifikuar Agim Hykën si autor të dyshuar. Sa i përket shkakut të vrasjes, burimet zyrtare të policisë kanë thënë se dyshohet se vrasja ka ndodhur për hakmarrje.

Atentati ndaj Muçës
Atentat me eksploziv nëndrejtorit të Policisë së Tiranës, Dorian Muça. Ngjarja e rëndë u shënua në orët e para të mëngjesit të datës 8 dhjetor në banesën e Muçës, që ndodhet në katin e pestë të një pallati në rrugën “Frosina Plaku”. Nga shpërthimi fatmirësisht janë shënuar vetëm dëme materiale. Policia ka ndërtuar një identikit për atentatorin, por ende mbetet një krim i padokumentuar plotësisht. Ky krim solli një goditje pikërisht ndaj strukturave që merren me hetimin dhe zbulimin e autorëve të veprave të ndryshme penale, qoftë ato të krimeve të rrugës, qoftë ato të grupeve të strukturuara kriminale. Zbulimi i saj mund të sillte një mbështetje të madhe morale për të gjithë strukturat e hetimit të krimit.

Luftë me RENEA-n
Më 19 dhjetor vritet në Kurbin i shumëkërkuari Alfred Prendi, i cili u qëllua për vdekje gjatë një përleshje me forcat e RENEA-s. Strukturat speciale, gjatë një operacioni të kryer në fshatin Gurzë të Rrethit të Kurbinit kanë vrarë 40-vjeçarin, gjatë shkëmbimit të zjarrit, teksa tentonte t’u shpëtonte. Viktima, me origjinë nga Luthi i Pukës, dyshohet si bashkëpunëtor në 10 ngjarje kriminale, për të cilat policia kishte nisur hetimet. Sipas policisë, Prendi u qëllua për vdekje pasi kishte në dorë dy granata, që do t’i hidhte drejt forcave speciale, siç kishte bërë disa minuta para se të qëllohej për vdekje.

Atentat policit
Më 24 dhjetor, në një atentat poshtë banesës së tij, në sytë e djalit 12-vjeçar, persona të paidentifikuar qëlluan mbi oficerin e policisë rrugore, Nazmi Hyska. I njohur nga kolegët si njeri i përkushtuar, ai punonte në struktura larg përplasjeve me krimin, por mendohet se krimi erdhi si hakmarrje e disa viteve më parë, kur kishte punuar në Vlorë. Hetimet janë shtrirë në disa ngjarje në vitet 1997-‘98 kur Hyska ka qenë komandant i një prej grupeve që shpartalloi bandat në zonën e Vlorë-Sarandës.

Biznesmeni në Vlorë
Më 25 dhjetor, konflikti për pronësinë e një trualli, ku po ndërtohej një pallat i ka marrë jetën 52-vjeçarit Ardian Dervishaj. Viktima ishte ndërtues dhe kishte marrë disa kohë më parë një truall nga Adnand Gori, 31 vjeç, i cili për policinë është autori vrasjes. Konfliktet për përqindjen e ndarjes së ndërtimit bënë që 31-vjeçari të vriste ndërtuesin.

No comments:

Post a Comment