Dërguar më: 05/01/2012 - 14:17
Në një intervistë televizive, ish-kryeminis trit i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç tregon detajet e një lufte të vështirë në Ballkan e nisur që në 1992, e sidomos për marrëveshjen e shumë përfolur mes qeverisë së tij dhe asaj shqiptare për të thyer embargon e naftës, të vënë nga OKB-ja. Gjukanoviç thekson se nuk ka informacion për një marrëveshje të tillë, që nuk i kujtohet një takim Berisha-Bulatoviç, por pohon se në një situatë lufte gjithçka ishte normale për të siguruar jetën njerëzve.
Në Shqipëri revista "Mapo" ka botuar pjesë nga libri i ish-presidentit malazez Bulatoviç. Në këto kujtime ai bën publik takimin që ka bërë me presidentin e asaj kohe dhe kryeministrin aktual Berisha në vitin 1993. Bëhet fjalë për marrëveshjen për të shkelur embargon e naftës ndaj ish-Jugosllavisë nga OKB-ja në kohën kur Millosheviç vazhdonte masakrat në Bosnje, në Kroaci dhe në Kosovë. A keni dijeni për një marrëveshje të tillë bërë me Berishën në 15 Shtator të vitit 1993?
E kam lexuar këtë në disa pjesë të shkëputura të librit të zotit Bulatoviç, të cilat janë publikuar në shtypin tonë. Mua nuk më kujtohet asnjë takim i tillë. Sigurisht që nuk kam marrë pjesë në të dhe nuk kam asnjë informacion nëse është bërë një marrëveshje e tillë. Por ajo që ju dëshmoj me siguri është se këto sanksione të organizatës së OKB-së ndaj Jugosllavisë ishin ndoshta më rigorozet të vëna ndaj ndonjë vendi. Mund t'ju them se kushdo që ishte kryeministër në atë kohë, kur kishte mbledhje qeverie, diskutimet më të shpeshta ishte se si do t'u siguronim qytetarëve gjërat elementare, miellin, vajin, sheqerin pra ushqimet të domosdoshme për jetën. Nuk është shumë e largët ajo kohë, nuk ka as 20 vjet. Ndoshta nuk ju duket reale kur flasim për anëtarësim europian, por fatkeqësisht ky ishte realiteti dhe ishte shumë vështirë që të sigurohej funksionimi i sistemit. Mali i Zi nuk ka derivate të naftës, ne nuk prodhojmë naftë, kishim disa burime vendase në Jugosllavi, por të gjitha ndodheshin në territorin e Serbisë. Serbia në mënyrë shumë rigoroze kishte vendosur që asgjë nga prodhimi i vendit mos të kalonte në Malin e Zi. Rrethi i komunitetit ndërkombëtar ishte i tillë që s'kishim mundësi të importonim asgjë nga derivatet e naftës. Kjo nuk vuri në pikëpyetje vetëm funksionimin e kombinatit të aluminit, por edhe të spitaleve, shkollave, të gjithave atyre gjërave jetike për këtë vend. Kishim vetëm një zgjidhje, nëse pajtohemi me këtë, kishim nënshkruar ndëshkimin me vdekje për qytetarët e Malit të Zi. Prandaj kemi provuar që me çdo mënyrë t'ua sigurojmë atyre jetën. Nëse dikush nga perspektiva e sotme do ta provojë që të gjykojë a ishim të disiplinuar apo jo ndaj një ndëshkimi të tillë, përgjigja e vetme ndaj tij do të ishte, mendoj se kemi bërë atë që do të bënte çdo qeveri përgjegjëse.
A mund të bëhej marrëveshje midis palëve për të thyer embargon? Mendoni se mund të hynte naftë pa pasur një marrëveshje midis dy krerëve të shteteve?
Shumë gjëra që kanë funksionuar në atë kohë nuk ishin të mbuluara me ndonjë nënshkrim në dokumentet zyrtare, thjesht jeta ka funksionuar me rregullat e saj, ne kemi pasur komunikim me vendet fqinje, kishim mirëkuptimin e fqinjëve tanë. Kishin dhe interesa aty dhe në atë kohë kishte tregti. Ai që i ka dhënë ato karburante nuk e ka bërë falas. Ato karburante janë shitur me çmime më të larta sesa në kushte normale. Pra kishte dhe interesa aty. Por para se të gjithash ishte ai mirëkuptimi, solidariteti dhe gatishmëria që të ndihmoheshin fqinjët të jetojnë në një kohë të veshtirë…
Pjesë nga intervista dhënë
për "Tonight" të gazetares
Ilva Tare në Ora News
Source:
No comments:
Post a Comment