Total Pageviews

Tuesday, December 13, 2011

Tenderi i uniformave, firmat pjesëmarrëse, të pakualifikuara


Dashamir Biçaku

Tenderi për Uniformën e Policisë së Shtetit në maj të këtij viti është zhvilluar me subjekte të kualifikuara në mënyrë të gabuar, duke sjellë në këtë mënyrë edhe zhvillimin e realizimin e një procedure blerjeje të dyshimtë. Për këtë të fundit Policia e Shtetit, duket se ka thelluar dyshimet ndaj saj se i gjithë tenderi mund të jetë i paracaktuar që të fitohet nga një subjekt, duke i sjellë buxhetit të shtetit një dëm të konsiderueshëm vlera e të cilit ende nuk mund të llogaritet. Burimet e policisë thonë se firma turke, “Arlsanlar Group” është kualifikuar në mënyrë të qëllimshme për të marrë pjesë në tender, pavarësisht se kjo e fundit ka si aktivitet parësor prodhimin e lëndëve të para tekstile dhe jo prodhimin e veshjeve.

Në këtë grup mësohet se është edhe një fabrikë e prodhimit të veshjeve dhe uniformave zyrtare, por ky nuk është aktiviteti parësor i këtij grupi biznesi që ka ndër të tjera si pjesë të saj një kompani ndërtimesh dhe si kompani të prodhimit të lëndëve të para. Ky subjekt ka konkurruar në tenderin e uniformave të policisë, por nuk ka si pjesë të grupit të saj asnjë kompani që merret me prodhimin e këpucëve, të veshjeve të lëkurës, stemave gradave, apo objekteve të tjera që janë kërkuar të blihen nga Policia e Shtetit.

Ky fakt shihet edhe në faqen zyrtare të Arlsanalr Group, http://www.arslanlar.com.tr/eng/urun.htm, në të cilën duken në mënyrë të qartë disa rrotulla penjsh, që nënkuptojnë si aktivitet parësor të kësaj kompanie është prodhimi i pëlhurave dhe të tekstileve, jo i konfeksioneve. Ndërkaq veç subjektit “Gjergjefi” sh.p.k, dhe grupit turk prodhues të tekstileve “Arlsanlar Group”, në tender ka mundur të kualifikohet edhe një subjekt izraelit.

Ky i fundit mësohet se është ndër prodhuesit më të mëdhenj të uniformave në shtetin hebre, por ai nuk u përzgjodh fitues, për shkak të ofertës së tij më të lartë se dy subjektet e tjera.

Nga burimet e Shekullit mësohet se të tri subjektet kanë ofruar vlera të përafërta, duke bërë që renditja të ishte nga firma “Gjergjefi”, e para, e dyta firma turke “Arlsanlar” dhe e treta, firma izraelite. Nga vlera prej 1.885 miliardë e 500 mijë lekësh të vjetra, firma “Gjergjefi”, ka fituar me një vlerë, prej vetëm 770 milionë lekësh. Nga një përllogaritje e thjeshtë, nga kjo procedurë e hapur, policia ka mundur të kursejë vetëm tre për qind të buxhetit të saj të parashikuar për këtë tender. Ndryshe nga procedurat e tjera, në të cilat ulja e vlerës fillestare të tenderit shkon në jo më pak se 20 për qind.

Hiqen xhaketat për policët, mbahen vetëm për drejtuesit

Uniforma e Policisë së Shtetit, e tenderuar në muajin maj të këtij viti, i ka hequr 6800 efektivëve të policisë të drejtën për të pasur një xhaketë në veshjen e përditshme në punë. Ndryshe nga pjesa e nivelit të nivelit të mesëm dhe të parë drejtues, të cilëve iu rezervohet e drejta për të pasur xhaketë në normat e tyre, për kategorinë e nivelit bazë, hiqet norma e xhaketës tyre. Në nenin 69, të Ligjit nr. 9749, “Për Policinë e Shtetit”, thuhet se punonjësi i Policisë e përdor uniformën dhe shenjat e policisë, vetëm gjatë kryerjes së detyrës nga ana e tij. Por në urdhrin e shkurtit 2009, punonjësit e nivelit zbatues lihen pa xhaketa. Këta policië do të kenë xhupa në vend të xhaketës. Ndërkohë për policët e krimeve është shënuar se do të marrin doreza lëkure dhe rripa, por jo pantallona. Ky mund të jetë një lapsus pasi nuk mund të nxirren policët në detyrë pa pantallona.

Tenderi kishte si kriter suksesin e firmës

Policia e Shtetit në prokurimin e uniformave të saj ka kërkuar që subjektet pjesëmarrëse në procedurën e prokurimit të kenë pasur në vitet e kaluara përvojë të suksesshme në realizimin e kontratave të ngjashme përgjatë tri viteve të fundit. Nuk dihet nëse ndonjë prej subjekteve të mësipërme ka pasur përvojë të suksesshme në realizimin e tenderëve të mëparshëm. Për subjektin “Gjergjefi” sh.p.k, është e sigurt që nuk ka pasur kontrata të lidhura në gjysmën e dytë të vitit 2009 dhe në vitin 2010, i si dhe për vitin 2011, pasi pronari i firmës ishte i arrestuar dhe ka qenë nën hetim për akuzën e korrupsionit dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm. Ndërkaq nga ana tjetër Policia e Shtetit, nuk ka realizuar asnjë prokurim, për gjatë vitit 2008, 2009 e 2010, për objektet e uniformës së saj.

Kriteri që largoi shumë firma nga tenderi

Në dokumentet standarde të tenderit kërkohet që subjektet konkurruese të kenë realizuar si kontrata të ngjashme në tri vitet e fundit mallra me vlerën e 40 për qind të tenderit. Në këtë procedurë nuk përcaktohet nëse duhet të ketë realizuar mallra si veshje, këpucë, veshje policinë rrugore, veshje për forcat e fluturimit, apo për veshje të tjera të posaçme të policisë. Një tregues i tillë i kërkuar nga autoriteti kontraktor duket se ka bllokuar shumë subjekte të tjera që të marrin pjesë në tender, duke bërë që të tërhiqeshin pasi nuk plotësonin kriterin e publikuar nga Agjencia e Prokurimit Publik (APP) dhe të kërkuar nga Enti Prokurues, Policia e Shtetit.

No comments:

Post a Comment