Nga Emirjon Senja
Në pamje të parë, të gjitha shkeljet e kapura nga KLSH duket se janë bërë nga pakujdesia apo përllogaritja e pasaktë, por shpeshtësia e tyre dhe masa e gabimit, e cila varion ne disa milionë lekë hedh hije të mëdha dyshimi. Rasti më tipik është ai i rrugës së Arbrit, ku është zhvilluar tender për punime të cilat nuk ekzistojnë. Gazeta vijon sot me publikimin e raportit të KLSH-së pas kontrollit të kryer në Drejtorinë e Përgjithshmë të Rrugëve për aktivitetin e saj përgjatë viteve 2008, 2009.
Rruga e Arbrit
Kontrolli përfshin vetëm lotin e parë të kësaj rruge, i cili fillon nga Ura e Vashës deri në Bulqizë. Problemet në këtë segment kanë të bëjnë me zhvendosjen e linjës së tensionit 110 kv si dhe vendosjen dy tombinove (kulluese uji) në rrugë. Në fakt, nga sa konstaton KLSH, në atë zonë nuk ka ekzistuar fare asnjë linjë tensioni 110 kv dhe tenderi prej 17 milionë lekë për kryerjen e këtyre punimeve është zhvilluar gabim. “Në projektin e kësaj rruge (segmenti Ura e Vashës-Bulqizë) janë parashikuar punime për spostimin e linjës së tensionit të lartë 110 kv. Por, në fakt në këtë segment rrugor nuk ka linjë TL 110 kv për t`u spostuar, çka do të thotë se ky zë është preventivuar gabim, e për pasoje vlera e kontratës është rritur fiktivisht në shumën 17,552,266 lekë me t.v.sh”, – shpjegon KLSH. Krahas kësaj, gjatë vendosjes së kullueseve të ujit, kompania projektuese ka bërë përllogaritje të gabuara duke rritur artificialisht koston e ndërtimit të rrugës me rreth 155 milionë lekë.
Kukës-Morinë
Kontrolli i ushtruar për këtë segment ka hasur me një dëm ndaj buxhetit në vlerën e 39 milionë lekëve. Çështja ka të bëjë me zhvillimin e tenderit për ndërtimin e dy viadukteve. Sipas të dhënave të ofruara nga KLSH, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka rritur padrejtësisht koston e ndërtimit të tyre me rreth 39 milionë lekë duke skualifikuar nga gara kompaninë që kishte dhënë ofertën më të ulët, më arsyetimin se nuk përmbushte kushtet financiare. Nga ana e saj, KLSH arsyeton se kompania mund të ishte shpallur fituese nisur nga fakti se diferenca e bilancit financiar të kompanisë midis shumës kusht për të marrë pjesë në tender dhe asaj që posedonte ajo ishte e ulët.
Plepa-Rrogozhinë
Segmenti Plepa-Shkëmbi Kavajës përmendet disa herë në raportin e KLSH-së për shkelje, të cilat shkaktojnë edhe rritje artificiale të rrugës. Fillimisht ishte vendosja e paplanifikuar të paneleve anësore kundër zhurmës, e cila rriti koston me rreth 280 milionë lekë. Kësaj të fundit i shtohet një tjetër shumë prej rreth 150 milionë lekësh, por këtë radhë shkelja është bërë tek procedurat e tenderimit. Sipas KLSH-së, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka skualifikuar me pa të drejtë një kompani nga gara, e cila kishte marrë përsipër përfundimin e punimeve me një vlerë rreth 150 milionë lekë më të vogël se kompania që u shpall fituese. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit përmban një mori shkeljesh të ngjashme të rrugë të tjera të vendit, të cilat kapin vlera disa qindra milionë lekë. Vetëm shkeljet në tre rrugët e mësipërme, mësohet t’i kenë shkaktuar buxhetit të shtetit një kosto shtesë prej rreth 360 milionë lekë
Pagesat, si u futën në “kurth” kompanitë
Fillimi i punimeve njëkohësisht në të gjithë trasenë e rrugëve është një fenomen që haset shpesh gjatë ndërtimit të rrugëve në vend duke bllokuar apo vështirësuar për një kohë të gjatë kalimin e automjeteve në të. Punimet në rrugë zgjaten në kohë duke kaluar çdo afat limit, madje jo në pak raste, afatet e dorëzimit të punimeve janë shtyrë me muaj më radhë.
Në kontrollin e ushtruar në DPRR për periudhën 2008-2009 Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton tejzgjatjen e afateve kohore të mbarimit të punimeve nëpër rrugë për shkak të mos financimit në masën e duhur nga autoritetet shtetërore. Pra, krahas problemeve me projektet, mos lirimit të sheshit të punimeve nga privatet, shkak për zgjatjen e punimeve në rrugë sipas KLSH-së është edhe mungesa e parave. Në kushtet kur nuk paguhet, kompania ose është e detyruar të vijojë punimet me paratë e saj, gjë e cila ka ndodhur shpesh ose duhet të ndërpresë punimet. Rastet më flagrante janë edhe ato kur autoritet i thonë kompanive që të fillojë punimet ndërkohë që në kontratë nuk parashikon afatet e kryerjes së pagesave. Kjo është edhe një ndër format e zgjedhura deri më tani nga autoritetet për të shtyrë pagesat.
Në lidhje me këtë fenomen, KLSH merr shembull kërkesat e dërguara për likuidim në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve nga kompanitë ndërtuese deri në fund të vitit 2009. Gjatë kësaj periudhe, mësohet se kompanitë kanë dorëzuar në DPRR kërkesa për likuidime në vlerën e rreth 4.7 miliardë lekëve, shumë e cila është konsideruar tepër e lartë nga KLSH. “Ky detyrim në vlerë të konsiderueshme për buxhetin e shtetit është krijuar nga prokurimi i fondeve për projektet e infrastrukturës rrugore me vlerën e plotë të tyre, por i pa shoqëruar me financimin pjesor nga buxheti i shtetit për të mbuluar punimet e kryera”, – shpjegon raporti duke vijuar edhe më tej me shtjellimin e gjendjes. Pra, kompanitë nuk janë paguar për punën e bërë. Kujtojmë se gjatë asaj periudhe Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë kërkoi publikisht nga Ministria e Punëve Publike që të paguheshin për punën e bërë.
Shtyrja e pagesave rrisin koston finale
Raporti i KLSH-së konstaton se në mjaft raste, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ministria e Transporteve kanë prokuruar të gjithë segmentin e rrugës në mënyrë të menjëhershme edhe pse ai është parashikuar të mos përfundojë brenda një viti buxhetor. Në këto kushte, kompanitë fituese fillojnë punimet në lotet që kanë marrë përsipër të realizojnë dhe pas mbylljes së një pjese të punës dorëzojnë tek autoritetet situacionet, të cilat kanë të bëjnë me punimet që janë kryer duke kërkuar njëkohësisht edhe të paguhen. Por pagesat faktikisht bëhen jashtë afateve, disa herë vonesat janë edhe më të gjata se një vit. Kuptohet që këto vonesa pengojnë firmat dhe i detyrojnë ato të marrin masa që e shkarkojnë gjithë stresin financiar mbi punonjësit, që shkurtohen apo që u zvogëlohen e u vonohen pagat. Gjithashtu i pengon këto firma që të kryejnë investime sipas parashikimeve në rritjen e kapaciteteve teknike e njerëzore.
Prokurimi i plotë i rrugës vlerësohet pozitivisht nga ekspertët e KLSH, por ata i mëshojnë faktit se mos financimi në kohë i punimeve bëhet shkak për zgjatjen e tyre. Krahas kësaj, kompanive iu lind e drejta që të kërkojnë kamatë vonesa duke rritur në mënyrë fiktive koston e ndërtimit.
* * *
Raporti konfidencial i KLSH: Si vidhen miliona në ndërtimin e rrugëve
Shkeljet me fondet e rrugëve janë kthyer në një praktikë mëse të zakonshme gjatë ndërtimit të tyre. Rrugët konsiderohen një mundësi e mirë e të bërit para, kjo pasi për të verifikuar shkeljet nevojitet një kontroll i detajuar i dokumentacionit, por edhe verifikime në terren. Abuzimet me trashësinë e shtresave asfaltit apo stabilizantëve janë abuzime të dalë mode tashmë. Devijimet nga projekti fillestar, shtimi i vëllimeve të punës për të arritur në vlerën me të cilën është fituar tenderi, etj., duket të jenë edhe shkeljet më në trend kohët e fundit. Një kontroll i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve për aktivitetin e saj përgjatë viteve 2008-2009, i shoqëruar edhe me verifikime në terren, ka nxjerrë në pah një numër të konsiderueshëm abuzimesh me fondet publike gjatë ndërtimit. Raporti i siguruar nga “Shekulli” është konfidencial dhe në të kanë akses një numër i kufizuar krerësh shtetërore.
Shembulli konkret ku janë hasur shkelje nga më të ndryshmet me vlere rreth 370 milionë lekë është segmenti Plepa-Kavajë-Rrogozhinë. Raporti ka të bëjë me lotet I, II, III, IX dhe X, ku në të gjitha janë hasur devijime dhe rritje fiktive të kostos së ndërtimit. Në mjaft raste, mosparashikimi i saktë i punimeve që duhen kryer, ka bërë kompanitë të ndërhyjnë vetë në projektin fillestar të miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve duke bërë shtesa punimesh në mënyrë që të arrijë volumin e punimeve, me të cilat ka fituar tenderin.
Rasti më tipik është ai i paneleve anësore kundër zhurmës që shoqërojnë një pjesë të krahut të djathtë të segmentit Plepa (Durrës) –Kavajë. Në fakt, kjo gjë nuk ishte parashikuar në projekt. Raporti del në përfundimin se pasi mbaruan punimet, kompania vërejti se volumet e punimeve nuk kapnin vlerën e tenderuar për shkak të disa ndryshimeve që kishte pësuar projekti gjatë zbatimit. Pra, dilnin tepër rreth 56 milionë lekë. Në këto kushte, u pa e udhës që për të plotësuar shumën prej 533 milionë lekë, me të cilët kompania kishte fituar tenderin për ndërtimin e të gjithë segmentittë ndryshohej përsëri projekti dhe ta parashikohej vendosja e këtyre paneleve. Ndryshimi herë pas here i projektit duke rritur fiktivisht koston e ndërtimit të rrugës është konsideruar shkelje nga KLSH.
E njëjta gjë është bërë edhe në lotet II dhe III të kësaj rruge. Në lotin II vlera shtesë e kontratës është rreth 100 milionë lekë, kurse në lotin III dëmi është 91 milionë lekë. Në total, nga vendosja në mënyrë të paplanifikuar të këtyre paneleve në të tre lotet, kosto e këtij segmenti është rritur me rreth 280 milionë lekë. E gjithë kjo shumë, vlerësohet sa 17 për qind e vlerës totale të këtij projekti. “Këto panele mbrojtëse ndaj zhurmës se bashku me rrugët paralele duhej të ishte i përfshirë si kërkesë në detyrën e projektimit të investitorit (DPRR). Dhe për ndërtimin e tyre duhej te fillonin procedurat te tjera prokurimi, dhe jo ti lihej në dore të lirë projektuesit i cili më tepër e ka konsideruar nevojën e vendosjes së paneleve mbrojtëse ndaj zhurmës për të balancuar vlerën e ofertës së operatorëve fitues (kontratës)”, – citohet në raportin konfidencial të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kontrolli në DPRR është kryer gjatë vitit të shkuar dhe ka zgjatur disa javë.
Kosto e segmentit Plepa-Shkëmbi Kavajës
17 % kosto e paneleve anësore
83 % punimet e tjera
Kostoja e vendosjes së paneleve anësore në segmentin Plepa-Shkëmbi Kavajës përllogaritet sa 17 % e kostos totale të ndërtimit të rrugës. Panelet u vendosën më pas, kur u pa që kostoja e punimeve ishte më e vogël se vlera fillestare e tenderuar.
Projektet e mangëta, shkak për zvarritjen e punimeve
Kujt i ka rastisur të kalojë qoftë edhe një herë në rrugën aksin Kavajë-Durrës të paktën gjatë këtyre tri viteve të fundit është bërë dëshmitar i tejzgjatjes jashtë çdo afati kohor të punimeve në këtë segment. Tejzgjatja është bërë shkak i trafikut të renduar në këtë zonë, kryesisht gjatë muajve të verës si edhe të aksidenteve. Madje, edhe sot e kësaj dite në këtë aks, më konkretisht nga Shkëmbi i Kavajës deri në nyrje të këtij qyteti janë duke u kryer ende punime. Krahas mos shlyerjes së kompanive, e cila u bë shkak për ndalimin e punimeve rreth një vit e gjysmë më parë, duket se arsye tjetër se përse kjo zonë vazhdon të jetë ende një kantier ndërtimi është ndryshimi i projekteve dhe shtyrja e afateve kohore nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
Rasti më tipik është segmenti që fillon nga Ura e Dajlanit në Durrës deri në afërsi të Shkëmbit të Kavajës. Për këtë segment, afati i mbylljes së punimeve është shtyrë të paktën katër herë. Në fillim punimet duhej të përfundonin në qershor 2009, më pas ato janë shtyrë për në muajin nëntor të këtij viti, punimet nuk mbaruan në këtë afat dhe autoritetet e shtynë atë përsëri për në mars 2010. Puna nuk mbaroi as në mars duke u shtyrë për në qershor 2010. Shkak për shtyrjen e afateve duket të jetë bërë mos hapja e sheshit të punimeve nga subjektet private. Për zgjerimin e rrugës është dashur prishja e disa ndërtesave që ndodhen në zonë.
Por, ndryshe nga loti I, shkaku kryesor i shtyrjes së afateve në segmentet e tjera mësohet të jetë mos përfshirja në projekt e përbërësve të ndryshëm të rrugës, madje edhe ata me kryesorët, siç janë përshembull trotuarët, nënkalimet, etj. “Rezervat, paqartësia në detyrat e projektimit dhe cilësia e dobët e projekteve dhe preventivëve me ndryshime thelbësore të tyre gjatë zbatimit të punimeve, siç u tha dhe mësipërm, cenojnë anën funksionale dhe statike të rrugëve, ndikojnë direkt në cilësinë dhe afatin e zbatimit të punimeve, sjellin formalizëm dhe shmangie nga objekti dhe qëllimi i ligjit për prokurimin publik si dhe rritje të kostos se ndërtimit të rrugës”, – arsyeton KLSH në raport.
KLSH: Ndryshimet e projektit rritën kostot e ndërtimit
Ndryshimet në zërat e punimeve, shtime të vlerave apo pakësime të tyre, janë parë me shqetësim im të madh nga KLSH. Kjo për faktin se nëse kosto përfundimtare krahasohet me ofertat që kanë bërë kompani të tjera në momentin e zhvillimit të tenderit, mund të kishin rezultuar ato fituese dhe jo kompania që ka bërë punimet, për të mos llogaritur më pas edhe ndikimin në cilësinë e ndërtimit të rrugëve. Tabelat e tenderëve të loteve të kësaj rruge pasqyrojnë për një interes të lartë të kompanive të ndërtimit. Krahas kësaj edhe ofertat kanë qenë të përafërta. Për këtë shkak, ndryshimi i vlerës së punimeve mund të kishte nxjerrë të tjera kompani fituese. “Disa nga operatore mund të kenë çmime më të larta se fituese, për ato zëra të cilat pakësohen në volume apo hiqen nga preventivi, dhe e kundërta mund të kenë çmime më të ultë për ato zëra që shtohen, e për pasoje fitues i tenderit do të ishte tjetër operatorë me vlerë oferte të ulet se fituesi aktual”, – theksohet në raport.
Të dhënat teknike të paneleve
Sipërfaqja totale (të tre lotet) ~ 9 500 m²
Lartësia 3 metra
Çmimi 20.080 lekë m²
Kontrolli
Kontrolli është kryer gjatë vitit të shkuar dhe ka përfshirë aktivitetin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve përgjatë viteve 2008-2009. Kjo është periudha gjatë të cilës janë zhvilluar punime në disa nga akset më të rëndësishme të vendit, siç është rruga e Arbrit, segmenti Rrëshen-Kalimash, rrugët e bregdetit të jugut, rruga Plepa-Kavajë-Rrogozhinë, etj.
Raporti
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit në DPRR është konfidencial. Pas hartimit, KLSH i ka dorëzuar një kopje të tij ministrit Sokol Olldashi shoqëruar edhe me masat disiplinore për shkelësit. Ai përbëhet nga rreth 770 faqe dhe krahas kontrollit në DPRR përmban edhe kontrollet në disa bashki dhe komuna të vendit.
Botimet
“Shekulli” do të vijojë në ditët në vijim me botimin e përmbajtjes së raportit të KLSH-së mbi ndërtimin e rrugëve në Shqipëri. Pjesë e botimeve do të jenë edhe kontrollet e ushtruara në disa institucione të tjera si dhe bashki të ndryshme të vendit
No comments:
Post a Comment