Total Pageviews

Wednesday, December 28, 2011

Ja cilët janë politikanët më të paguar në Kosovë

Mërkurë, Dhjetor 28th, 2011


Është politikania më e paguar në Kosovë, e megjithatë nuk ka mundur ende të blejë shtëpi, jeton në një shtëpi me qira. Atifete Jahjaga, Presidentja e Kosovës, ka një pagë mujore prej 2837 eurosh. Kështu thuhet në listën e personaliteteve më të paguara të politikës kosovare, e cila u botua dje nga gazeta “Zëri”. Sipas të dhënave të siguruara nga kjo gazetë, Kryeministri Hashim Thaçi ka shtëpinë më të madhe nga të gjithë zyrtarët publikë të Kosovës, me rreth 1 mijë metra katrorë, e megjithatë nuk është mes 10 personave më të paguar të institucioneve shtetërore. Thaçi paguhet 1443 euro në muaj dhe kjo prej disa vitesh, që kur ai ka marrë detyrën e Kryeministrit. Thaçi ka deklaruar në procesin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Antikorrupsion, se për ndërtimin e shtëpisë në periferi të Prishtinës ka marrë kredi. Presidentja e vendit, e cila ka dyfishin e rrogës së Kryeministrit, nuk ka bërë ende asnjë deklaratë pronësie, por dihet vetëm se jeton me qira. I dyti pas Presidentes së vendit në listën e pagave është drejtori i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me pagën 2653 euro. Edhe zëvendësit e tij paguhen më shumë se Kryeministri, nga 2520 euro. Pas tyre renditet Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili çdo muaj merr 2325 euro, ndërsa zëvendësit e tij marrin 2 mijë euro. Më i paguar pas tyre është kryetari i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë me 1955 euro në muaj. Pastaj me radhë, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit me 1888 euro, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me 1876 euro çdo muaj, gjyqtarët e tjerë të kësaj Gjykate me nga 1651 euro. Edhe kryeshefi ekzekutiv i Autoritetit Rregullator të Telekomit paguhet më shumë se Kryeministri, me 1600 euro dhe anëtarët me nga 1495 euro. Ndërsa deputetët e Kuvendit të Kosovës, sipas dokumenteve, marrin pagën bazë 1488 euro, por në këtë shifër nuk janë të përfshira edhe shtesat që deputetët i marrin për pjesëmarrje në komisione parlamentare, e që arrijnë vlerën mbi 400 euro për secilin deputet në muaj.

majtas lart ne foto Presidentja e Kosoves Atifete Jahjaga

No comments:

Post a Comment