Total Pageviews

Monday, November 7, 2011

Pietro Grasso: Mafia shqiptare në Itali kontrollon mafian e Ballkanit

11/07/2011

Pietro Grasso, Kryeprokurori kombëtar i antimafias Italiane befason me rrëfimin e tij. Në një bisedë që ai bën me gazetarin e njohur italian Alberto La Volpe, rrëfen hartën e kriminalitetit në Itali. Bashkëbisedimi mes një gazetari të njohur e një kryeprokurori vjen në librin me titull "Për të mos vdekur nga mafia", që e ka sjellë në shqip shtëpia Botuese "Ombra GVG". Libri është botuar në gjuhën italiane në vitin 2010, ndërsa në shqip është botuar vetëm në muajin tetor. Sipas botuesit Gëzim Tafa, rrëfimet në libër përfshijnë situata e ngjarje deri në vitin 2009. Pietro Grasso është Kryeprokuror i Antimafias në Itali prej pesë vitesh, ndërsa puna e tij si prokuror ka filluar në vitin e 1979. Me origjinë nga Likata e Sicilisë, Grasso është nga ata që mendojnë se mafian mund ta luftojë vetëm një sicilian. Ndërkohë, siç thotë Grasso në libër, mafia e ditëve tona investon edhe në fondacione joqeveritare, financon libra dhe personalitete të ndryshme. Sipas tij, mafia nuk është më njësoj; ka ndryshuar format e lukun e vet; nuk të vret më në mes rrugës; personazhet e rëndësishëm të saj vishen me kostumet më të fundit të modës. Pietro Grassi në Itali njihet edhe për debatin që ka bërë me shkrimtarin Roberto Saviano në një televizionin italian, madje kryeprokurori është i mendimit që Kamorra nuk është plotësisht ajo që e hasim në romanet e Savianos, edhe pse ka marrë emër përmes veprave letrare e filmave artistikë. Grasso mendon se mafia është një organizëm shumë i rrezikshëm edhe më i errët sa i takon informacioneve që dalin prej saj e për të. fa.ni.


Nëse flasim për itineraret që ndërmerren për importimin e lëndëve narkotike në Europë, ngarkesat e stërmëdha të transportuara në rrugë detare, siç thamë, kanë gjetur baza qëndrimi në Spanjë dhe Hollandë, duke u shpërndarë më tej nëpër portet e ndryshme italiane. Narkotrafikantët kolumbianë, pas sekuestrimeve të vazhdueshme të anijeve të mbushura me kokainë të drejtuara për në Europë, të kryera nga autoritetet spanjolle, portugeze, angleze dhe franceze, kanë krijuar pika të reja qëndrimi në rajonet veri perëndimore të Afrikës, përballë ishujve të Kepit të Gjelbërt, duke shkarkuar ngarkesat e mëdha në ujërat kundruall porteve të Golfit të Guineas, të Senegalit, të Togos, të Mauritanisë dhe të Kanarieve. Ashtu siç është dëshmuar, ndër të tjerat, nga sekuestrimi i kryer më 26 shkurt 2009, pranë ishujve Azzorre, nga policia spanjolle (falë punës së shërbimeve inteligjente të skuadrës lëvizëse dhe të Drejtorisë së Rrethit të Antimafies së Xhenovës) i pesë tonelatave e gjysmë kokaine në bordin e një varke peshkimi kolumbiane, e cila vinte nga brigjet afrikane. Operacioni, i emërtuar "Albatros", u bë i mundur falë përdorimit të një avioni Atr-42, i vetëm i këtij lloji në Europë, i pajisur me teknologjinë moderne të fjalës së fundit prej policisë financiare. Avioni mund të dallojë dhe të përndjekë një anije derisa ajo hidhet në det, pa u vënë re nga trafikantët. Ky sekuestrim, që pason atë të tri tonelatave e gjysmë, duke arritur kësisoj shumën prej nëntë tonelatash (me vlerë 720 milion euro), i kryer pranë brigjeve galiciane në fillim të vitit, në kuadër të po këtyre hetimeve, është më i madhi ndër gjithë të tjerët të kryer në oqeanin Atlantik.
Në janar droga u soll drejt e nga Amerika e Jugut me avion, u la në det, dhe u mor nga një anije mëmë për t'u shpërndarë më pas në anije të tjera më të vogla dhe më të shpejta, të cilat do të kryenin pjesën e mbetur të lundrimit. Ngarkesa e anijes llogaritet të jetë ndoshta plot njëzet tonelata.
Ka mundësi që vendet e reja të depozitimeve të mëdha ku mund të grumbullohet dhe të ruhet droga, me qëllim që të tërhiqet pastaj sa më shpejt, sipas kërkesave të tregut europian, do të ngrihen fare pranë zonave më të mëdha të konsumit dhe parashikohet që këto zona të jenë në Ballkan, ku është zhvilluar tashmë një kriminalitet i organizuar dhe i aftë të menaxhojë trafiqet dhe të mbrojë pikat e grumbullimit.
Për më tepër, narkotrafikantët kolumbianë kanë ndërtuar baza të vërteta logjistike në territorin italian dhe, megjithëse e konsiderojnë 'ndragheta-n si organizatën kryesore ku mbështeten në nivel ndërkombëtar, i ruajnë lidhjet edhe me organizata të tjera të tipit mafioz ose më mirë të themi me organizata me origjinë të huaj si ato shqiptare dhe nigeriane. Në rastin e trafiqeve të mëdha të lëndëve narkotike, Kartelet kolumbiane ndërtojnë shpesh struktura të përbashkëta menaxhimi që shërbejnë për të krijuar shërbime transporti efikase, e mbi të gjitha, për të përballuar rreziqet prej aksioneve të ndërmarra nga forcat e rendit. Flasim zakonisht për "Kartele" të drogës, por sot veprimtaritë që lidhen me lëndët narkotike, edhe pse mbajnë lidhjet, si dikur, me po ato organizata kriminale, kanë kaluar në një model më të zhdërvjellët, më pak të ekspozuar dhe më të vështirë për t'u zbuluar. Sot trafiqet e paligjshme kanë pësuar një shndërrim rrënjësor ashtu siç kanë ndryshuar dhe organizatat terroriste ndërkombëtare, si al-Qaeda dhe Jihad-i islamik. Të gjitha këto organizata, pa braktisur lidhjet dhe hierarkitë e dikurshme, kanë krijuar grupe të decentralizuara; kanë ndërtuar struktura me bërthama dhe nyje të shpërndara; i kanë zëvendësuar linjat e ngurta të shkëmbimit me transaksione gjithnjë në zhvillim dhe në përshtatje me kërkesat e kohës.
Në kuadrin global, organizatat makrokriminale nuk janë më fanatikë të territorit dhe faktorëve sub-kulturorë të cilëve u përkasin, por dëshmojnë se kanë përvetësuar me shpejtësi modele të zhdërvjellët dhe dinamikë dhe se kanë forcën e duhur për të garuar dhe për të fituar edhe në situatat e së ardhmes së afërt. Është domethënës evolucioni që mafiet historike kanë pësuar gjatë viteve të fundit, duke ndërtuar një model të ri organizativ për menaxhimin e lëndëve narkotike, të bazuar në parapërgatitjen e grupe të përziera të "ndërmjetësve", të cilët realizojnë lidhjen midis grupeve ndërkombëtare që kujdesen për shitjen e drogës dhe klaneve lokale që merren me shpërndarjen në vend. Veprimtaria e ndërmjetësve ka çuar në ndërkombëtarizim gjithnjë e në rritje të strukturës, duke bërë të mundur pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në klanet e narkotrafikantëve, të përfaqësuesve të organizatave kolumbiane dhe amerikanojugore, të grupeve spanjolle, të grupeve marsiliere, në një bashkëveprim të përkryer me përfaqësuesit e mafies italiane.
Në këtë panoramë ndërkombëtare çfarë roli luan kriminaliteti me origjinë ballkanike?
Në përgjithësi përdoret termi "kriminaliteti shqiptar" për të treguar jo vetëm format kriminale të prejardhura nga bashkësi dhe subjekte kriminale shqiptare, por edhe ato që vijnë nga vendet e tjera përqark Shqipërisë, si Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Roli me peshë të padiskutueshme që luan sot kriminaliteti shqiptar përbën tashmë një fakt të konsoliduar, meqenëse ky kriminalitet ka shfaqur një farë prirje natyrore për hegjemoni në menaxhimin e rrjeteve të grumbullimit dhe të shpërndarjes së mallrave kriminale (drogës, të miturve, femrave që u nënshtrohen praktikave të turpshme të shfrytëzimit seksual, armëve), të destinuara për tregjet e pasura perëndimore, por gjithashtu dhe një aftësi të jashtëzakonshme për shfrytëzimin e rrjeteve paralele kriminale të vendeve të ish-Jugosllavisë (si ato serbe, boshniake, kroate, sllovene), për qëllime trasporti të ngarkesave të paligjshme ose për tregtimin e tyre.Në sektorin e lëndëve narkotike, në veçanti, kjo gjë i ka dhënë mundësi kriminalitetit me origjinë përgjithësisht shqiptare të jetë hallka kryesore e zinxhirit dhe të kryejë rolin ndërmjetësues në rrjetin e lidhjeve kriminale, gjë që lejon futjen dhe tregtimin e lëndëve narkotike (heroinës, kokainës, hashashit) të destinuara për tregun perëndimor, nëpërmjet ndërtimit të një strukture operative të shtrirë jo vetëm në pjesën më të madhe të shteteve europiane, por edhe në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara.
Ky fakt vërtetohet nga prania e konsiderueshme e grupeve kriminale shqiptare të lidhura me grupet që veprojnë në Ballkan dhe në Itali, në vendet europiane si Gjermania, Belgjika, Franca, Hollanda, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Lituania dhe Letonia, por edhe përtej oqeanit, ku duket se përbëjnë një pikë referimit të përzgjedhur për Kartelet e narkotrafikantëve që veprojnë në Brazil dhe Kolumbi. Përfundimi i gjyqit kohët e fundit, në Shtetet e Bashkuara, dhe pikërisht në Nju Jork, ndaj një organizate kriminale shqiptare me emrin "Korporata" - e cila është vendosur aty në fillim të viteve nëntëdhjetë dhe drejtohet nga kosovari Aleks Rudaj - dokumentoi aftësinë e kompanisë për t'u dalluar edhe në metropolin amerikan për menaxhimin e trafiqeve të jashtëligjshme, duke zënë pak nga pak hapësirat vepruese që më përpara i përkisnin eskluzivisht familjeve mafioze italo-amerikane të Lucchese-s dhe të Gambino-s. Po me të njëjtën largëpamësi, kriminaliteti shqiptar dëshmon se është i aftë të integrohet në qarqet kriminale që sillen rrotull organizatave tradicionale mafioze. Grupet kriminale shqiptare, si rregull, përbëhen nga persona që vijnë nga i njëjti qytet, e njëjta lagje dhe, madje, e njëjta bërthamë familjare. Kanë një strukturë përgjithësisht horizontale, brenda së cilës njihet vetëm kryetari. Përdorin sistemin e terrorizimit për të shpërndarë mesazhin e një pushteti të cilit nuk mund t'i shmangesh.
Është vërtetuar se klanet shqiptare kanë gati monopolin tërësor të shfrytëzimit të prostitucionit në Itali dhe madje, në disa raste, ua kalojnë strukturave kriminale rumune kontrollin dhe shoqërimin në rrugë të femrave të kthyera në skllave.

Pietro Grasi: Mafian shqiptare e mbron shteti

. . Veçanërisht alarmues është fenomeni i trajtimit të të miturve, të cilët janë të detyruar të kryejnë një veprimtari të mundimshme lypjeje dhe vjedhjeje ose janë të destinuar për tregun e birësimeve të paligjshme apo për atë të pedo-pornografisë. Kam mbetur tmerrësisht i tronditur kur, gjatë përgjimit të një bisede në kuadrin e një hetimi mbi trajtimin e të miturve me origjinë rome, të shitur apo të dhënë me qira për shfrytëzim nga vetë prindërit tek disa njerëz të pacipë e të pashpirt, dëgjova njërin prej tyre që donte t'ia kthente prindit një fëmijë që sapo kishte mbushur të katërmbëdhjetat, për të marrë në këmbim vëllain e tij më të vogël, që ta shfrytëzonte sa më mirë, pa pasur probleme me drejtësinë, meqenëse më të voglin nuk e kapte ligji.
Kushdo që shfrytëzon një fëmijë fik dritën e jetës. Si mund të ndërtohet e ardhmja e botës mbi shpatullat e brishta dhe mbi fytyrat me lot të fëmijëve të shfrytëzuar, të shitur, të keqtrajtuar?
Nga vëzhgimet e zhvillimeve kriminale, ka rezultuar se organizatat shqiptare fillimisht në Itali kanë pasur fizionominë e "organizatave shërbyese", në kuptimin që, në lidhje me organizatat tradicionale aktive në territorin italian, kanë luajtur rolin e grupeve që merreshin me shpërndarjen e drogës, duke iu shmangur detyrës së rrezikshme të transportimit apo ruajtjes së saj.
Duhet theksuar fakti që organizatat shqiptare gëzojnë mbështetje në ambientet institucionale të vendit të tyre, siç ka dalë në pah nga përmbajtja e disa hetimeve që kanë vërtetuar lidhjet e fshehta të krimit me punonjës të institucioneve shtetërore dhe të forcave të policisë.
Edhe pse është e qartë prania e grupeve - shpesh herë të strukturuar mbi baza familjare - që kanë përvetësuar metodat mafioze të organizimit si: rreptësinë e rregullave të sjelljes, metodat e nënshtrimit dhe ndëshkimit të anëtarëve, fshehtësinë "e brendshme" dhe "të jashtme", vetëm në pak raste gjatë procedurave gjyqësore, është bërë e mundur të ngrihet akuza e krimit për pjesëmarrje në organizata mafioze ndaj të pandehurve, gjë që vërehet rëndom edhe me mafiet e tjera të reja.
Shpejtësia me të cilën u sigurohet mbrojtja pjesëtarëve të organizatës së ndaluar nga policia nga ana e bashkëpjesëtarëve të arratisur (që zakonisht fshihen në Shqipëri), shqetësimi për të garantuar heshtjen e viktimave të krimeve të kryera apo përpjekjet, e ndërmarra në mënyrë të menjëhershme, për të korruptuar apo kushtëzuar gjyqtarët dhe/ose forcat e policisë në rastin kur ndodhen në Shqipëri - rrethana këto të vërtetuara nga përgjimi i bisedave telefonike, të cilat përbëjnë për shtetin të vetmin mjet efikas për t'iu kundërvënë aktivitetit të këtyre organizatave kriminale - e përforcojnë, kështu, tezën se grupet shqiptare që veprojnë në territorin tonë kanë karakteristika mafioze.
Një nga fenomenet kriminale që përbën shqetësimin më të madh social është ai i grabitjeve të shumta nga persona me kombësi shqiptare në banesat private, sidomos në vilat e veçuara të Italisë së Veriut. Ndodh shpesh që autorët e këtyre grabitjeve, gjatë kryerjes së akteve kriminale, nën efektin e dozave të mëdha të kokainës, përdorin dhunë fizike dhe seksuale mbi viktimat. Në shumë hetime është vërtetuar bashkëpunimi midis personave me kombësi shqiptare dhe subjekteve me kombësi rumune apo sllave.
Nga hetimet e fundit është vërejtur se grupet shqiptare furnizojnë klanet pulieze dhe kalabreze me marijuanë, shpesh në këmbim të lejes për të shfrytëzuar seksualisht viktimat femra të tregtisë së paligjshme gjatë rrugës së transportimit nga vendi i origjinës për në Itali, dhe janë në të njëjtën kohë në gjendje të manovrojnë në mënyrë të efektshme në tregun europian të politrafikut (kokainës kolumbiane, heroinës turko-afgane dhe estazis very europiane), duke u marrë drejtpërdrejt me tregtimin e narkotikëve ose duke ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së tyre me pakicë grupet vendore, ato maqedonase apo ato të vendeve të Afrikës Veriore.
Përveç rrjeteve nigeriane të përmendur më parë, modelet kriminale më të rrezikshme që kanë një aftësi të jashtëzakonshme për të menaxhuar drogat e ndryshme duke shfrytëzuar lidhjet me anëtarë të tjerë të organizatës së tyre jashtë vendit ose duke shfrytëzuar pozicionin gjeografik tepër të favorshëm të vendeve të tyre të origjinës, janë padyshim klanet kosovaro-shqiptare. Kosova është shndërruar në një udhëkryq trafiqesh të paligjshme të çfarëdolloj tipi edhe për shkak të paqëndrueshmërisë së vazhdueshme institucionale, e thelluar nga përhapja e korrupsionit që prej kohësh ushqen pasigurinë në këtë zonë. Një nga boshtet kryesore nëpër të cilën qarkullojnë trafiqet e paligjshme të klaneve shqiptare mbetet rruga ballkanike e sipërpërmendur, e cila kalon përmes Turqisë dhe Bullgarisë dhe përdor bazat logjistike nga Shqipëria deri në Mal të Zi, pjesërisht në Maqedoni dhe në krahinën e Kosovës: vendosja e vendit të origjinës në rrugën e opiumit dhe të lëndëve të tjera të prejardhura prej tij, vazhdon t'i japë dorë shqiptarëve që të menaxhojnë veprimtaritë e shumta kriminale.
Kriminaliteti i organizuar i vendeve të ish-Bashkimit Sovietik përbëhet nga një mori grupesh kriminale me origjina të ndryshme dhe jo detyrimisht të lidhura mes tyre. Eshtë më e saktë të flitet për mafiet ruse e jo për mafien ruse, sepse grupet kriminale janë të organizuara sipas kritereve etnike, territoriale, korporative dhe sipas kritereve ekonomiko-financiare. Kështu duhet folur për mafien gjeorgjiane, mafien uzbekiane, mafien ukrahinase, mafien e ish-agjentëve të Kgb-së, mafien e naftës, mafien e gazit etj.
Ajo karakterizohet edhe nga "synime imperialiste", sidomos lidhur me vendet e Europës Lindore (Bullgarinë, Hungarinë, Republikën Çeke dhe Poloninë).
Organizatat kriminale të ish-Bashkimit Sovientik zotërojnë burime të jashtëzakonshme financiare të fituara, sidomos, nga "privatizimet" e kryera pas ndryshimit të skenarëve të politikës së brendshme. Në të vërtetë, grupet kriminale ruse kanë përfituar sasira të mëdha letrash me vlerë të pasurisë kombëtare si dhe të burimeve imobiliare dhe kanë marrë nën kontroll ndërmarrjet dhe bankat.
Sipas burimeve të brendshme të Federatës Ruse, që nga 1991 ka filluar transferimi gjithnjë e në rritje i kapitaleve (të vlerësuara në treqind miliardë dollar), i shoqëruar me një shtim jashtëzakonisht të madh të pranisë së qytetarëve të ish-Bashkimit Sovjetik në vendet perëndimore, sidomos në disa vende evropiane të vogla, si Austria, Svicra, Belgjika dhe me vendosjen, në po këto vende, të shoqërive që kanë si objekt aktivitete tregtare dhe sipërmarrëse nga më të ndryshmet. Sipas po të njëjtave burime, kapitale të jashtëzakonshme të prejardhura nga aktivitete kriminale të kryera në Rusi, janë depozituar në bankat e vendeve të sipërpërmendura.
Grupet kriminale të ish-Bashkimit Sovjetik janë konsoliduar edhe më tej në këto vende, nëpërmjet zgjedhjes së përfaqësuesve të tyre në administratat vendore dhe në Parlament.
Këto grupe janë dhënë pas trafikimit ndërkombëtar të armëve dhe lëndëve strategjike, të përftuara nga procesi i çmilitarizimit të strukturave shtetërore si dhe, kohëve të fundit, me kontrabandën e duhanit dhe të krahut të jashtëligjshëm të punës.
Jo të gjithë e dinë ekzistencën e Republikës Moldave të Transnistrisë, një rrip i hollë toke i Moldavisë, e cila është vetëshpallur e pavarur më 1990, kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë, dhe nuk është njohur kurrë nga bashkësia ndërkombëtare. Jo të gjithë e dinë se kjo krahinë është tërësisht në duart e mafies ruse, e cila organizon prodhimin dhe tregun e zi të të gjitha llojeve të armëve, të zakonshme ose jo, pa marrë në konsideratë pastaj arsenalin e vjetër të Ushtrisë së Kuqe, nga e cila mund të dalin raketa me mbushje kimike apo radioaktive. Presidenti i kësaj krahine, Igor Smirnovi, ish-punonjës i rëndësishëm i Kgb-së, kontrollon të gjitha zhvillimet tregtare dhe fitimet marramendëse që vijnë nga një faturim prej katër miliardë dollarësh, falë një tregu ku furnizohen grupet luftarake, terroriste dhe kriminaliteti i organizuar i të gjithë botës. Të ardhurat nga ky shtet-mafie maskohen dhe investohen sërish në parajsa fiskale ku bashkëpronësia e bandave është e padiskutueshme. Kjo zonë është kthyer në një parajsë off-shore e mafies ndërkombëtare. Ngarkesa të jashtëzakonshme heroine mbërrijnë nga Afganistani dhe menaxhohen nga Brigada e Solncevos, një nga organizatat më të mëdha të mafies ruse. Përse bashkësia ndërkombëtare nuk bën asgjë për ta zgjidhur këtë situatë? Përse burimet e mëdha të informacionit nuk merren me një problem kaq të nxehtë dhe aktual? Mos ndoshta sepse interesat që fshihen pas tregtisë së armëve dhe të drogës janë kaq të mëdha sa për t'i mbajtur gjithnjë të ndezura vatrat e luftrave dhe të terrorizmit?
Në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik ekziston ende një korrupsion tepër i përhapur i funksionarëve (apo ish-funksionarëve) publikë, gjë që çon në praninë e profesioneve të ndryshme në brendësi të kriminalitetit të organizuar (të ushtarakëve, administratorëve, politikanëve dhe specialistëve).
Sidomos në qytezat bregdetare të Adriatikut janë regjistruar disa forma embrionale organizatash që kanë lidhje me shfrytëzimin e emigracionit klandestin dhe të prostitucionit (në lokalet e natës dhe në rrugë). Një shfrytëzim i tillë i vajzave të reja ku mbizotërojnë ato ukrahinase, moldave dhe ruse, të shitura shpesh dhe grupeve kriminale të kombësive të tjera (sidomos atyre shqiptare), bëhet me akte dhune dhe me një kontroll të gjerë të territorit.
Vitin e fundit është vërejtur një rritje e numrit të shtetasve ukrahinas që vendosen në Kampania. Gratë, zakonisht i drejtohen prostitucionit ose punësimit si kujdestare apo punëtore shtëpie, ndërsa burrat nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse fabrikave të tekstilit apo sektorit bujqësor.
Krimet më tipike që kryhen në Itali nga përfaqësues të grupeve kriminale të ish-Bashkimit Sovjetik, janë ato të trafikimit të lëndëve narkotike sintetike si estazi, eva, apo hashashi (vendet e ish-Bashkimit Sovjetik zënë vendin e parë në prodhimin botëror të kësaj lënde) dhe heroina që nxirret nga kultivimi i lulëkuqes së opiumit në territoret e Republikës së Azisë Qendrore (Tazakistanit, Uzbekistanit, Kazakistanit, Kirgizistanit) dhe të atyre transkaukaziane (sidomos Azerbajxhanit). Këto republika të Azisë Qendrore janë gjithashtu dhe vendkalimet kryesore e më pas vendshpërndarjet e heroinës, e cila nga juglindja aziatike shkon në qendrat kryesore të konsumit si në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, të Evropës dhe të SHBA-së.

No comments:

Post a Comment