Total Pageviews

Saturday, November 5, 2011

Borxhi, do të paguajmë 500 milionë dollarë interesa në 2012-në


Nga Emirjon Senja

Barra e borxhit do të jetë më e madhe për Shqipërinë gjatë vitit të ardhshëm. Afati i maturimit të një pjesë të borxhit të marrë gjatë viteve të fundit është pikërisht viti 2012. Rasti më tipik është ai i eurobondit, i cili do të fillojë të shlyhet gjatë vitit të ardhshëm. Për këtë arsye qeveria ka parashikuar më shumë fonde për shlyerjen e interesave të borxhit në buxhet.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria do të paguajë rreth 18 milionë dollarë interesa më shumë gjatë vitit të ardhshëm krahasuar me atë aktual. Referuar tabelave të qeverisë, deri në fund të vitit 2012, vendi parashikohet të paguajë rreth 49.6 miliardë lekë interesa kundrejt 47.8 miliardë lekëve që do të paguhen deri në fund të muajit dhjetor të këtij viti. Një vlerë e konsiderueshme e detyrimit që do të paguhet, përbehet nga borxhi i marrë në tregun vendas. Rreth 40 miliardë lekë interesa, qeveria pritet t’ia paguajë bankave apo individëve këtu dhe 9.6 miliardë lekë bankave të huaja.

Shuma prej 49.6 miliardë lekë është mjaft e madhe krahasuar me buxhetin e vendit. Për të krijuar një ide më të qartë për ndikimin që ajo ka në buxhet, mjafton t’i bëhet një krahasim me fondet që i janë parashikuar disa ministrive për vitin e ardhshëm. Kështu përshembull, shuma e interesave që do të paguajë Shqipëria për vitin tjetër, është më shumë se një herë e gjysmë më e madhe se i gjithë fondi i përcaktuar për Ministrinë e Shëndetësisë për vitin 2012.

Kësaj ministrie i është parashikuar një fond prej rreth 29 miliardë lekë. Me këto para, ministria duhet të përballojë të gjitha shpenzimet e spitaleve, blerjet e ilaçeve, mirëmbajtjen e infrastrukturës, etj. Shuma e interesave që duhet të paguajmë në 2012, gjithashtu është tre herë më e madhe se fondi për Ministrinë e Brendshme, dy herë e gjysmë më i madh se fondi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe shtatë herë më i madh se fondi për Ministrinë e Bujqësisë. Fondin më të madh nga ministritë e ka marrë ajo për Punën dhe Çështjen Sociale duke përfituar rreth 53 miliardë lekë.

Qeveria ka programuar një buxhet më të kujdesshëm për vitin 2012 duke parashikuar një deficit rreth 41 miliardë lekë, i cili është sa 3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pavarësisht, kësaj rritja e kostos së borxhit për vitin 2012 nuk ka lidhje me huat që janë parashikuar të merren gjatë 12 muajve të ardhshëm por me ato që janë marrë në dy vitet e fundit, për të cilat tashmë duhet të fillojmë të paguajmë.

Borxhi u rrit dhe këtë vit

Borxhi shqiptar vijon të rritet nga tre mujori në tre mujor. Të dhënat më të fundit të Ministrisë së Financave raportojnë për një rritje tjetër të Borxhit Publik të vendit gjatë tre mujorit të tretë të këtij viti krahasuar me gjashtëmujorin e parë. Mësohet se stoku i borxhit ka pësuar një rritje me të paktën 540 milionë dollarë vetëm përgjatë muajve korrik-shtator 2011.

Shqipëria e mbylli gjashtë mujorin e parë të këtij viti me një borxh publik prej 715 miliardë lekësh, por në fund të shtatorit kjo shifër arriti në 768.7 miliardë lekë. Aktualisht Borxhi Publik i Shqipërisë përllogaritet në rreth 58 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo ulje, vjen pas shkurtimeve drastike që ndërmori qeveria gjatë gjysmës së dytë të këtij viti në drejtim të investimeve publike.

Në këtë drejtim, ka dyshimie se qeveria është duke manipuluar shifrat e Prodhimit të Brendshëm Bruto duke siguruar mbajtjen fiktivisht nën kontroll treguesit e borxhit publik. Kjo gjë nuk bëhet duke ulur borxhin, por duke rritur shifrat e Prodhimit të Brendshëm Bruto, të cilat më pas sigurojnë që të paktën në shifra, borxhi publik të mbetet poshtë nivelit 60 % e PBB-së.

Qeveria i shkurton fondet Presidentit, ia rrit Kuvendit dhe Prokurorisë

Telenovela me shkurtimin e fondeve për institucionet që nuk janë në një mendje me qeverinë ka vijuar edhe këtë vit. Presidenca do të duhet të mbyllë vitin 2012 me më pak fonde krahasuar me 2011-n. Projektligji që qeveria i ka propozuar Kuvendit, parashikon një fond total prej 158.7 milionë lekë për Presidencën, para me të cilat duhen mbuluar pagat e punonjësve, shpenzimet operative si dhe investimet e parashikuara këtë vit.

Për sa i parkete këtyre të fundit, fondi për këtë qëllim përllogaritet në vetëm 15 milionë lekë. Ndërkaq, Presidenca do të ketë në dispozicion 143.7 milionë lekë për të paguar punonjësit dhe për të mbuluar shpenzimet e tjera, për mirëmbajtje apo materiale të nevojshme për mbarëvajtjen e punës. Gjatë këtij viti, Presidenca kishte një fond rreth 164 milionë lekë ose rreth 5.3 milionë lekë më shumë.

Edhe pse me një buxhet në dietë, qeveria nuk ka ngurruar të rrisë fondet për institucionin e Kuvendit, i cili do të marrë rreth 100 milionë lekë më shumë. Të gjitha këto para kanë kaluar në fondin e investimeve, ndërsa fondi i shpenzimeve korrente është rritur me 2.5 milionë lekë. Fondi për Avokatin e Popullit është shkurtuar me rreth 2 milionë lekë. ILDKP-ja gjithashtu do të ketë rreth 4.5 milionë lekë më pak gjatë vitit të ardhshëm.

Fondi për Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Zyrën e Administrimit të Buxhetit gjyqësor është ruajtur i njëjtë. Nga ana tjetër, qeveria është kujdesur që të rrisë më rreth 20 milionë lekë fondin për Prokurorinë e Përgjithshme. Ky institucion ka shprehur pakënaqësi të vazhdueshme në vitet e shkuara në lidhje me sasinë e fondeve që i ishin parashikuar.

No comments:

Post a Comment