Total Pageviews
Wednesday, October 12, 2011
Vila qeveritare në Vlorë, 516 mln lekë për mobilim
Tedi Blushi
Në kushtet kur vendipo vuan pasojat e krizës ekonomike botërore, ekzekutivi ka vendosur të “zbrasë xhepat” e buxhetit të shtetit për të shtuar luksin e vilave qeveritare. Rreth 516 milion lekë të vjetra është fondi që Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka përcaktuar sëfundmi për realizimin e tenderit me objekt: “Mobilimi i vilës qeveritare Nr.1 në Vlorë”. Shuma e barabartë me vlerën e pensionit minimal në fshat të 6450 të moshuarve (516.000 USD / 80 USD = 6450) do shkojë pra pikërisht për atë që në dokumentat e këtij tenderi cilësohet si “aredimi i objektit të një niveli të lartë elitar”. Tenderi është zhvilluar në datën 8 shtator 2011 por nuk dihet ende firma fituese.
DYSHEKËT E ÇARÇAFËT
Dokumentat e tenderit përcaktojnë se të gjitha mobiljet apo aksesorët që do të blihen për vilën qeveritare Nr.1 në Vlorë duhet të jenë 100 për qind “firmato” dhe “extra-lusso”. Konkretisht dysheku dopio i dhomës së gjumit do të jetë në dimensionet “King Size”. Sa iu përket specifikimeve mësohet se ky dyshek do jetë “me spesor minimalisht 22cm, nga ku deri në 18cm përbërja të jetë me imbottiturë në Elioform apo Latex; shtresa tjetër do jetë Lastra Memosoft (Elioform/Eliosoft 6 cm Memory); Përbërja do jetë me fibra analergjik dhe rregullues temperature; veshja e jashtme me fibra izoluese. Dysheku duhet të jenë anatomik, antidekubitues dhe ergonomic 100%”, citojmë shprehimisht nga dokumentat e tenderit. Mandej bëhet e ditur se “setet e çarçafëve do të jenë të kombinuar në materiale kryesisht saten, cotton dhe percalle. Ndërsa jorganët që do të përdoren të tipit multistinor”. Krevati i dhomës së gjumit do jetë “me tapiceri të veshur në kokën e krevatit ‘Tessuto Alcantara’ dhe kryesisht ‘Lëkurë Ekologjike’ në kushte dhe nivele cilësore. Sustat e krevatit do jenë me kornizë metalike dhe me ristela druri”, thuhet në këto dokumenta. Ku sqarohet gjithashtu se “tapetet do të jenë përzgjedhje prodhimi Afgan dhe Iranian, të punuara në materiale mëndafshi 100% dhe leshi 100%, tapete me punime dore, të natyrës klasike”. Lidhur me cilësinë e perdeve ato “do jenë të tipit Roman me mekanizëm, me metrazh 100% Pambuk”.
MOBILJET
Mobiljet dhe garderoba e vilës qeveritare Nr.1 “do jenë të punuara me material të kombinuar druri masiv dhe mdf, me ndërhyrje dru tamburato grexo. Disa prej tyre kryesisht Kredenca Dekorative, në holle pritje apo saleta, në kapakët e tyre do kenë ndërhyrje me lëkurë ekologjike të tipit ‘Croco-extra/lusso’, duke i veshur nga jashtë kapaket dhe sirtaret e dukshëm në faqen kryesore”, citojmë nga dokumentat. Lidhur me kolltukët thuhet se “materialet e veshjes së jashtme, të këtyre objekteve do realizohen tapiceri ‘Kadife Veluto’, të lashme lehtësisht, me përbërje 100% viscosa, të kategorisë më të lartë; si dhe ‘Tessuto Alcantara’, në përzgjedhjen e tyre origjinale, fryt i një teknologjie unike dhe të re, pa tentativa imitacioni. Gjithashtu dhe kolltukët e tipit ‘Cester’, për shkak të punimit të tyre tepër specifik do të trajtohen me ‘Tessuto Alcantara’; të alternuar në jastikë me ‘Kadife veluto’”. Edhe karriget do të kenë në përbërje këto materiale por saktësohet shprehimisht se “do jenë (leather 100%), lëkurë ekologjike”. Një detaj i rëndësishëm është që edhe “shezllonët në shërbim të pishinës të jenë produkte të rehatshme”. Specifikimet teknike të këtij tenderi, si për ironi të faktit mbyllen me pasqyrat dekorative, për të cilat thuhet se “nuk do të jenë pasqyra të thjeshta por fluide me filtër. Do jenë me korniza neoklasike të dekoruara druri me lyerje argendato në korridore dhe hyrje dhe në disa te tjera bashkelidhur kredencave në të gjitha ambientet e hollit dhe sallave të trapezarive do të realizohen me veshje lëkurë ‘croco’, apo ‘tessuto alcantara’; e kombinuar kjo me veshjet e kolltukeve apo poltronave”. Për rikonstruksionin e vilës qeveritare Nr.1 në Vlorë ekzekutivi shpenzoi rreth dy vjet më parë dhe 108 milionë lekë të vjetra.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment