Total Pageviews
Wednesday, October 12, 2011
Skandali i AKKP, pronat, rëra e detit kthehet si tokë buke
Toka e bukës kthehet si pronë në rërë dhe në det. Skandali ka ndodhur në Gosë të Kavajës, ku familjes Jenisheri i është dhënë tokë publike pranë bregdetit të Spillesë, në vend të parcelave bujqësore ekzistuese që kishte pasur në pronësi, në një fshat tjetër. Denoncimi është bërë nga katër funksionarë të kësaj komune, të cilët kanë alarmuar instancat më të larta të shtetit për zhvendosje të tokës gjatë procesit të kthimit dhe njëkohësisht përvetësim të pronës publike. Që të dyja, të ndaluara me ligj.
NGJARJA E DENONCUAR
Prej gati 1 viti, që më 24 nëntor 2010, me anë të një shkrese zyrtare, Agron Dema, kryetari i Këshillit të Komunës, Idriz Thaçi, kryeplaku i fshatit Vilë Ballaj, Qerem Deliu, sekretari i Këshillit të Komunës, dhe Myzafer Xhelili, agronomi i komunës, kanë vënë në dijeni për këtë zhvendosje kabinetin e Kryeministrit dhe ministrin e Drejtësisë së asaj kohe, Bujar Nishani. Po ashtu, kjo shkresë i ka shkuar edhe Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë, Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë dhe Avokaturës së Shtetit, por duket se gjithçka ka mbetur “sa për dijeni”. Siç bëhet e ditur në këtë shkresë, “Komuna Gosë është informuar nga zyra e Regjistrimit të Pasurisë Kavajë, se me vendim numër 276, datë 10.09.2008 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë, i është kthyer subjektit të shpronësuar, familjes Jenisheri, një sipërfaqe toke prej 47 dynymësh, në fshatin Vilë-Bashtovë, me vendndodhje në brezin ranor deri në kufi me ujin. Në ligjin 9235, dt. 29.07.2004, në nenin 7 të tij, thuhet se pronarëve nuk u kthehet toka publike, aq më tepër që ky subjekt nuk ka pronë të regjistruar në fshatin Vilë-Ballaj”.
KU SHKELET LIGJI
Mangësitë ligjore të vendimit të mësipërm konstatojnë në katër pika kryesore, të cilat në shkresën drejtuar institucioneve shtetërore, janë renditur kështu: 1. Referuar dokumenteve të pronësisë së vjetër para vitit 1946, konkretisht Vërtetimit nr.70, protokolluar datë 01.06.2007 të Këshillit të Qarkut Tiranë, rezulton se prona e vjetër është tokë buke dhe jo rërë deti. 2. Referuar dokumentit të pronësisë së vjetër, lëshuar nga vetë Zyra e Regjistrimit të Pasurisë Kavajë, rezulton se prona e pretenduar është me vendndodhje në fshatin Rreth- Greth, të komunës Kryevidh dhe jo në fshatin Vilë-Bashtovë. Pronari e ka të regjistruar si tokë buke dhe jo rërë deti. 3.Kufizimet e pronës së vjetër, referuar dokumenteve që janë paraqitur, nuk përputhen me pronën e kthyer nga Komisioni, sipas plan rilevimit. 4. Harta me të cilën është pasqyruar prona e kthyer, është ajo e vitit para 1991, e jo sipas hartës së Zyrës së Regjistrimit të Pasurisë. Vendimi numër 276, datë 10.09.2008 i Komisionit të Kthimit të Pronave për familjen Janisheri, referuar planvendosjes së saj, për pjesën që është kthyer, ndodhet e gjitha në brezin ranor, aq më tepër deri në ujin e detit. Madje, deri në 300 metra larg vijës bregdetare, e gjithë sipërfaqja e tokës ka qenë tokë e shtetit. Vendimi i mësipërm i Komisionit të Kthimit të Pronave numër 276, datë 10.09.2008 në favor të familjes Janisheri është abuziv, në dëm të pasurisë së shtetit dhe që u shkon për shtat disa personave që abuzojnë në emër të ligjit. Prona e kthyer subjektit të familjes Janisheri është pasuri publike që i shërben të gjithë komunitetit të kësaj zone dhe më gjerë. “Këshilli i Qarkut Tiranë, zyrat e SAMT, nuk janë prononcuar fare për këtë pronë. Madje, as Komuna e Kryevidhit që e ka këtë tokë në administrim, pasi prona duhet të paraqitej në fshatin Rreth-Greth e jo në fshatin Vilë-Bashtovë”, denoncojnë katër funksionarët e komunës Gosë, ndërsa theksojnë se vendimi i mësipërm i Komisionit të Kthimit të Pronave nuk është në përputhje me ligjin numër 9235, datë 29.07.2004. Sipas katër funksionarëve, është e paimagjinueshme që rëra e detit mund të ketë pronar privat, duke kërkuar që vendimi i Komisionit të Kthimit të Pronave me numër 276, datë 10.09, 2008, për subjektin e shpronësuar familja Naime Janisheri, të mos regjistrohet derisa të verifikohet nga organet kompetente.
TË SHPREHET KRYETARI I KOMUNËS
Familjes Jenisheri i është kthyer dhe rëra e detit në fshatin Spille, madje me dy vendime, por kryetari i komunës Gosë nuk është shprehur për asnjërin. “S’kuptojmë pse nuk është shprehur kryekomunari i Gosës për një pronë, që nuk është fare në juridiksionin e tij, pasi duket qartë zhvendosja që i është bërë pronës nga fshati Greth në fshatin Vilë-Bashtovë. S’kuptojmë as pse regjistruesi i Zyrës së Regjistrimit ka dhënë konfirmime për një pronë që nuk përputhet fare me terrenin dhe kur prona e kthyer është rërë deti…”, thuhet në shkresën zyrtare të 4 komunarëve.
Burimi:
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment