Total Pageviews

Thursday, October 13, 2011

"Shitet shteti", lista me 1.500 objekte


Dërguar më: 13/10/2011 - 14:17

Genc Kondi

Qeveria po përgatitet për shitjen e objekteve të mbetura në pronësi të shtetit, sikurse ka premtuar që në fillim të këtij viti. Në listën me rreth 1.500 objekte përfshihet gjithshka: që nga kolibet e qenve të kufirit - ku tanimë prej dekadash nuk banon kurrkush - tualetet dhe lavanderitë e reparteve ushtarake, por edhe objekte shumë më serioze, që mund të ngjallin interes të veçantë. Ndër këto të fundit, mund të veçohet aerodromi i Vlorës, apo fabrika e çimentos e këtij qyteti, si dhe termocentrali i qytetit të Korçës, objekte, të cilat nuk po përdoren më. Në listë figurojnë një numër i madh objektesh me karakter ushtarak apo të mbrojtjes së kufirit, që të sjellin ndërmend periudhën e "luftës së ftohtë", por që, ndërkohë, kanë fituar një vlerë të re civile, si për shembull pika vrojtimi në majë të Karaburunit apo ndërtesa komandash ushtarake të artilerisë bregdetare nga Jugu në veri të vendit, që mund të ktheheshin në objekte turistike, ashtu si edhe poligone artilerie në malet e Kukësit apo të Bizës. Në listë spikatin edhe objekte të shumta të Uzinës 12 (Nikel-Kobalti) në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, apo të Superfosfatit të Laçit, hotele në Kukës, çerdhe, farmaci, librari, madje edhe tunele, që i ofrohen, kundrejt pagesës, personave të interesuar.
Shumë pak objekte të listuara janë dërguar për shitje, ndërkohë që për të gjitha ato është marrë vendimi që të privatizohen. Por, për çdo rast do të jenë të detyrueshme procedurat e TE MIRATUARA. Kërkesa për privatizimin e një aseti shtetëror mund të drejtohet në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, apo në institucionin përkatës, që ka në admnistrim/pronësi objektin që kërkon të privatizosh. Kërkesa duhet të përmbajë emërtimin e saktë të institucionit, të cilit i drejtohet ajo; identitetin e personit që kërkon privatizimin; emërtimin e saktë të objektit që kërkon ta privatizojë; vendndodhjen e objektit; të dhëna të tjera në lidhje me këtë objekt (në se ka, p.sh. strukturën administrative të tij, gjendjen aktuale të objektit, etj); adresën e saktë të personit që drejton kërkesën dhe çdo dokument apo të dhënë tjetër të vlerësuar nga kërkuesi. Në se kërkuesi është pronar trualli, kërkesa duhet të shoqërohet edhe me vendimin përkatës të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, nëpërmjet të cilit personit apo trashëgimtarëve iu lind e drejta e parablerjes, sëbashku me planvendosjen e objektit.
Në se kërkesa bëhet në institucionin admnistrues të asetit, ky i fundit dërgon në METE prononcimin pozitiv për privatizimin e objektit, së bashku me kërkesën përkatëse, ose i përgjigjet të interesuarit në lidhje me arsyet e mosmiratimit. Në se kërkesa bëhet në ministri, kjo e fundit i kërkon strukturës administrative të objektit prononcimin për privatizimin e tij. Në se institucioni administrues përgjigjet, ministri urdhëron fillimin e procedurës për vlerësimin e objektit me qëllim privatizimin. Në të kundërt, METE njofton kërkuesin për mospërfshirjen në privatizim të objektit të kërkuar.

No comments:

Post a Comment