Total Pageviews

Saturday, October 15, 2011

Berisha kërcënon Tahirin: Ta bëj fytyrën më të zezë se këpuca


Denis Dedej

Dështimi për herë të dytë për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE ka tensionuar sërish sallën e parlamentit shqiptar duke rikthyer sharjet dhe kërcënimet. Kryeministri Berisha i është drejtuar deputetit socialist, Sajmir Tahiri duke e kërcënuar: “Ta bëj fytyrën më të zezë se këpuca që nga fëmijëria jote deri më sot” dhe më pas ka vazhduar duke i përmendur familjen dhe fëmijërinë.

Kërcënimi për të zgjedhurin socialist ka ndodhur në kohën kur kreu i ekzekutivit po mbante fjalimin e tij dhe po fliste për detyrimet e qeverisë dhe angazhimin për të ecur përpara përmes reformave dhe me rritjen e ekonomisë së vendit. “Do të bëj gjithçka..”,- ishte fjala që përsëriti dy herë kryeministri dhe në këtë moment ka ndërhyrë Tahiri nga vendi duke plotësuar fjalinë me shprehjen: Për familjen e tij. Ky ngacmim mori shkas nga lapsusi i kryeministrit Berisha të bërë përpara banorëve të Rrajcës në Librazhd, nga ku tha se “Shqipëria vend i zhvilluar behët kur secili prej jush, kur çdo shqiptar të mendojë se si të krijojë më shumë të ardhura për familjen time”.

Por Berisha e ka pritur shumë keq këtë batutë të Tahirit dhe i është drejtuar: “Ti që flet nga vendi mund të ta bëj fytyrën më të zezë se këpucët nga fëmijëria deri më sot, nga fëmijëria jote deri më sot. Ti e di mirë që unë të njoh mirë ty, ti e di mirë se ku je rrit dhe si je rrit, dhe cila është pasaporta jote. Këto i di ti. Në mos, shko pyet pak”. Tahiri duke folur sërish nga vendi replikoi vetëm duke thënë “Hajde provoje”.

Për këto akuza gazeta “Shekulli” kontaktoi deputetin socialist për Qarkun e Tiranës, i cili ka mohuar që të ketë njohje qysh në fëmijë me kreun e ekzekutivit. “Unë nuk e njoh Berishën nga fëmijëria, vetëm nëse ai ka qenë doktor kur unë kam lindur. Nuk kam gjë tjetër për të thënë. Thjesht më vjen turp për këtë që na ka rënë për hise ta kemi kryeministër”,- tha Sajmir Tahiri pas seancës.

Në momentin që Berisha po debatonte ashpër me Tahirin, ka ndërhyrë nga vendi dhe deputeti socialist, Pirro Lutaj, i cili e akuzoi kryeministrin se e ka kthyer Shqipërinë në skrap. Mbi këtë çështje, pas seancës së parlamentit, deputeti tjetër socialist, Pirro Lutaj, vlerësoi sjelljen e kryeministrit si të papërgjegjshme. “Kryeministri iu drejtua një kolegut tim, ndoshta edhe mua, se do të na e bënte fytyrën e zezë si këpuca. Në fakt ky kryeministër i papërgjegjshëm mund t’ia nxijë fytyrën gjithkujt, por të paktën sot, ai nuk mund t’ia nxijë fytyrën askujt e t’ia bëjë më të zezë se fytyrën e tij. Ai është përgjegjësi kryesor që për herë të dytë i la shqiptarët larg dyerve të Europës”, – reagoi dje në Kuvend gjatë diskutimit të lirë, deputeti i PS-së për Qarkun e Fierit.

Sali Berisha: Opozita e miliarderëve voton kundra

Në këtë sallë, si në asnjë vend tjetër në Euopë e në botë, e vetëshpallura opozita e miliarderëve voton kundër rritjes së rrogave, kundër rritjes së pensioneve, kundër uljes së taksave, kundër rritjes së ndihmës ekonomike. Shqiptarë, këta zotërinj nuk kanë bllokuar vetëm ligjet me 3/5, por kanë votuar kundër të gjitha ligjeve të votuara në këtë sallë dhe e kanë bërë këtë, vetëm e vetëm se e keqja juaj është e mira e tyre, vetëm e vetëm se këta duan të fërkojnë duart me papunësinë tuaj, me varfërinë tuaj, me rrogat tuaja të ulëta, me pensionet tuaja të ulëta, me izolimin tuaj. Kryetari juaj, pasi humbet me 141 mijë vota, ju thotë: bëmë gabim e do të votojmë gjithçka për integrimin dhe ju thoni: ‘Eureka’, ‘Rroftë kryetari’ se do të votojmë. Por pastaj, ai ju thotë prisni, do të votoni, por do një letër për Ina Ramën, do të votoni, por do të lajë hesapet me një pjesë tuajën këtu, me ëikileaks dhe ju sërish nuk votoni. Po, Ëikileaks-in e ka me ju dhe veten e tij e për këtë lexoni kabllin e tmerrshëm. Jeni ulur prej tre muajsh këtu dhe talleni me veten tuaj dhe jo me shqiptarët, sepse shqiptarët e kanë kuptuar që ju nuk votoni. Ju nuk mund t’i mashtroni shqiptarët. I mashtruat dy vjet dhe ju dhanë atë meritonit, ju dhanë disfatën më të thellë që mund të ketë marrë një opozitë, në historinë e zgjedhjeve, i dhanë disfatën personale kryetarit tuaj me 10 907 vota më pak në Tiranë. Nuk ra ai, por ratë ju. Përveç njërin që e ka bërë hero, ju të tjerët as në lista nuk hyni më. Por ju vazhdoni!

Unë dua t’ju them juve, por edhe të gjithë bashkëbiseduesve të mi se mbetemi të vendosur e të hapur plotësisht për një bashkëpunim konstruktiv, mbi bazën e parimeve të shpallura. Por jam i bindur se ju nuk mundeni, sepse nuk ju lë zotëria e tij, i cili, në psikologjinë e etërve, nuk ka asnjë interes tjetër përveç ideologjisë atërore. Në mënyrë të përsëritur kam deklaruar se bllokmenizmi është ulur këmbëkryq në këtë anë. Unë nuk kam asgjë, me asnjë nga fëmijët, por kur fëmijët manifestojnë nga mëngjesi deri në darkë, vetëm trashëgiminë e etërve, vetëm se, ndërkohë që etërit tuaj bërtisnin ‘Poshtë imperializmi amerikan’, ‘Poshtë Europa’, sot, kryetari juaj nuk bërtet këtë, por i thotë gjithë botës ‘jo’ dhe ju e dini vetë se cili është fjalori i tij ndaj miqve e aleatëve të Shqipërisë dhe më pas bën letra nga më të pështirosurat që mund të ekzistojnë.

Gramoz Ruçi: Kyeministri të japë dorëheqjen

Është për të ardhur keq që si ministrja e Integrimit nuk flet si një ministre e vërtetë, që minimumi kishte vetëm një fjali, atë të dorëheqjes. U pasua nga një fjalim i kryeministrit, që sipas tij, përfaqëson qeverinë e integrimit, por që për herë të dytë bëhet e ç’integrimit, i cili edhe ai duhet ta pasonte, në qoftë se kishte një përgjegjësi sadopak morale, politike, institucionale dhe kombëtare, me dorëheqje për paaftësinë e tij dhe përgjegjësinë e tij që ka ndaj integrimit të vendit.

E pra zotëri të nderuar të maxhorancës, z. kryeministër në ikje, zonja ministre që llomotit këtu, jo si ministre e Integrimit. Këto janë pikat që ju duhet të jepni llogari e mbi të gjitha duhet të jepni llogari për dy gjëra themelore. E para që keni humbur, keni dëmtuar dhe shkatërruar në sytë e opinionit ndërkombëtar kredibilitetin e vendit. Këtë s’do tua falin kurrë shqiptarët. Do ti duhet shumë kohë Shqipërisë dhe shqiptarëve që pikërisht këtë perceptim të gabuar, këtë humbje të kredibilitetit të vendit, do ti duhet kohë për ta riparuar. Së dyti keni humbur jashtëzakonisht shumë interesat ekonomike dhe financiare të shqiptarëve. Mos harroni se si rezultat i këtij refuzimi, ka një faturë dhe fatura është financiare. Ka një faturë se për tre komponentët në qoftë se ne do të merrnim këtë status, siç është komponenti i zhvillimi rajonal zonja ministre, mësoje ti që se di.

Një vend fqinj siç është Maqedonia, që e fitoi para një viti këtë status ka fituar, pikërisht për këta 3 komponentë, fiks 64 milion euro dhe e planifikuar në këtë vit zonja ministre, fiks 74 milion euro. Ja këtë duhet të dish t’i zonja ministre. Prandaj unë këtu performancën e kryeministrit dhe ato që deklaroji ja thashë radhën e parë dhe ja përsëris. Shqiptarët, z. kryeministër të kërkojnë llogari për varfërinë.

Sot minimumi veçanërisht ata që janë në pushtet duhet të mbanin kokën ulur, duhet t’i kërkonin falje shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve. Pa le që se kanë moralin dhe përgjegjësinë institucionale të jepnin dorëheqjen. Ne zonja kryetare institucionalisht sot po kërkojmë që parlamenti shqiptar në një seancë të posaçme duhet të ndalet me të gjithë përgjegjësinë, me një mocion me debat, pikërisht për progres raportin. E dyta do të thosha që shpesh na etiketoi kryeministri se kryetari apo ne jemi shqiptarë e më keq se kaq askush si ka bërë këtij vendi. Z. kryeministër shqiptar je dhe ti, por këtë që i ke bërë këtij vendi dhe këtij populli do ta kishte zili ta bënte çdo pushtues i tij. Për këtë ti duhet të japësh llogari, për këtë ti duhet të japësh dorëheqjen.

No comments:

Post a Comment