Total Pageviews
Wednesday, October 19, 2011
Arrestimi i deputetëve, BE: Si të hiqet imuniteti. Duhen ndryshime në Kushtetutë
BE e KiE: Kufizimi i imunitetit, të ndryshojë Kushtetuta
“Imunitetet garantohen nga Kushtetuta, nuk mund të ndryshohen nga Rregullorja”
Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës i japin fund debatit për mënyrën se si duhet të kufizohet imuniteti i zyrtarëve të lartë në Shqipëri. Sipas tyre, e vetmja rrugë për këtë çështje është ndryshimi i Kushtetutës, duke rrëzuar kështu kufizimin përmes deklarimit individual. “Projekti kundër korrupsionit në Shqipëri” (PACA) dhe projekti “Konsolidimi i sistemit shqiptar të Drejtësisë” (EURALIUS), do të organizojnë sot në hotel “Sheraton” një konferencë me temë “Reformimi i sistemit të imuniteteve në Shqipëri: rruga përpara”, ku do të trajtohet çështja e heqjes së imunitetit të zyrtarëve të lartë të vendit dhe gjyqtarëve. Gati tetë muaj pasi Partia Demokratike miratoi heqjen e imunitetit me anë të një deklarate individuale dhe në kohën kur PS-ja kërkonte që për këtë rast të preket Kushtetuta, komuniteti ndërkombëtar bën propozimet konkrete në pritje të konsensusit mes dy forcave kryesore politike. Në të njëjtën kohë, BE dhe KiE shprehin vlerësimin e tyre edhe për opinionin e dhënë nga Komisioni i Venecias, sipas të cilit, heqja e imunitetit mund të bëhet me anë të një projektvendimi të miratuar me shumicë të cilësuar.
Ndryshimi i Kushtetutës
PACA i referohet një drafti të përgatitur nga PD e PS në vitin 2008, por që nuk u kalua në Parlament. “Përfundimi kryesor i ekspertëve është se imuniteti i zyrtarëve të zgjedhur (deputetëve dhe anëtarëve të qeverisë) mund të kufizohet në mënyrë të kënaqshme vetëm nëpërmjet ndryshimeve në Kushtetutën e Shqipërisë. Ekspertët e PACA janë të mendimit se ndryshimet kushtetuese të propozuara janë pikënisje e vlefshme dhe përbëjnë një hap të madh përpara drejt ngushtimit të masës së dëshiruar të kufijve të imuniteteve, si për zyrtarët e zgjedhur, ashtu dhe për zyrtarët e tjerë”, thuhet në dokumentin teknik të shpërndarë dje deputetëve të Kuvendit. Sa i takon nismës së PD për heqjen e imunitetit, përmes një deklarate individuale, theksohet se “pozicioni i ekspertëve të PACA-s, që duket se pasqyron edhe një konsensus ndërmjet komunitetit politik dhe gjyqësor shqiptar, është se kjo zgjidhje, në fakt, nuk ngushton fushën e zbatimit të imunitetit. Rregullorja e Kuvendit përmban rregullat e brendshme të Legjislativit. Imunitetet garantohen nga Kushtetuta, që është ligji më i lartë dhe nuk mund të ndryshohen nga Rregullorja”. Sipas ekspertëve të KiE, “të paktën është e diskutueshme nëse deputetët mund të heqin dorë individualisht nga imuniteti. Imunitetet nuk janë dhe nuk duhet të jenë privilegj (vetëm) personal, por edhe privilegj i Kuvendit si institucion dhe, kësisoj, prej tyre nuk mund të hiqet dorë thjesht me dëshirën e deputetit në fjalë. Për shembull, e drejta kushtetuese gjermane reflekton një konsensus, sipas të cilit, deputetët nuk mund të heqin dorë nga imuniteti i tyre individualisht, gjë që është mbrojtur edhe nga Gjykata Kushtetuese”.
Imuniteti sipas Venecias
Dokumenti teknik merr në shqyrtim edhe heqjen e imunitetit sipas rekomandimit të Komisionit të Venecias, që projektvendimi të miratohej me shumicë të cilësuar. “Edhe nëse kushtetutshmëria e kufizimit të imunitetit nëpërmjet një deklarate me shkrim nga deputetët nuk do të ishte e dyshimtë, prapë se prapë kjo zgjidhje do të ishte kufizuar për këto arsye: ajo do të kishte të bënte vetëm me imunitetin e deputetëve, dhe jo të gjyqtarëve, ministrave, kreut të KLSH-së dhe Avokatit të Popullit; ajo do të hiqte mbrojtjen vetëm për një kategori të caktuar veprash”, thuhet në dokumentin e PACA. Në të njëjtën kohë vihet theksi te fakti se për të miratuar atë projektvendim duhen 84 vota, ndërsa për të ndryshuar Kushtetutën duhen 93 vota. “Komisioni i Venecias nënvizon se për të miratuar këtë projektvendim, do të kërkohej një shumicë prej 3/5 (60%). Kjo është pothuajse e njëjtë me shumicën e nevojshme për të ndryshuar Kushtetutën (66%). Duket e palogjikshme të zbatohet një zgjidhje e pjesshme dhe po kështu e diskutueshme (madje edhe sipas Opinionit), ndërkohë që është e mundshme një zgjidhje optimale me një shumicë vetëm pak më të madhe”.
Ndjekja penale e zyrtarëve të lartë
“Vetëm një ndryshim kushtetues ose një vendim i Gjykatës Kushtetuese mund të qartësojë kuptimin termit/ nocionit kushtetues ‘ndjekje penale’ në mënyrë detyruese. Ndryshimin në një ligj që është më poshtë Kushtetutës nuk mund ta modifikojë një nocion kushtetues në mënyrë detyruese. Me qëllim që hetimet paraprake të ndahen nga sfera kushtetuese e ‘ndjekjes penale’, do të nevojitej një ndryshim në Kushtetutë ose një interpretim i nocionit të ‘ndjekjes penale’ nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në dokument.
Imuniteti, vetëm për arrestimin
Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës rekomandojnë gjithashtu që zyrtarët e lartë të shtetit duhet të kenë imunitet vetëm në rastet e arrestimit apo të kontrollit të banesës. “Në rast se Kushtetuta ndryshohet në harmoni me propozimet e bëra në vitin 2008, e vetmja formë pacenueshmërie që mbetet do të jetë imuniteti nga arrestimi dhe kontrolli (që kërkohet nga Kuvendi), jo nga ndjekja penale në përgjithësi, siç është sot. Procedura parlamentare do të jetë e nevojshme vetëm për një gamë të ngushtë rrethanash”, thuhet në propozimet e bëra.
Rregullorja
“Rregullorja e Kuvendit përmban rregullat e brendshme të Kuvendit. Duke supozuar se ndryshimet e rekomanduara kushtetuese do të kalohen, Rregullorja mund të rregullonte imunitetin nëpërmjet një paragrafi të vetëm, për të siguruar që kryetari i Kuvendit të njoftojë menjëherë të gjithë kryetarët e grupeve politike parlamentare, me qëllim që ata të mund të iniciojnë marrjen e një vendimi nga Kuvendi (ose një organ i caktuar prej tij), sipas rregullave të përgjithshme, në qoftë se kërkimi i imunitetit për një deputet vlerësohet si i nevojshëm”, thuhet në dokumentin teknik.
Kodi Penal
Në nenin 128 duhet të bëhen këto ndryshime: 1) në qoftë se imuniteti kërkohet nga një organ i parashikuar në Kushtetutë, personi për të cilin kërkohet zbatimi i imunitetit nuk mund të arrestohet ose privohet nga liria personale në asnjë formë, ose ti nënshtrohet kontrollit individual ose të shtëpisë së tij. 2) Kur ka nisur një procedim kundër disa personave dhe kërkohet zbatimi i imunitetit për disa prej tyre, procedimi mund të vazhdojë vetëm kundër të pandehurve për të cilët nuk është kërkuar imunitet.
Ndryshimi i Kushtetutës për deputetët
Neni 73 ishte
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe për votat e dhëna prej tij. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
2. Deputeti nuk mund të ndiqet penalisht pa autorizimin e Kuvendit. Autorizimi kërkohet edhe në rastin kur ai do të arrestohet.
3. Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këto raste, prokurori i Përgjithshëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili, kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës.
4. Për rastet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi vendos me votim të fshehtë.
Neni 73 bëhet
1. Deputeti nuk mban përgjegjësi penale, civile ose ndonjë lloj përgjegjësie për mendimet e shprehura dhe votat e hedhura në Kuvend në ushtrimin e detyrave dhe të drejtave të tij si deputet. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastin e shpifjes.
2. Deputeti nuk mund të arrestohet ose të privohet nga liria personale e tij në ndonjë formë, dhe ai nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit vetjak ose të shtëpisë së tij/saj në qoftë se dhe për sa kohë Kuvendi (ose një organ i caktuar i tij) kërkon zbatimin e imunitetit të deputetit ndaj këtyre masave. Kuvendi mund të kërkojë zbatimin e imunitetit vetëm me arsyen se po cenohet ndjeshëm funksionimi i Kuvendit. Kuvendi duhet të njoftohet menjëherë sapo që nis të ekzekutohet ndonjëra nga masat e mësipërme.
3. Për çështjet e parashikuara në paragrafin 2, Kuvendi mund të diskutojë në seancë të mbyllur për arsye të mbrojtjes së të dhënave, por vendimi merret me votim të hapur.
Nenet që shfuqizohen
Neni 63, paragrafi 3
Avokati i Popullit gëzon imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.
Neni 103, paragrafi 3
Anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit.
Neni 165 paragrafi 2
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka imunitetin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë.
- Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit të tij në Revistën Zyrtare dhe prek të gjitha hetimet dhe procedurat e nisura.
Amendamentet e KiE dhe BE për shtatë nene të Kushtetutës
Arrestimet, imuniteti të hiqet me votim të hapur”
Prekja e Kushtetutës në shtatë nene është rekomandimi i Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës për kufizimin e imunitetit të deputetëve, ministrave, krerëve të disa institucioneve të pavarura dhe gjyqtarëve. Gazeta publikon sot të gjitha amendamentet e ligjit themeltar të propozuara për Parlamentin.
Votimi
“Projekti kundër korrupsionit në Shqipëri” (PACA) propozon që heqja e imunitetit për deputetët duhet të jetë i hapur, ndryshe nga sa bëhet aktualisht me votim të mbyllur. “Për çështjet e parashikuara në paragrafin 2, Kuvendi mund të diskutojë në seancë të mbyllur për arsye të mbrojtjes së të dhënave, por vendimi merret me votim të hapur”, thuhet në pikën 3 të nenit 73 të Kushtetutës së amenduar. Në variantin aktual kjo pikë është: “Për rastet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi vendos me votim të fshehtë”. Në shpjegimin për këtë propozim thuhet se “ekspertët kanë bindjen e fortë se votat për heqjen e imunitetit duhet të jenë të hapura, për të siguruar llogaridhënie të qartë për vendimet për të hequr imunitetin, ose për të mos pranuar heqjen e imunitetit. Megjithatë, për arsye të mbrojtjes së të dhënave mund të jetë e përligjur që seanca dhe diskutimet e Kuvendit të mos jenë të hapura”.
Imuniteti
Deputetët nuk do të mbajnë përgjegjësi penale apo civile për mendimet e shprehura apo për votën e dhënë për një projektligj apo për një projektvendim. Edhe në variantin e ri të këtij neni është ruajtur fjalia, sipas së cilës, deputetët mbajnë përgjegjësi në rastin e shpifjes. Në të njëjtën kohë, ekspertët, në propozimin e tyre i kanë dhënë më shumë kompetencë Parlamentit në rastet kur vërehet se heqja e imunitetit është e motivuar politikisht. “Deputeti nuk mund të arrestohet ose të privohet nga liria personale e tij në ndonjë formë dhe ai nuk mund t’i nënshtrohet kontrollit vetjak ose të shtëpisë së tij/ saj në qoftë se dhe për sa kohë Kuvendi (ose një organ i caktuar i tij) kërkon zbatimin e imunitetit të deputetit ndaj këtyre masave. Kuvendi mund të kërkojë zbatimin e imunitetit vetëm me arsyen se po cenohet ndjeshëm funksionimi i Kuvendit. Kuvendi duhet të njoftohet menjëherë sapo nis të ekzekutohet ndonjëra nga masat e mësipërme”, thuhet në pikën 2 të nenit 73 të rekomanduar nga KiE. Drafti i ri parashikon gjithashtu heqjen e imunitetit për Avokatin e Popullit, ministrat dhe kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në të njëjtën kohë, ekspertët kanë rregulluar edhe nenet 126 dhe 137 të Kushtetutës sa u takon gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë. “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme pa autorizimin e vetë gjykatës, përveçse nëse kapet gjatë kryerjes ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këtë rast, prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Gjykatën Kushtetuese, që mund të vendosë për heqjen e masës”, thuhet në paragrafin e dytë të nenit 126.
Ndryshimi i Kushtetutës për gjyqtarët
Rekomandimet
1. Imuniteti i përgjithshëm duhet hequr. Gjyqtarët duhet të përgjigjen përpara ligjit për shkeljet e kryera jashtë funksionit të tyre gjyqësor.
2. Gjyqtarët duhet të mbrohen vetëm ndaj padive civile dhe kërkesave penale bazuar në opinionet e shprehura ose votat e dhëna gjatë ushtrimit të funksioneve.
3. Prokurori kompetent duhet të jetë në gjendje të bëjë hetimin për krime të mundshme të kryera nga gjyqtarët pa nevojën e autorizimit paraprak nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë.
4. Nëse tregohet qëllimi ose keqdashja në një vendim gjyqësor, gjyqtari mund të ndiqet penalisht dhe të jetë gjithashtu civilisht përgjegjës për rezultatin e këtyre veprimeve.
5. Gjyqtarët nuk duhet të arrestohen apo të kufizohet liria e lëvizjes në çfarëdo forme, pa autorizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përveç rastit kur kapen në flagrancë gjatë kryerjes së një krimi të rëndë.
6. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të përfitojnë nga imuniteti i përgjithshëm, por nga një regjim procedural i ngjashëm me atë që u jepet deputetëve.
7. Ligji organik për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ligji organik për organizimin e pushtetit gjyqësor në Shqipëri, Kodi i Procedurës Civile dhe Kodi i Procedurës Penale duhet të ndryshohen.
Neni 126 i Kushtetutës ishte
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndiqet penalisht pa pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.
Neni 126 bëhet
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ndiqen civilisht ose penalisht për opinione dhe vendime të nxjerra në ushtrim të funksioneve të tyre. Ligji Organik i Gjykatës Kushtetuese rregullon procedurat për të garantuar përgjegjësinë e tyre për shkelje të kryera jashtë funksionit të tyre, në kushte të njëjta si përgjegjësia e deputetëve.
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme, pa autorizimin e vetë gjykatës, përveçse nëse kapet gjatë kryerjes ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këtë rast, prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Gjykatën Kushtetuese që mund të vendosë për heqjen e masës.
Neni 137 ishte
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të ndiqet penalisht vetëm me miratimin e Kuvendit.
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Gjykatën Kushtetuese. Kur Gjykata Kushtetuese nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.
Gjyqtarët e tjerë mund të ndiqen penalisht vetëm me miratim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Gjyqtari mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.
Neni 137 bëhet
Gjyqtarët nuk mund të ndiqen penalisht ose civilisht për shprehje të përdorura dhe vendime të marra në ushtrim të funksioneve të tyre gjyqësore, përveçse për krime të paramenduara të parashikuara në mënyrë specifike në Kodin Penal.
Gjyqtari nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarëdo forme pa autorizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përveçse nëse kapet gjatë kryerjes ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këtë rast, prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Këshillin e Lartë të Drejtësisë që mund të vendosë për heqjen e masës.
84 vota
Sipas rekomandimit të Komisionit të Venecias kufizimi i imunitetit me anë të një projektvendimi duhet të miratohej me 84 vota, ndërsa në variantin e propozuar nga Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Europian kërkon 93 vota. Ekspertët kërkojnë konsensusin e të dyja forcave politike për miratimin e shtatë amendamenteve.
Flagranca
Duke argumentuar nenin sipas të cilit kur një deputet kapet në flagrancë, heqja e imunitetit bëhet menjëherë, ekspertët theksojnë se “në përgjithësi, klauzolat e kapjes në flagrancë janë të justifikuara, sepse kapja në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi do të thotë se për organet e rendit ekziston njëlloj prove në pamje të parë. prandaj nuk është e nevojshme që klauzola të kufizohet në ‘krimet e rënda’. Pjesa më e madhe e shteteve e zbatojnë këtë klauzolë për të gjitha llojet e veprave”.
Imuniteti te Gjykata e Lartë
Sipas variantit të propozuar, anëtarët e Gjykatës së Lartë mund të arrestohen vetëm kur kapen në flagrancë. Për të gjitha rastet e tjera vendos Këshilli i Lartë i Drejtësisë. “Gjyqtari nuk mund të arrestohet apo t’i hiqet liria në çfarë forme, pa autorizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përveçse nëse kapet gjatë kryerjes ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Në këtë rast, prokurori i Përgjithshëm vë menjëherë në dijeni Këshillin e Lartë të Drejtësisë, që mund të vendosë për heqjen e masës”.
ADI SHKEMBI
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment