Total Pageviews

Saturday, October 29, 2011

Akuzat ndaj Kuliçajt, gjykata gjobit Taulant Ballën


Flamur Vezaj

TIRANË- Gjykata e Tiranës ka dënuar dje deputetin e Partisë Socialiste Taulant Balla me 700 mijë lekë gjobë pasi e ka gjetur fajtor për shpifje ndaj zv. drejtorit të policisë, Agron Kuliçaj. Më 16 mars 2011 Balla ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka cilësuar Agron Kuliçajn si kreun e kontrabandës së naftës “Vergine”, për të cilën prokuroria kishte nisur një hetim. Por kjo deklaratë rezultoi e pambështetur me prova dhe gjyqtarja Rezarta Balliu (Vigani), në vendimin e saj u shpreh se e gjen fajtor deputetin për akuzën e shpifjes ndaj nëndrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj.

“E ka fajin Saliu që zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, i atij institucioni që ka detyrimin të luftojë kontrabandën, është njëherë një kontrabandist për llogari të kryeministrit dhe të familjes së kryeministrit”,- ka thënë mes të tjerave Balla. Nga ana e tij Kuliçaj ka pretenduar në gjykatë se deputeti Balla ka përhapur botërisht nëpërmjet mediave të pavërteta ndaj paditësit Kuliçaj. “Kërkojmë nga Gjykata që të detyroj të paditurin Taulant Balla të dëmshpërblejë paditësin Agron Kuliçaj për demin jo pasuror (moral) që i ka shkaktuar në shumën 1 milion lekë. Si dhe detyrimin e të paditurit Taulant Balla të publikojë përgënjeshtrim për deklaratat e tij të datës 16 Mars 2011 kundër paditësit Kuliçaj me shpenzimet e tij”,- thuhet në konkluzionet e avokatit.

Vetë Balla u shpreh pas njohjes me vendimin se nuk tërheq asnjë nga akuzat që ka bërë ndaj Kuliçajt dhe se vendimi i gjykatës ishte i montuar politikisht. “Nuk na u dha fjala për të paraqitur provat, por u njohëm me një vendim të paracaktuar dhe besoj se vendimin që unë dëgjova na e tha një javë ma parë spikerja e Parlamentit. Gjyqësori vuan nga një sëmundje e rëndë, më të rëndë nga ajo në të cilën është qeveria. Dënimi u dha siç e kishte ndarë me Saliun dhe Jozefinën, aq tha dhe gjyqtarja”, tha Balla.

No comments:

Post a Comment