Total Pageviews

Monday, October 31, 2011

7 të preferuarat e kryeministrit

Denis Dedej

Vizita e kryeministrit Berisha pak kohë më parë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork është propaganduar si një sukses i madh në fushën e politikës së jashtme dhe biznesit. Kulmi i kësaj vizite, sipas zyrës së shtypit të kryeministrit, ishte mbledhja e Forumit të Investimeve SHBA-Shqipëri, në Nju Jork.

Por dokumentet e këtij takimi, të publikuara vetëm tani, tregojnë se takimi ishte midis qeverisë shqiptare dhe shtatë firmave të akuzuara nga opozita dhe mediat për afera korruptive në vendin tonë. Kompanitë organizuese të këtij takimi, të cilat njihen dhe për publikun shqiptar janë: “TAP”; “Sky Petroleum”; “TIREX”; “Bankers Petroleum”; “Bechtel”; “Stream Oil & Gas” dhe “Lalzit Resort Bay”. Kryeministri Berisha është akuzuar se i ka dhënë këtyre kompanive kontrata ose koncesione të dyshimta.

Por, në njoftimin zyrtar të kryeministrisë, këto kompani nuk janë përmendur, pasi do të zbehte rëndësinë e saj. Të pranishëm në Forum ishin edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi, ambasadorë etj,.

Për të risjellë në vëmendje se kush janë këto kompani mjafton të të kujtohet se “TAP” (Gazsjellësi Trans Adriatik) është një projekt që financohet nga tre kompani evropiane dhe kërkohet nga “biznesmeni” italian Gianpaolo Tarantini përmes presionit që do të ushtronte kryeministri Berluskoni. Tarantini është njeriu që i gjente Berluskonit vajzat për festat e tij të shfrenuara. Në një prej përgjimeve të prokurorisë italiane, Tarantini shfaqej duke i kërkuar Berluskonit që të ndërhynte tek qeveria e Tiranës për të siguruar lehtësia për projektin e gazsjellësit.

Ndërsa kompanitë “Sky Petroleum”, “Bankers Petroleum” dhe “Stream Oil & Gas”, njihen për shfrytëzimin e pasurive kombëtare në Shqipëri. Opozita ka ngritur dyshime të mëdha mbi marrëveshjet që janë firmosur nga shteti ynë, duke akuzuar qeverinë për afera korruptive në shfrytëzimin që i bëhet burime tona pasurore. Në lidhje me shfrytëzimin e tyre, një hije dyshimi është ngritur dhe mbi kompaninë “TIREX”, e cila ka marrë koncesionin e minierave të Mirditës, që shquhen për nxjerrjen e arit.

Për sa i përket kompanisë BECHTEL, çështja është e njohur për të gjithë shqiptarët. Ministri i Punëve Publike të asaj kohe, Lulzim Basha u mor edhe si i pandehur nga prokuroria për abuzime me këtë kontratë, por në fund shpëtoi pa u paraqitur në gjyq për disa kleçka procedurale. Prokuroria akuzonte Bashën dhe disa zyrtarë të lartë të rrugëve për koston e lartë me të cilën është punuar në ndërtimin e Durrës-Kukës si dhe për faktin që duke vendosur në mes një sekser, vlera e rrugës ishte rritur të paktën me 10 për qind.

Një tjetër kompani, “Lalzit Resort Bay” ka sponsorizuar këtë takim, madje ka bërë dhe njoftimin në faqen e saj zyrtare. Ajo është përfolur shumë nga opozita pas marrjes së një projekti për ndërtimin e një resorti në Gjirin e Lalzit dhe më pas shpallte Argita Malltezin si konsulente ekskluzive të kësaj kompanie në shitblerjen e pasurive të paluajtshme. Emri i vajzës së kryeministrit është lidhur disa herë me rastin e Gjirit të Lalzit, ku ajo ka ngritur edhe kompleksin e parë të vilave.

Në Forumin e Investimeve SHBA-Shqipëri, në Nju Jork, krahas kryeministrit Berisha, kanë mbajtur fjalën edhe përfaqësues të kompanive. Personi që ka mbajtur fjalën hapëse është Toni Podesta, president i “Podesta Grup”, kompania e të cilit merret me këshillimin dhe lobimin në favor të qeverisë shqiptare. Detajet e financimit dhe të gjithë përfaqësuesve të kompanive që kanë folur në forum nuk janë dhënë nga zyra e shtypit e kryeministri. Kjo e fundit është mjaftuar duke thënë se “Sesioni i parë i Forumit u përshëndet edhe nga kongresmeni Eliot Engel, Presidenti i Fondit Amerikan të Zhvillimit Michael Granoff, Ambasadori Frank Uisner dhe nga Tony Podesta, President i Podesta Group”.

Paratë nga fondi rezervë për “Patton Boggs LTD”

Ditën e mërkurë qeveria tërhoqi 20 milionë lekë të reja nga fondi rezervë i shtetit shqiptar dhe ia kaloi firmës amerikane “Patton Boggs LTD” si këst i një kontrate të lidhur një vit më parë. Kjo është një kompani konsulence juridike dhe lobimi se seli në SHBA. Sipas dokumenteve zyrtare, kjo kompani është kontraktuar nga shteti shqiptar për të negociuar për shitjen e Albpetrolit. Ajo do të paguhet zyrtarisht vetëm 25.000.000 lekë dhe më pas do të marrë një “bonus suksesi” në vlerën 2.5 për qind të kontratës. Ajo që vihet re nga kjo kontratë është se tarifa zyrtare e shërbimit është vetëm maja e ajsbergut dhe vlera e saj mjafton vetëm për të mbuluar kostot e shkresave zyrtare, ndërsa pjesa kryesore është bonusi. Në vitin 2008 firma “Patton Boggs LTD” është krenuar për shitjen e kompanisë shqiptare “Armo sh.a” për 160 milionë dollarë, nga të cilat katër milionë dollarë i ka marrë në formë bonusi. Tarifa zyrtare e paguar në këtë rast nga qeveria shqiptare ka qenë shumë modeste.

“Patton Boggs LTD” ishte një nga sponsorët dhe organizatorët e vizitës së Berishës në Asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork në shtator të këtij viti. Madje ata organizuan edhe një seminar me firma shqiptare dhe amerikane ku mbajti fjalën këshilltari i “Patton Boggs LTD”, Frank Uisner si dhe disa përfaqësues të tjerë të firmës. Në njoftimin zyrtar të kryeministrisë, Uisner prezantohet si ambasador dhe jo si këshilltari juridik i firmës “Patton Boggs LTD”.

Vajzat e Berluskonit dhe Gazsjellësi në Shqipëri

Një emër i njohur nga hetuesit italianë, Gianpaolo Tarantini, kërkonte të përfitonte në Shqipëri përmes kryeministrit Berluskoni, tre projekte në këmbim të femrave që i dërgonte herë pas here. Një ndër kërkesat e Tarantinit ka të bëjë edhe me projektin e gazsjellësit Trans Adriatik, i mbështetur fuqishëm nga qeveria shqiptare për vetë faktin se është ndër të vetmit projekte energjetik në rajon që kalon nëpër Shqipëri. Si këmbim për favoret që i bënte Berluskonit, ai i kërkon futjen e tij si aksioner në këtë sipërmarrje madje edhe nënshkrimin sa më shpejtë të kontratës me qeverinë shqiptare. Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt që financohet nga tre kompani prestigjioze evropiane si “Statkraft”, “EGL” dhe “Ruhr Gaz”. Projekti parashikon dërgimin e gazit nga Azerbajxhani në Europë duke kaluar përmes Ballkanit. Gazsjellësi fillon nga fushat e Shah Denizit në Azerbajxhan dhe nëpërmjet Turqisë kalon në Selanik të Greqisë. Më pas, duke u futur në territorin shqiptar në rajonin e Devollit gazsjellësi kalon në Pulia të Italisë për t’u lidhur me rrjetet evropiane të gazit. Gazsjellësi ka vlerë totale prej 1.5 miliardë euro dhe një gjatësi prej 520 kilometra, ku 209 prej të cilave kalojnë nëpërmjet Shqipërisë. TAP është i vetmi projekt energjetik në rajon që nuk anashkalon Shqipërinë.

Përgjimet e Tarantinit

“Hekuri duhet rrahur sa është i nxehtë”-, citojnë mediet italiane Tarantinin në një ndër transkriptet e bisedave të tij telefonike me një tjetër biznesmen italian ku bëhet fjalë për kërkesën ndaj Berluskonit për bërjen e tij aksioner në këtë sipërmarrje. “Tarantini nuk bënte asgjë pa përfituar vetë. Dymbëdhjetë kontrata, 51 milionë euro në tavolinë, gazsjellësin nga Shqipëria në Pulia dhe shënjestra ishte për të krijuar një kompani që do të bashkëpunonte me kompaninë e tij”,- shkruajnë mediet italiane. Rast tjetër flagrant është ai kur dy biznesmenë italianë kërkojnë me telefon që Berluskonit të ndikojë tek Berisha për dhënien tek ata të disa HEC-eve në Shqipëri.

Zbulimi i bujshëm i 875 milionë fuçi me naftë?

Burimet shqiptare jepen për të huajt për shfrytëzim të cilët zbulojnë “parajsën” në vendin tonë. Amerikanët e “Sky Petroleum” kanë zbuluar vendburime me 875 milionë fuçi me naftë. Pas një marrëveshje me Ministrinë e Ekonomisë dhe Tregtisë, për eksplorimin e zonës së Dumresë në Rrethin e Elbasanit, “Sky Petroleum” del në përfundimin se disa blloqe janë të pasura me naftë. Kompania amerikane kishte kontraktuar një shoqëri të njohur konsulentë në fushën e karburanteve, “McKinsey”, e cila, pas një studimi të blloqeve 4 dhe 5 në Dumre, vlerëson se ka një pasuri nafte që shkon në rreth 875 milionë fuçi, vlera e së cilës mund të arrijë deri në 3 miliardë dollarë. Kompania kishte firmosur një marrëveshje koncesioni me Ministrinë e Ekonomisë, kundrejt planit për zhvillimin e zonës përmes investimeve dhe nxjerrjes së naftës. Raporti vlerëson se këto blloqe kanë një rezervë të mundshme prej rreth 875 milionë fuçish, me një përqindje suksesi prej rreth 24 përqindësh, që përkthehet në rezerva të mundshme prej 220 milionë fuçish. Ndërsa në faqen zyrtare të kompanisë amerikane, e cila shtrihet edhe në Dubai, thuhet se vlera e mundshme e tregut e këtyre rezervave është nga 1 deri në 3 miliardë dollarë, bazuar në një fitim prej 10-30 dollarësh për fuçi, si dhe bazuar në një vlerë neto aktuale prej 2.1 miliardë dollarësh.


“Tirex”: Kemi zbuluar flori në Shqipëri

Në kuadër të shitjes së aseteve në Shqipëria, qeveria Berisha ka nxjerrë në shitje edhe minierat e vjetra të bakrit dhe arit në zonën e Mirditës. Dikur Shqipëria krenohej se mund të nxirrte ar në Mirditë ndërsa sot këtë gjë mund ta bëjë një kompani kanadeze. “Tirex Resources është e lumtur të informojë se ka marrë koncesionin e minierave në Shqipëri”,- thuhet mes të tjerash në njoftimin e kësaj kompanie kanadeze. Tirex Resources” ka punuar prej vitesh në këtë zonë dhe tashmë po planifikon të nisë kërkimet për bakër dhe ar, duke pasur në vëmendje edhe prodhimin e zinkut. Kjo ofertë e kanadezëve është pranuar menjëherë nga qeveria shqiptare edhe për shkak të gjendjes financiare dhe ekonomike që ndodhet vendi ynë. Ky fakt pranohet edhe nga vetë kompania. “Tirex Resources” ka planifikuar që kërkimet dhe aktiviteti për nxjerrjen e arit e të bakrit vijnë në një kohë emergjence kritike të ekonomisë shqiptare, e cila mbahet kryesisht vetëm nga taksa e sheshtë prej 10% dhe taksat personale të qytetarëve”,- thuhet në njoftimin e kompanisë. Duke parashikuar fitime të shpejta dhe të mëdha nga nxjerrja e arit, forma kanadeze ka planifikuar të nisë ekspeditën më të madhe të historisë së Shqipërisë në zonën e Mirditës për të zbuluar zonat më të mëdha mineralmbajtëse. Zonat ku do të punojë kjo kompani janë Tuci, Qaf Bari, Paluca, Fushë Arrës, Gurthi-Koshaj dhe Letitna.

Opozita: “Bankers” mori kontratat e naftës

Një prej kompanive të mëdha në fushën e nxjerrjes dhe përurimit të naftës, “Bankers Petroleum”, që ushtron veprimtarinë në vendin tonë, është akuzuar nga opozita për afera korruptive dhe mospagim të detyrimeve fiskale. Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka akuzuar qeverinë se po shet pasuritë publike tek disa kompani “fantazmë” vlera e të cilave sot është shndërruar në miliona dollarë. “Banker Petrolium, i gjithë aktivitet i kësaj kompanie është vetëm në Shqipëri. Vlera e saj është rritur me 14 herë vetëm nga kontratat mbi pasurit e Shqipërisë. Kompania tjetër është Strem Oli, kompani guaskë. Nuk kishte asnjë vlerë para se të hynte në Shqipëri. Sot kjo kompania ka katër nga gjashtë fushëmbajtëset e naftës. 66 milionë dollarë është vlera e saj vetëm nga kontratë që kanë lidhur me Shqipërinë. Qeveria e këtij ka një kontratë 25 vjeçare që është miratuar në heshtje”, akuzoi Braçe. Ai akuzoi këtë kompani se nuk ka paguar tatim mbi fitimin. “Sa tatim mbi fitimin kanë paguar? Tatimi ka qenë zero. Sepse ky dekrete me firmë të tij (Berishës) nuk zbatohet”, u shpreh Braçe.

“Bechtel” dhe kontrata me Lulzim Bashën

Kompania amerikane Bechtel së bashku me turqit e Enkas kanë ndërtuar në Shqipëri segmentin Rrëshen – Kalimash dhe një tunel të gjatë 5.5 kilometra. Ndërsa kostoja e kësaj rruge ishte përllogaritur 800 milionë dollarë, sot kur punimet kanë përfunduar, vlera totale llogaritet edhe 500 milionë dollarë më shumë. Që në nisje të këtij procesi, kushtet e vendosura në tender favorizonin Bechtel – Enka. Prokuroria nisi hetimet për këtë çështje dhe vendosi që ishin kryer elementë të veprës penale. Përgjegjësi kryesor ishte ministri i Punëve Publike të asaj kohe, Lulzim Basha. Me kërkesë të prokurorisë, Bashës iu hoq imuniteti dhe u mor i pandehur, por i shpëtoi gjyqit për shkak të një kleçke procedurale. Me këtë arsye shpëtuan edhe krerët e rrugëve. Deri më tani, ende nuk kemi një kosto të saktë të rrugës Durrës-Kukës.

Opozita shqiptare ka akuzuar kompaninë “STREAM OIL & GAS” se ka përfituar në mënyrë preferenciale koncesionin për shfrytëzimin e vendburimeve të naftës nga Ballshi e deri në Devoll. Por edhe pse kompania është prezantuar si kanadeze, ajo rezulton që të jetë nën drejtimin e A.T, bashkëjetuesit të një deputeteje të Partisë Demokratike dhe një shtetasi grek që si zyrë ka Ishujt Kajman, një zonë e njohur për ngritjen e firmave fantazmë pasi legjislacioni fiskal është shumë liberal. Në kohën e nënshkrimit të kontratës, deputetja punonte si këshilltare e kryeministrit Berisha. Inspektorati i Deklarimit të Pasurive nisi një hetim për këtë çështje dhe vetë deputetja deklaroi se nuk kishte lidhje zyrtare me aksionarin e kompanisë. Ai është babai i fëmijëve të saj, por nuk është e martuar me të.

Lidhja e Argita Malltezit me Gjirin e Lalzit

Zona e “Gjiri Lalzit” ishte një zonë e humbur për shqiptarët, por pas ndërtimit të një vile nga vajza e kryeministrit, Argita Malltezi, ajo zonë u kthye në një prej zonave turistike më të njohura për shqiptarët. Menjëherë pas kësaj u ndërtua rruga dhe kanalizimet duke e bërë zonën në një atraksion turistik për Tiranën. Pas këtij zhvillimi, një prej kompanive “Lalzit Resort Bay”, e cila do të njihet më pas për lidhjet me kreun e qeverisë, do të merrte një sipërfaqe të mëdha të kësaj zone në zotërim për ta kthyer në fshat turistik. Opozita ka denoncuar faktin se studioja ligjore e vajzës së kryeministrit ka hartuar anën ligjore të investimit në turizëm në Gjirin e Lalzit. Sipas tyre, investitorët e ndryshëm janë vënë në dijeni të lehtësirave që mund të përfitojnë në rast se drejtojnë milionat e eurove apo të dollarëve të tyre në këtë zonë. Shembull i kësaj skeme përfitimi duke abuzuar me vendimet e qeverisë ka qenë një njoftim i publikuar nga një kompani private, e cila tregonte lidhjet e vajzës së kryeministrit. Kompania imobiliare kishte blerë tokë në Gjirin e Lalzit dhe më pas shpallte Argita Malltezin si konsulente ekskluzive të kësaj kompanie në shitblerjen e pasurive të paluajtshme. Bashkë me të dhe njoftimin se kompania kishte nxjerrë në shitje 2.4 milionë metër katrorë tokë në Gjirin e Lalëzit. Sipas të dhënave të ofruara nga kompanitë projektuese, zonat turistike do të përbëhen nga ndërtesa që fillojnë nga dy deri në pesë kate ndërsa në total pritet që të tre projektet të zënë një hapësirë deri në 40 hektarë. Ky projekt është miratuar nga KRRTRSH, i cili kryesohet nga kryeministri Berisha.

No comments:

Post a Comment