Total Pageviews

Thursday, September 15, 2011

Daut Gumeni: Marrëveshja e detit? Greqia po na trajton si koloni

Fatmira Nikolli

Daut Gumeni e sheh tranzicionin shqiptar tejet të zymtë. Ish-konsulli i përgjithshëm i Shqipërisë në Janinë, njëkohësisht një ish i dënuar politik në një intervistë për "Gazetën Shqiptare" rrëfen linjat kryesore të librit të tij publicistik "Tranzicion apo trashëgimi". Ai vëren një ekonomi të shkatërruar, një bregdet të kthyer në kënetë, zyrtarë të korruptuar, sistem gjyqësor të politizuar... Duket si një situatë e pashpresë, ashtu si e ardhmja. Gumeni ka jo pak kritika për kastën politike të vendit, të cilën e quan përgjegjëse për atë çka është Shqipëria sot. Duket herë-herë i irrituar kur përmend një e nga një problemet e mëdha të vendit, duke filluar nga populli i varfër, deri tek marrëdhëniet e vasalitetit të Shqipërisë me Greqinë. Duken si pjesë e një testamenti dëshirat e tij për një Shqipëri me pyje të pacenuara e me lumenj të lundrueshëm, me fshatra të pabraktisura e me qytete të pastra, me politikë të urtë e me administratë të përgjegjshme, me parti politike të mirëfillta e jo me çeta bashibozukësh të stisura në zyrat e mykura të Partisë së Punës...
Z.Gumeni ju sapo keni promovuar librin "Tranzicion apo trashëgimi", një publicistikë që flet për dy dekadat e fundit. Pse shpreheni se në këto 20 vjet jemi shndërruar në një shoqëri amfibe?
Më saktë, kam thënë që shoqëria jonë e këtyre 20 vjetëve të fundit është një shoqëri e mbërthyer nga një tranzicion i shtirë dhe i pafund. I shtirë sepse, në vend të tranzicionit të natyrshëm e aq të nevojshëm nga sistemi totalitar në sistemin e demokracisë, jemi duke përjetuar një trashëgimi të pushtetit të djeshëm të udhëhequr po nga besnikët e diktaturës. Ja pse them se ndoshta u biem në qafë amfibëve të shkretë, po ta quanim "amfibe" një shoqëri të tillë. Sepse amfibët janë një specie e caktuar me natyrën e me historinë e vet të zhvillimit, kurse këto dekadat e tranzicionit tonë të shpifur janë dy dekada të inercisë së diktaturës. Janë dy dekada demagogjie bajate, që një popull i trembur, i uritur e i sëmurë nga gjysmë shekulli diktaturë, ka arsye të gënjehet e ta besojë si tranzicion të natyrshëm nga diktatura në demokraci.
Nuk mund t'i kërkosh të dalë i pari në maratonë një të sëmuri që ka lënguar aq gjatë sa ne në diktaturën e rrëzuar nga zullumet e veta. Popullit të lodhur sa ne, i mjafton vetëm gëzimi i rrëzimit të diktaturës. Nuk i shkon aq shpejt ndër mend një populli aq të nëpërkëmbur nga diktatura, se ata që bërtasin kundër diktaturës e për demokraci, nuk janë demokratë. Nuk ka aq faj populli se besnikët fanatikë të diktaturës, që kanë në dorë dhe gurin dhe arrën e që morën trashëgiminë e diktaturës me çelësa në dorë, mund të tallen edhe me ëndrrën gjysmëshekullore të një populli për liri e për demokraci të vërtetë. Ku janë intelektualët e paguar me paratë e kooperativistëve të uritur që t'i thonë popullit të vet se besnikët e diktaturës së djeshme mund të jenë aq demokratë sa ç'mund të jetë shenjtore Leonora?...Këta të paguar një jetë për intelektualë, mund të kenë ca dhe nga amfibët, që përmendni në pyetjen tuaj, por jo populli fukara. Tek e fundit, populli i vuajtur gëzohet kur dëgjon komunistët e Enverit të shajnë sot gjithë ditën komunistët. Populli që rropatet për të nxjerrë ditën, javën e muajin, nuk ka faj që u beson dhe komunistëve që ngjiren kundër komunistëve. Se beson tek e mira populli i munduar. Sikurse besojnë aq shumë pushtetarët e sëmurë se po ia hedhin popullit… Dhe kjo gjendje, sidomos kur vijon me dekada, tregon se jemi një shoqëri e pashëruar nga sëmundja, që na la trashëgim diktatura, derisa mbajmë me dekada në krye besnikët e diktaturës.
Sipas jush, sjelljet e klasës politike përcaktohen nga një instinkt i lindur shkatërrimi, çfarë nënkuptoni me këtë?
Them se kemi një kastë pushteti, që gjen kënaqësi në rrënime, sepse këto dy dekada tranzicioni e kanë dëshmuar me të tepërt një gjë të tillë. Për të mos e lodhur lexuesin tuaj, mjafton të kujtojmë batërdinë që udhëhoqi kundër ekonomisë kombëtare aq të drobitur të vitit 1990 kjo kastë trashëgimtarësh të pushtetit të diktaturës, për të kërkuar ndihmë edhe nga instinkti i shkatërrimit… Pse duhej të priteshin pemishtet, vreshtat, portokallet e ullinjtë e mbjellë e të rritur me djersën e skllevërve të shekullit të njëzetë në mes të Europës? Pse duhej të rrënohej dhe ajo industri që kishte mbetur më këmbë e pse duhej të shiteshin për skrap nga mjetet e industrisë mekanike e deri tek tanket dhe avionët? Dhe të gjitha këto rrënime na i bënin në emër të "anti-komunizmit", komunistët më zullumqarë të Partisë së Punës! Kjo skotë trashë-gimtarësh të pushtetit të diktaturës, vetëm klasë politike nuk mund të jetë. Kjo është thjesht një skotë barbarësh të paemër, që krenohen me rrënimin e vendit e të popullit të tyre dhe kanë pastaj dhe sy e faqe të kërkojnë t'u "vejë prapa" dhe historia, siç u venë prapa taborret e atyre që nuk u ka thënë njeri "Puna mbarë!" në jetën e tyre dhe kërkojnë të bëjnë pre e plaçkë (të na kthehen dhe në të pasur brenda natës!) duke shërbyer me zell si mercenarë pushteti. Ky nuk është tranzicion nga diktatura në demokraci, por është një regjim hibrid, apo më mirë një demokraci OMGJ…
Ju vëreni ekonomi të shkatërruar, bregdet të kthyer në kënetë, zyrtarë të korruptuar, sistem gjyqësor të politizuar… Çdo gjë duket e zymtë, e ardhmja po ashtu, si mund të dalë populli nga kjo gjendje? Si duhet të reagojë, nëse keni parasysh që ndryshimet vijnë nga poshtë?
Po e nis përgjigjen e pyetjes suaj nga fjala e fundit: Në këtë gjendje ku e kanë katandisur vendin e popullin kjo skotë pushteti, POSHTË është vetë kjo skotë e sëmurë për pushtet dhe LART është populli i duruar. Me këtë marrëveshje fjale, ndryshimin duhet ta zgjedhë vetë populli se nga ta nisë, pra duhet të vijë nga lartësia e durimit të popullit, nga lartësia e dashurisë së popullit për vendin e vet dhe nga lartësia e ëndrrave të popullit për liri e për demokraci të vërtetë.
Ju e shikoni të zymtë gjendjen e vendit dhe po aq të zymtë të ardhmen tonë, që kemi vendosur të jetojmë në këtë vend të bekuar nga Zoti e të nëmur nga një skotë pushteti, që krenohet me shtimin e vuajtjeve të popullit të vet e me rrënimet që i shkakton vendit të vet. Kam mendimin se gjërat duhen thënë me emrin e tyre dhe prandaj gjeni në librin tim përshkrime aq të zymta. Unë e di sa dëshiroj ta shoh një ditë vendin tim me pyje të pacenuara e me lumenj të lundrueshëm, me fshatra të pa braktisura e me qytete të pastra, me politikë të urtë e me administratë të përgjegjshme, me parti politike të mirëfillta e jo me çeta bashibozukësh të stisura në zyrat e mykura të Partisë së Punës, me një klasë politike që përpiqet vërtet për përparimin e vendit dhe nuk bën rrush e kumbulla taksat e shqiptarëve të varfër e ndihmat e BE-së dhe të Amerikës, por mendjen e mbajnë tek modeli qeverisës i Putinit… Unë e di sa dëshiroj, sikur e besoj se dëshiron shumica e shqiptarëve, ta shoh vendin tim me ushtri krenare për garantimin e sovranitetit të vendit e me një polici shkencore që nuk shkel ligjet për t'i bërë qejfin pushtetit të radhës, me një drejtësi që të mos jetë më si tregu i gabit, por të fitojë integritetin e nëpërkëmbur nga pushteti e nga etja për pasurim të paligjshëm, me një arsim të shëndetshëm bashkëkohor, me mjekësi dinjitoze e me spitale që nuk të kujtojnë spitalin proverbial të Shvejkut, me një dikaster kulture që të mos jetë më në dorë të doganierëve apo të vagonistëve, që duket sikur caktohen në atë detyrë të lartë për t'i thënë botës që ky popull nuk ka kulturë (!)… Si të mos e shohësh dhe të ardhmen të zymtë, kur përqas realitetin me këto dëshira të natyrshme qytetare?
Në librin tuaj ju flisni dhe për marrëveshjen Shqipëri-Greqi mbi kufirin detar. Së fundi ajo po rikthehet në vëmendje pas vizitave të zyrtarëve grekë në Tiranë dhe kërkesës së tyre për zbatimin e saj. Ç'mendim keni për të?
Që të kërkosh nga një vend i pavarur e sovran të zbatojë një marrëveshje të hedhur poshtë si antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e atij vendi, do të thotë që me atë vend të sillesh më keq se me një territor të pushtuar. Se edhe në territoret e pushtuara fuqitë koloniale nuk shkonin deri atje sa të kërkonin shkeljen e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të kolonisë. Shpjegimet e mëtejshme mendoj se duhet t'i japin autoritetet që kërkojnë këtë gjendje nënkoloniale të vendit tonë dhe doemos pushtetarët tanë aktualë që mallëngjehen aq shumë nga dashuria për fqinjët tanë dashamirës tradicionalë… Sidoqoftë, nuk besoj se do ta kenë aq të lehtë të dyja palët për ta zbatuar atë marrëveshje, duke shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Aq më tepër tani që fqinjët tanë duket se flasin pa faqe me pushtetarët tanë, pasi po u kërkojnë të tjerët që të dorëzojnë sovranitetin për të shpëtuar nga falimentimi i pakontrolluar. Në këtë gjendje, na takon të mos ua vëmë re të gjitha ato që thonë, se janë në ditë të hallit, pasi kanë bërë përshesh paratë e Europës për vite të tëra…
Pse i shihni ndërkombëtarët të infektuar nga "sëmundja endemike" e vendit tonë?
Them se vendi ynë nuk ka pse përgjigjet i tëri për sëmundjen e pushtetarëve tanë. Nuk kemi vendin të sëmurë, por kastën e sëmurë për pushtet. Nuk jemi keq për vend, por më duket se jemi keq për mend. Sa për ata ndërkombëtarët që infektohen, siç thoni ju, nga sëmundja e pushtetarëve tanë, mund të them vetëm kaq, për hir të mikpritjes së njohur shqiptare. Keni vënë re që disa ndërkombëtarë kur na vijnë për herë të parë në Tiranë, duken sikur kanë humbur jo vetëm pusullën, por edhe krehrin… por mikpritja e pushtetarëve tanë i bën që, pas dy-tre muajsh, të bërbuqasen e të stolisen dhe të marrin një qëndrim prej beut të fshatit fusharak … Udhëzojnë gjithnjë popullin shqiptar (se pushtetarët tanimë i kanë bërë miq për kokë) që të shikojë vetëm përpara, pa çka se mu përpara syve të tyre pushtetarët grabisin votat e popullit dhe këta ndërkombëtarë, të kthyer tashmë në njëfarë beu të fshatit fusharak, na urojnë ditën e parë një fitues të zgjedhjeve dhe ditën e dytë na urojnë kundërshtarinë atij fituesi të kthyer në humbës me urdhër pushteti e me bekim të po këtyre ndërkombëtarëve, që sikur u vjen mirë ta kenë Shqipërinë gjithmonë me probleme e gjithmonë në nevojë për këshillën e tyre të përhershme: "Tani shikoni vetëm përpara, bëni një kod të ri e ngrini komisione te reja" …Sa nuk na japin dhe urime për grabitjet e radhës në zgjedhjet e tjera(!)…
Sikurse ka dashur Zoti të kemi mes nesh edhe përfaqësues dinjitozë të miqve dhe aleatëve tanë të demokracive të mëdha, që mundohen të na ndihmojnë të dalim nga tranzicioni ynë i pasosur e t'i bashkohemi sa më shpejt BE-së. Gjithnjë në na lënçin pushtetarët tanë të sëmurë dhe ndoca miq të tyre ndërkombëtarë, pasi e gjënë krehrin e humbur…
Kohët e fundit kabllogramet e rrjedhura nga korrespondenca diplomatike amerikane kanë sjellë në vëmendje tema të debatuara në librin tuaj. Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje prej tyre?
Më duket se ata që kanë "rrjedhur" nuk janë kabllogramet diplomatike amerikane, por pushtetarët e politikanët tanë të tranzicionit. Amerika e madhe e lirive këtë herë na thotë shkoqur edhe me kabllogramet e diplomacisë së saj: "Këta keni në krye të punëve e prandaj ju shkojnë punët kaq për lumë! Është puna juaj në doni t'i mbani apo doni t'i dërgoni në shtëpi të merren vetëm me punët e veta, se mjaft i kanë bërë kaçamak punët publike dhe taksat tuaja"… Për mendimin tim është ndihma më e madhe që demokracia amerikane po përpiqet t'i japë shtetit tonë të dështuar e demokracisë sonë të klonuar në qilarin e kasapëve të diktaturës…
Ju keni qenë dhe Konsull i Përgjithshëm në Janinë, cilat janë sipas jush marrëdhëniet që duhen vendosur mes dy vendeve tona?
Them se mjafton të jenë marrëdhënie normale, që të kenë për bazë interesat e ligjshëm të të dyja palëve, të parë gjithnjë me një drejtpeshim të mbështetur në realitet dhe jo ca marrëdhënie të tipit kolonial, aq keq të demonstruara në kërkesën e palës greke për të shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe në heshtjen prej shërbëtori të përulur të pushtetarëve tanë. Nëse e kemi të nevojshme e të domosdoshme vendosjen e marrëdhënieve normale, si të gjithë fqinjët e qytetëruar të kësaj bote, atëherë minoriteti shqiptar në Greqi duhet të gëzojë po ato të drejta që gëzon minoriteti grek në Shqipëri e jo të gënjejmë veten duke deklaruar me nervozizëm se nuk paska minoritet shqiptar në Greqi. Nëse duam vërtet fqinjësi të mirë dhe miqësi të kthjellët, atëherë për çdo shkollë greke që hapet në Shqipëri, duhet doemos të hapet një shkollë shqipe në Greqi. Kam bindjen se marrëdhëniet e vasalitetit të turpshëm, që ekzistojnë sot mes Greqisë së pasur dhe Shqipërisë së varfër, nuk duhen përzier as me pengimin e ecjes së Shqipërisë drejt BE-së dhe as me falimentimin e monitoruar të Greqisë. Tek e fundit, mbase nuk do të ishte keq po qe se ai falimentimi i monitoruar nga një Ekspertizë ndërkombëtare do t'i merrte përsipër të dy shtetet tona të dështuara. Them se do të na bënte mirë të dyja palëve…

No comments:

Post a Comment