Total Pageviews

Tuesday, April 26, 2011

Vila 7...shtëpia me numër fati

Magdalena Alla | 24/04/2011 U përkiste pasardhësve të familjes Batalla. Në fillim të shekullit të 20-të Hysen Batalla, një intelektual nga Vlora i cili kishte studiuar në Itali u vendos atje me fëmijët e vet. Më i vogli, Selfo Batalla ishte ndër kirurgët e parë të Shqipërisë, doktor në Spitalin Ushtarak të ndërtuar nga Mbreti Zog

Vila 3, Vila 12, Vila 27, Vila 31 e me radhë numra të tjerë mbinë dhe u shtuan njëra pas tjetrës këto vitet e fundit në rrugët e Tiranës. Me numrat e dikurshëm përsipër, por edhe me numra të rinj, të shpikur tek-tuk edhe vetë. Ish-vila të vjetra, që restaurohen njëra pas tjetrës dhe shndërrohen në funksionale, por jo më si shtëpi. Por si bar-restorante. Pothuajse të gjitha kështu. E ndonjë në të rrallë edhe hotel. "Shndërrimin e vilave në vende argëtimi e shoh si një shfrytëzim shumë pozitiv për vetë fatin e këtyre vilave, të cilat në të kundërt ndoshta dhe do të rrënoheshin krejt", shpjegon arkitekti Artan Shkreli.
E një numër mbi vilë është sa traditë, elegancë, aq edhe përcaktim që i vë vulën e dallimit dhe mos harrimit. Numra vetëm njëshifrorë dhe dyshifrorë. Pasi edhe vetë vilat e vjetra në Tiranë nuk është se ishin aq të shumta një herë e një kohë, domethënë në vitet '30-të kur nisën të ndërtoheshin në masë, sa për të krijuar numra me më shumë se sa dy shifra. Dhe një ndër të parat do të ishte edhe Vila 7.


E para ishte Vila 7

E para vilë private në Tiranë që përhapi modën e 'vilave bar-restorante në Tiranë, e sidomos të atyre me numra përsipër. Pikërisht vila me numrin e shenjtë dhe të bukur 7; Vila 7. Jo më e madhe se të tjerat, as më e famshme në histori se të tjerat, por që rastësisht ndërroi faqe përpara të tjerave, nëse mbani mend.
Në buzë të një rruge kryesore edhe ajo, asaj të Kavajës, sapo i çeli dyert për të gjithë, shtatë vjet më parë, Vila 7 i pati të shumtë bujtësit e saj, kureshtarë për të shijuar ambiente të reja dhe ndryshe nga ato me të cilat ishin mësuar.

Sidomos kur ngrohet koha, kur ka më shumë diell se sa shi, ajo tejmbushet si jashtë në oborrin bar-kafe plot me pemë limoni, portokalli, mandarine, shege etj, ashtu edhe brenda ku ka më shumë ambiente restoranti. "Në dimër oborri del jashtë funksionit totalisht, është normale kjo, dhe vera mbetet për të shpërthyer gjithë vlera që një vilë e vërtetë ka, e cila s'mund të quhet vilë nëse nuk ka oborrin", tregon menaxheri Fabion Hoxha. Por edhe brenda ka jo pak se ç'të shijosh.

Restaurimi i vilës së mjekut

I ka përkitur një doktori me emër në Tiranë, i cili quhej Selfo Batalli. Dhe është ndërtuar përpara Luftës së II-të Botërore nga arkitektë italianë, sikurse dhe shumë të tjera. Ata që menaxhojnë sot fitimet nga Vila 7, nuk dinë shumë për historinë e saj. Pasi trashëgimtarët jetojnë jashtë vendit. Por kanë dëgjuar dy gjëra ama rreth saj. 'Kur e morëm ne me qira dhe vendosëm ta shndërronim në bar-restorant, vila ishte si shumë shtëpi imobiliare", thotë menaxheri i vjetër aty, Fabion Hoxha. Por ata më pas 'do t'i futeshin me kokë' si askush tjetër për t'ia kthyer faqen, por pa i ndryshuar tiparet, thjesht për ta rinuar dhe forcuar në themelet e saj. "U shpenzuan më shumë se 2 milionë lekë, që për kohën nuk ishin pak, siç mund të duken sot", thotë Fabioni. Por që ndikuan sa më pak të ishte e mundur tek tjetërsimi i origjinalit. Për shembull, siç shpjegon edhe banakieri i vjetër i 'Vilës 7', Juli Imami, tavanet, çatia u lanë me kallama, siç ishin, tek-tuk u ndërtuan tavanet e varur. Dyert, dritaret, pervazet e shkallëve me bojë vaji ngjyrë çokollatë, siç ka qenë origjinali, e lyhen kështu çdo vit. Edhe dyshemetë prej dërrase dhe guri, divanët te restoranti të kujtojnë minderet e dikurshme, të mbuluara me tezgjahe lecke, shandanët me hekur të punuar në forma, fotot e vjetra varur në mure, oxhaku i vjetër i vilës, të shpërndara në dy dhoma në çdo kat dhe verandën e madhe të mbyllur nga pas, krijojnë në tërësi një atmosferë së pari tradite, rustike, intime.


Por i vetmi problem për atë që menaxhon një vilë për biznes është hapësira e tyre e vogël në mjediset e brendshme. Janë më intime ashtu të vogla, por nuk iu përgjigjen kërkesave të shtuara të klientëve. "Ndaj ne shtuam një dhomë në katin e dytë të vilës dhe hapësira të mbyllura shtesë nga pjesa e pasme e oborrit", shpjegon Fabioni. Dhe Vila 7 në 2011 është edhe më e madhe, edhe më e bukur.

No comments:

Post a Comment