Shekulli | 27/04/2011
Shekulli i ka nisur dje një letër ILDKP- së pas një njoftimi të saj, ku kundërshtohet
shifra 450 mijë gulden e blerjes së shtëpisë në Holandë (shifra shihet qartë në kontratën e blerjes nga Kadastra Holandeze) dhe jepet si shifër reale ajo që ka deklaruar Basha, 510 mijë gulden.
Në pritje të përgjigjes, po bëjmë një analizë të shkurtër të njoftimit të ILDKP-së, i cili është joserioz dhe çalon edhe në aritmetikën e thjeshtë.
ILDKP nuk jep përgjigje për pyetjet që i janë drejtuar bazuar në përgjegjësitë ligjore që ky institucion ka, por bën një cirk shifrash, për të dalë tek një shifër, të cilën dokumentacioni holandez e hedh poshtë me kokëfortësi.
Ja pjesë nga deklarata: "Nga kontrata e shitblerjes, administruar në ILDKP, rezulton se apartamenti është blerë në shumën 480.690 (GNL), e cila përbëhet nga 445.454 GNL plus 45.000 GNL, e cila është depozitë garanci për kredinë e marrë. Kjo e dhënë është sqaruar nga subjekti në procesverbalin e mbajtur në ILDKP më 30.09.2006. Ndërsa diferenca prej 29.310 GNL (10.407 euro) është shuma e deklaruar nga subjekti si rentë për kredinë e apartamentit...".
E para: dy dokumentet e përballur në media janë shumë të qartë: njëri është deklarata e pasurisë së ministrit, tjetra kontrata e shtëpisë, për të cilën bëhet deklarata. Njëra thotë 510, tjetra thotë 450.
ILDKP, çfarë na sqaron? Që kjo 450-shja e kontratës holandeze duhet të ishte 510? Sigurisht që ajo mund të bëhet 510 me çfarëdolloj cirku numrash, por puna është që në kontratë shifra e blerjes nuk është as 445, e as 480. Po ia lëmë edhe në këtë rast fajin noterit holandez dhe po besojmë Bashën që ky noter është shkolluar te Plepat në Durrës.
Vijmë te matematika e thjeshtë. ILDKP vazhdon te sqarojë me zell të pazakontë se shuma prej 480.690 (GNL) përbëhet nga 445.454 GNL plus 45.000 GNL, (!) e cila është (prapë sipas ILDKP-së, "depozitë garanci për kredinë e marrë". (!)
Ne e mblodhëm këtë shumë si me letër e laps, ashtu edhe me makinë llogaritëse dhe na doli i njëjti përfundim 445.454 + 45.000 = 490.454 dhe jo 480.690 siç thotë ILDKP. 1+1 nuk bëjnë 3 sado të përpiqesh.
Më pas thonë se në çmimin e shtëpisë përfshihet edhe "një depozitë e vendosur si garanci për kredinë e marrë". (!) Të gjithë e dimë që depozita është pasuri e atij që e depoziton, d.m.th., e Lulzim Bashës dhe s'ka budalla sot të besojë që lekët që rrinë në depozitën e Bashës na u llogaritkan në vlerën e çmimit që e përfiton shitësi.
Më pas, ende nuk u del llogaria (shifra duhet të shkojë patjetër 510) dhe ia këpusin aty për aty: "Pjesa tjetër është rentë". Pyetjes së "Shekullit" se çfarë nënkupton me fjalën "rentë" firmosësi i deklaratës së djeshme iu përgjigj se bëhej fjalë për një "taksë" holandeze(!). Kurse në një media tjetër dje online e kishte prezantuar si "qira", d.m.th., ideja është që kjo shtëpia ndoshta do të jepej ca më vonë me qira, apo diçka e tillë.
Situata nuk është aspak serioze. Përpjekja për konfuzion është e qartë, dhe është kthyer tashmë në të vetmin reagim përballë fakteve. Shifrat janë aty. Janë vetëm dy shifra në dy dokumente dhe nuk përkojnë. Ligji thotë që duhet të përkojnë. Kush shkel, ligjin dënohet deri në 3 vjet burg. Kaq.
Tjetra: ILDKP i shmanget pyetjes më të rëndësishme: Ky zyrtar e ka shitur këtë shtëpi në prill 2008. Është e zezë në të bardhë kjo datë: në gjithë dokumentin kadastral. Kurse e ka deklaruar TË SHITUR (madje edhe me shifrën e saktë) në deklaratën për lëvizjet financiare të 2007-s. Janë prapë kokëforta dokumentet. Edhe në këtë rast, janë dy dokumente dhe dy shifra. Nuk ka nevojë për rrëmujë.
Data e shitjes në kontratën holandeze është prill 2008. Deklarata e pasurisë së ministrit është e vitit 2007. Apo ka ndodhur para Krishtit dhe duhet ta numërojmë mbrapsht? Ah, po. E ka fajin noteri...
No comments:
Post a Comment