Biznesmenët rrihen me grushta për skrapin
nga Nikoleta Kovaçi Gazeta Sqhiptare 3/3/2011
Tentativat ligjore për të qenë pjesëmarrës në ankandin e shitjes së skrapit nga Uzina e Kalimashit iu ka kushtuar shtrenjtë biznesmenëve, të cilët kanë dashur të jenë konkurrues. Biznesmenët që kanë dashur të aplikojnë për të hyrë në këtë ankand, ditën e djeshme janë përballur me numrin 2 të Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit, ndërkohë që ky i fundit ka sjellë në ambientet e Rezervave forcat e policisë së Komisariatit nr. 1. Biznesmenët janë shoqëruar në polici dhe pas disa orë debatesh të ashpra kanë mundur të marrin të paktën formularët e aplikimit për të hyrë në ankand. Nga të dhënat që shoqërojnë post-sherrin mes palëve; aplikues-favorizues, është mësuar se formularët që kanë rezervuar për biznesmenët që kanë shfaqur interesin e konkurrimit kanë pasur të shënuar numrin rendor me laps, çka sipas të dhënave që vijnë nga pala e biznesit, mund të shlyhej dhe të zëvendësohej sa herë të donin. Ankandi për shitjen e skrapit është shpallur në fletoren zyrtare që më datë 4 të muajit shkurt, ndërkohë që zhvillimi i tij do të bëhej më 7 mars. Nga të dhëna të besueshme pretendohet se ka fitues të paracaktuar, e sërish referuar këtyre të dhënave, fituesi do të garojë vetëm formalisht.
Skandali
me çmimin
400 ton mësohet se është sasia e skrapit që pret blerës në ankandin që do të zhvillohet më 7 mars nga Drejtoria e Rezervave të Shtetit. Qeveria shqiptare do t'iu shesë kompanive private këtë sasi skrapi që del nga miniera e Kalimashit, me çmimin 25. 2 mijë lekë për ton, ku shuma totale e kësaj vlerë sipas llogarive shkon në 10.8 milionë lekë. Mirëpo kjo vlerë për ton e skrapit që nxirret në vendin tonë, e konkretisht e sasisë së hedhur në ankand tashmë, krahasuar me çmimin në nivel ndërkombëtar të skrapit mësohet se është 400 dollarë për ton, ku në bazë të përllogaritjeve të thjeshta shikohet qartë diferenca për ton e skrapit në çmimin e dhënë nga qeveria. E për pasojë fiksohet edhe deficiti që i shkaktohet buxhetit të shtetit nga ky ankand, që sipas ankesave të biznesmenëve të cilët kanë qenë të interesuar për aplikim në blerjen e kësaj sasie skrapi, fituesi është i paracaktuar. Sërish referuar të dhënave që vijnë nga pala e aplikuesve bëhet e ditur se ofertat e tyre, të cilat luajnë shumë me çmimin fillestar, nuk janë marrë parasysh nga dhënësi i formularëve dhe pritësi në Drejtorinë e Rezervave të Shtetit. E pikërisht për këtë fakt ka plasur edhe sherri deri në ofendime mes palëve, ofendime që kanë çuar në vendin e ngjarjes efektivë të shumë të policisë së Tiranës, ku sqarimi i rrethanave si dhe zgjidhja e problemit mes tyre kanë zgjatur për rreth 5 orë.
Heshtja e autoriteteve
Përveç biznesmenëve të shoqëruar mësohet se ka pasur edhe përfaqësues të Drejtorisë së Rezervave, të cilët bëhet e ditur se kanë mbajtur të njëjtin qëndrim me atë të ndodhur edhe në zyrat e tyre. Mirëpo policia e Tiranës nuk ka të dhëna zyrtare në lidhje me përplasjen dhe për pasojë edhe vetë krerët e kësaj drejtorie kanë bërë të ditur ditën e djeshme se s'kanë qenë fare në dijeni për ndonjë konflikt në zyrat e tyre. Vetë kreu i kësaj drejtorie, Hysen Arapi tha për "Gazetën Shqiptare" se jo vetëm që nuk kishte dijeni për ndonjë konflikt e aq më pak me biznesmenë, por saktësohet prej tij se paraditen e djeshme ka pasur angazhime të tjera që nuk kanë pasur të bëjnë me probleme ankandi. Në komisariatin nr.1 bëhet e ditur se janë shoqëruar 5 biznesmenë. Sipas të dhënave jozyrtare por konfidenciale të policisë, mësohet se të pranishëm për palën e tyre ishin konkretisht Muhamet Dunisha, i biri i tij, si dhe Vladimir Jorgji. Emrat e dy të tjerëve nuk bëhen të ditur, ndërkohë që tashmë gjithçka duket se ka marrë një rrjedhë "pajtimi" mes palëve, pasi sipas të dhënave, pronarët e firmave konkurruese i kanë tërhequr formularët e aplikimit edhe pse numrat e këtyre formularëve, sipas vetë aplikuesve, ishin të shënuara me laps.
No comments:
Post a Comment