(E plotësuar) Sa ka rezerva financiare shteti i Kosovës, edhe më shumë pasuri kanë politikanët vendorë. Qindra miliona euro është pasuria e zyrtarëve të lartë kosovarë, ku përfshihet pasuria e paluajtshme, aksionet në kompani të ndryshme, paratë e gatshme dhe veturat luksoze. Përderisa paratë e shtetit të Kosovës që mbahen në Bankën Qendrore të vendit nuk e kalojnë shumën prej 150 milionë euro.
Pasuria e zyrtarëve është publikuar të hënën nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit, përderisa nga viti 2007, kur e kanë deklaruar pasurinë, pasuria e politikanëve është shumëfishuar.
Në krye të listës së pasanikëve të politikës qëndron lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, i cili njëherit është edhe zëvendëskryeministër, me 176 milionë euro pasuri, pastaj deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramiz Kelmendi, dhe njëherit pronar i zinxhirit të hipermarketeve ETC me 56 milionë euro pasuri, deputeti i LDK-së, Hashim Deshishku, me 13 milionë euro pasuri, deputeti i “Vetëvendosjes”, Florin Krasniqi, me pasuri të vlerësuar rreth 10 milionë euro, etj.
Grabovci dhjetëfishoi pasurinë
Pasuria e shefit të deputetëve të partisë në pushtet(PDK), Adem Grabovci, në vitin 2012 ka arritur në mbi 1.6 milionë euro.
Pasuria e paluajtshme e Grabovcit është vlerësuar 1 milionë e 630 mijë euro, vetura të markave Audi A6, BMW dhe Golf 6, 21 mijë euro para të gatshme në bankat në vlerë prej 21 mijë euro.
Të ardhurat vjetore familjare të të tij janë rreth 30 mijë euro.
Në vitin 2007 Grabovci kishte qenë shumë më i varfër. Ai në atë kohë kishte deklaruar një banesë në vlerë prej 120 mijë euro dhe një veturë 12 mijë euro. Për pesë vjet pasuria e Grabovcit është dhjetëfishuar.
Ish- komandanti i UÇK-së, Azem Syla, ka deklaruar 170 mijë euro pasuri të paluajtshme, 30 mijë euro veturë të markës “Landrover”.
Deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi, ka deklaruar 255 mijë euro pasuri të paluajthshme dhe 17 mijë euro veturë.
Më i varfër se të gjithë deputetët është lideri i “Vetëvendosjes” Albin Kurti, i cili nuk ka deklaruar pasuri të paluajtshme. Ai ka deklaruar pagë vjetore nga Kuvendi prej më pak se 18 mijë euro dhe 1384 euro në vit të ardhura si kolumnist në gazetën “Zëri”.
Shefi i deputetëve të LDK-së, Ismet Beqiri, nuk e ka deklaruar pasurinë. Ndërsa bashkëpartiaku i Beqirit, Arben Gashi, ka deklaruar 150 mijë euro pasuri të paluajtshme, 35 mijë euro vetura, 15 mijë euro para të gatshme në banka.
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, ka deklaruar 460 mijë euro pasuri të paluajtshme, vetura në vlerë prej 15 mijë euro.
Berati më i pasur se Thaçi
Ish- gazetari, Berat Buzhala, i cili është deputet i PDK-së në Kuvend, nuk ua lëshon rrugën shumë politikanëve për pasuri. Ai madje është më i pasur se lideri i partisë dhe njëherit kryeministër, Hashim Thaçi.
Pasuri e paluajtshme e Buzhalës është 720 mijë euro, 39 mijë euro vetura, ndërsa para të gatshme 6000 euro. Të hyrat vjetore si deputet i Kuvendit dhe analist për media në IPKO të Buzhalës janë 50 mijë euro.
Numri dy i AAK-së, Blerim Shala, ka deklaruar pasuri të paluajtshme 100 mijë euro, 220 mijë euro para të gatshme, 5000 euro veturë të markës “Passat”.
Bashkëpartiaku i Shalës, Daut Haradinaj, ka deklaruar 210 mijë euro pasuri të paluajtshme, 50 mijë euro vetura, 11 mijë euro para të gatshme.
Deputeti i PDK-së nga Ferizaj, Elmi Reçica, ka deklaruar pasuri e paluajtshme në vlerë prej 215 mijë euro, veturë 15 mijë euro dhe 7000 euro para të gatshme.
Deputeti i “Vetëvendosjes” Florin Krasniqi ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 6.7 milionë euro, vetura 50 mijë euro,aksione në kompani të ndryshme 3.2 milionë euro dhe rreth 23 mijë euro para të gatshme.
Ish-ministri i Transportit, Fatmir Limaj, ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 900 000 euro, 45 mijë euro vetura.
Hashim Deshishku nga LDK ka deklaruar pasuri të palujtshme në vlerë prej 6.7 milionë euro dhe aksione në kompani të ndryshme në vlerë prej 6.5 milionë euro.
Latif Gashi nga PDK ka deklaruar pasuri të paluajtshme 340 mijë euro dhe 56 mijë euro vetura.
Ish-zëvendëskryeministri Lutfi Haziri ka deklaruar pasuri të palujtshme 1 milion e 650 mijë euro dhe 100 mijë euro para të gatshme.
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Lutfi Zharku, ka deklaruar pasuri e paluajtshme në vlerë prej 320 mijë euro, veturë në vlerë prej 14 mijë euro dhe 17 mijë euro para të gatshme.
Rexhep Selimi i “Vetëvendosjes” ka deklaruar pasuri të palujtshme 150 mijë euro dhe veturë 22 mijë euro.
Kelmendi, deputeti më i pasur
Pasuri dhjetëramilionëshe ka deklaruar deputeti i AAK-së, Ramiz Kelmendi. Pasuria e paluajtshme e tij është 46 milionë euro, 8 milionë euro pasuri të luajtshme dhe 2.8 milionë euro para të gatshme.
Kelmendi ka deklaruar edhe detyrime financiarë në vlerë prej 13 milionë euro, përderisa të hyrat e tij dhe bashkëshortes janë rreth 85 mijë euro.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, ka banesë në vlerë prej 200 mijë euro dhe 88 mijë euro para të gatshme.
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, ka pasuri të paluajtshme në vlerë prej 500 mijë euro, vetura në vlerë prej 41 mijë euro dhe 105 mijë euro para të gatshme.
Djali i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, Uka, ka pasuri të paluajtshme në vlerë prej 2.2 milionë euro dhe veturë në vlere prej 25 mijë euro.
Xhavit Haliti nga PDK ka pasuri të paluajtshme 2.1 milionë euro, 32 mijë euro pasuri të luajtshme dhe 160 mijë euro para të gatshme.
Ish-ministri i Bendshëm, Zenun Pajaziti, ka pasuri të paluajtshme 320 mijë euro, vetura 10 mijë euro.
176 milionë euro pasuria e Pacollit
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në formularët e Agjencisë Kundër Korrupsionit ka vetëdeklaruar se ka në pronësi tokë për ndërtimin e shtëpisë e cila ka vlerë prej 157 mijë euro, shtëpi në ndërtim në vlere prej 220 mijë euro, 180 mijë euro tokë bujqësore, 80 mijë euro shtëpi, 13 mijë euro veturë si dhe 22 mijë euro para të gatshme në bankë.
Zëvendësi i tij, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministër i Kosovës, ka deklaruar se ka 80 milionë euro aksione në kompani anonime që operojnë jashtë Kosovës, tokë 90 mijë euro, lokal afarist 700 mijë euro, tokë 111 mijë euro, tokë 223 mijë euro, tokë 73 mijë euro, tokë 244 mijë euro, lokal 89 mijë euro, lokal 900 mijë euro, tokë 126 mijë euro, tokë 44 mijë euro, tokë 336 mijë euro, tokë 326 mijë euro, tokë 6,6 milionë euro shtëpi 16 milionë euro, “Hotel Iliria” 24 milionë euro, “Hotel Grand” 3,3 milionë euro, vetura 194 mijë euro, kapital në Bankën Ekonomike 17 milionë euro, kapital në kompaninë e sigurimeve “Siguria” 22 milionë euro, si dhe 3, 6 milionë euro para të gatshme.
Edhe zëvendëskryeministri tjetër i Kosovës Bujar Bukoshi ka deklaruar se ka në pronësi një shtëpi në vlere prej 400 mijë euro, ambulancë 200 mijë euro, vreshtë dhe tokë 55 mijë euro, banesë 60 mijë euro, tokë 4500 euro, veturë 1000 euro si dhe para të gatshme 4100 euro.
Besim Beqaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik, në formularin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ka deklaruar se ka në pronësi shtëpi 232 mijë euro, 80 mijë euro tokë, 500 mijë euro tokë dhe shtëpi familjare, dy vetura në vlerë prej 62 mijë euro, si dhe 96 mijë euro para të gatshme.
Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve Evropiane, ka deklaruar se ka në pronësi dy banesa në vlerë prej 140 mijë euro, si dhe një veturë në vlerë prej 6500 euro.
Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë dhe zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, ka deklaruar se ka në pronësi 2 shtëpi në vlerë prej 400 mijë euro, tokë 17 mijë euro, veturë “Audi” 12 mijë euro, si dhe para të gatshme 7 mijë euro.
Bedri Hamza, ministër i Financave, ka deklaruar se ka në pronësi tokë pune prej 100 mijë euro, banesë 70 mijë euro, dy vetura në vlerë prej 20 mijë ero, si dhe 34 mijë e 500 euro para të gatshme në bankë.
Ramë Buja, ministër i Arsimit, ka deklaruar se ka në pronësi një banese në vlere prej 133 mijë euro, shtëpi 100 mijë euro, oborr 15 mijë euro, veturë 21 mijë euro.
Dardan Gashi, ministër i Planifikimit Hapësinor, ka deklaruar se ka në pronësi një banesë e cila ka vlere prej 500 mijë euro, shtëpi 230 mijë euro, shtëpi 300 mijë euro, veturë 7000 euro, 34 mijë euro para të gatshme dhe aksione në letra me vlerë.
Blerand Stavileci, ministër i Bujqësisë, ka deklaruar banesë prej 100 mijë euro, lokal prej 48 mijë euro, dy vetura 33 mijë euro, para të gatshme 3300 euro.
Ibrahim Makolli, ministër i Diasporës, ka deklaruar se ka në pronësi një banesë në vlere prej 60 mijë euro, veturë 5 mijë euro, para të gatshme 600 euro.
Mimoza Kusari, ministre e Tregtisë dhe Industrisë dhe zëvendëskryeministre e Qeverisë së Kosovës ka deklaruar 200 mijë euro banesë, 70 mijë euro shtëpi, 4500 euro para të gatshme.
Ferid Agani, ministër i Shëndetësisë, ka banesë në Prishtinë në vlere prej 150 mijë euro, banese 65 mijë euro, truall 25 mijë euro, automjet 15 mijë euro, inventarë në ambulance 10 mijë euro, inventar në shtëpi 10 mijë euro, stoli ari 3 mijë euro, para të gatshme rreth 1500 euro.
Agim Çeku, ministër i FSK-së, 2 shtëpi 300 mijë euro, 3 banesa 175 mijë euro, shtëpi dhe tokë 110 mijë euro, 3 vetura 19 mijë euro, para të gatshme rreth 2500 euro.
Radoica Tomiq, ministër për Kthim, vetëm një veturë 10 mijë euro.
Deputetët milionerë
1.Ramiz Kelmendi(AAK)
Pasuri e paluajtshme 46 milionë euro
Pasuri e luajtshme 8 milionë euro
Para të gatshme 2.8 milionë euro
Detyrime 13 milionë euro
2.Hashim Deshishku(LDK)
Pasuri e paluajtshme 6.7 milionë euro
Aksione 6.5 milionë euro
3.Florin Krasniqi(VV)
Pasuri e paluajtshme 6.7 milionë euro
Vetura 50 mijë euro
Aksione 3.2 milionë euro
Para të gatshme 23 mijë euro
Huazime 1.6 milionë euro
4.Ukë Rugova(Lista Ibrahim Rugova)
Pasuri e paluajtshme 2.2 milionë euro
Automobil 25 mijë euro
5.Xhavit Haliti (PDK)
Pasuri e paluajtshme 2.1 milionë euro
Pasuri e luajtshme 32 mijë euro
Para të gatshme 160 mijë euro
6.Lutfi Haziri(LDK)
Pasuri e paluajtshme 1 milion e 650 mijë euro
Para të gatshme 100 mijë euro
Të hyra familjare vjetore më pak se 30 mijë euro
7.Adem Grabovci(PDK)
Pasuria e paluajtshme 1 milion e 630 mijë euro
Vetura: Audi A6, BMW, Golf 6
Para të gatshme në banka 21 mijë euro
8.Fatmir Limaj(PDK)
Pasuri e paluajtshme 900 000 euro
Vetura 45 mijë euro
Kredi 40 mijë euro
Paga mujore 1300 euro
Pasanikët e Qeverisë
1. Behgjet Pacolli 176 milionë euro
2. Dardan Gashi 1 milion e 67 mijë euro
3. Besim Beqaj 970 mijë euro
4. Bujar Bukoshi 720 mijë euro
5. Hashim Thaçi 670 mijë euro
6. Agim Çeku 600 mijë euro
7. Hajredin Kuçi 435 mijë euro
8. Mimoza Kusari 274 mijë euro
9. Ramë Buja 270 mijë euro
10. Bedri Hamza 225 mijë euro
Pasuria e deklaruar më 2007
Hashim Thaçi= 360 000 euro
Fatmir Limaj= 900 000 euro
Adem Grabovci= 132 000 euro
Ramë Buja= 150 000 euro
Skënder Hyseni= 350 000 euro
Krasniqi, Hoxhaj, Rexhepi...
Pasuria e kryekuvendarit Jakup Krasniqi, Enver Hoxhaj, ministër i Punëve të Jashtme, Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, Sllobodan Petroviq, Fehmi Mujota, ministër i Infrastrukturës, Nenad Rashiq, ministër i Punës, Memli Krasniqi, ministër i Kulturës, Mahir Jagxhillar, ministër i Administratës Publike ende nuk është bërë publike.
“Ministri Enver Hoxhaj ka deklaruar pasurinë. Formulari është në proces të skenimit nga Agjencia Kundër Korrupsion dhe sot do të bëhet publikimi i saj”, ka thënë Artan Behrami, zëdhënës i MPJ-së.
Fakte
Presidentja veç 778 euro në bankë
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ndonëse jeton në Prishtinë, ajo fare nuk e ka deklaruar shtëpinë, apo banesën e saj.
Në formularin e Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK) presidentja ka deklaruar se ka në pronësi një veturë “Golf” në vlerë prej 6000 euro, si dhe 778 euro para në një bankë komerciale në vend.
Guvernatori me 13 llogari bankare
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Gani Gërguri, aktualisht e mban primatin për numër të madh të llogarive bankare. Guvernatori ka deklaruar se ka në shfrytëzim 13 llogari bankare në të cilat ai ka më shumë se 52 mijë euro.
Po ashtu, guvernatori ka deklaruar se ka në pronësi dy banesa, vlera e të cilave është 130 mijë euro, si dhe 33 ari tokë në vlere prej 13 mijë euro.
Smakaj 700 euro pagë mujore
Edhe shefi i Agjencisë së Intelegjecës, Bashkim Smakaj, nuk qëndron keq sa i përket pasurisë. Ai ka deklaruar se ka në pronësi një truall me vlere prej 60 mijë euro, dy shtëpi në vlere prej 115 mijë euro, tokë pune prej 100 mijë euro dhe katër hektarë mal në vlere prej 50 mijë euro.
Shefi AIK-ut po ashtu ka deklaruar se aktualisht në llogarinë e tij bankare i ka 12 mijë euro.
Hajdari me X5
Hajdar Beqaj, kryeshef i ndërmarrjes “Ibër Lepenc”, ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit se ka në pronësi një banesë në vlere prej 78 mijë euro, truall 50 mijë euro, shtëpi dhe truall në vlere prej 550 mijë euro, si dhe 150 mijë euro pyll. Beqaj po ashtu ka deklaruar se ka në pronësi një veture BMW X5 në vlerë prej 30 mijë euro.
Gjukaj 8 mijë euro stoli ari
Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj, ka deklaruar se në llogaritë e tij bankare ai ka të deponuara hiç më pak se 86 mijë euro. Ai po ashtu ka deklaruar se ka në pronësi një truall dhe një sipërfaqe të tokës, por për asnjërën nga to nuk ka caktuar çmim.
Drejtori Gjukaj po ashtu ka deklaruar se ka edhe një veture në vlere prej 6500 euro, si dhe 8 mijë euro stoli ari.
Lavdim Hamidi & Enis Veliu | 22-05-2012 02:17 CET
No comments:
Post a Comment