Total Pageviews

Friday, December 2, 2011

Trafikimi i qenieve njerëzore, problem në rritje



STRASBURG- Këshilli i Evropës, Grupi i Ekspertëve mbi masat Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore (GRETA) ka publikuar sot raportin e parë të vlerësimit për Shqipërinë.

Në raportin e tij, GRETA vë në dukje masat e rëndësishme të marra nga autoritetet shqiptare për të parandaluar dhe luftuar trafikimin e qenieve njerëzore. Këto masa kanë përfshirë ngritjen e një zyre kombëtare për luftën kundër trafikimit dhe krijimin e një mekanizmi kombëtar referues për identifikimin dhe ndihmën për viktimat e trafikimit.

Megjithatë, GRETA mendon se autoritetet shqiptare duhet t’i kushtojnë me shume vëmendje problemit të trafikimit në Shqipëri, i cili thuhet se është në rritje. Nevojiten më shumë kërkime me qëllim hedhjen sa më shumë dritë mbi këtë çështje dhe marrjen e masave për të ardhmen.

Ka pasur rritje të ndërgjegjësimit, por GRETA konsideron se më shumë duhet të bëhet për të luftuar stereotipet dhe paragjykimet ndaj grupeve të margjinalizuara, të cilat nxisin trafikimin dhe parandalojnë riintegrimin e viktimave. GRETA gjithashtu u kërkon autoriteteve shqiptare të shtojnë veprimin në nxitje të përfshirjes në arsim dhe punë për anëtarët e grupeve vunerabël ndaj trafikimit.

Në fushën e ndihmës për viktimat, GRETA u kërkon autoriteteve shqiptare të sigurojnë që të gjitha masat e ndihmës të parashikuara nga ligji janë të garantuara në praktikë, duke siguruar financim adekuat për organizatat joqeveritare që veprojnë si ofruese të shërbimeve. Vëmendje e posaçme duhet t’i kushtohet përmirësimit të bashkëpunimit me vendet e destinacionit në lidhje me riatdhesimin e viktimave.

Përveç kësaj, GRETA u kërkon autoriteteve shqiptare të forcojnë masat për mbrojtjen e viktimave të trafikimit, duke marrë në konsideratë situatën e veçantë të fëmijëve viktima, pavarësisht nëse ato kanë rënë dakord të marrin pjesë në procedurat gjyqësore. Më tej, GRETA mendon se autoritetet duhet të ndërmarrin hapa për të siguruar që legjislacioni në lidhje me konfiskimin e produkteve të veprave penale të trafikimit të zbatohet, dhe se viktimat e trafikimit mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për kompensim.

Raporti i publikuar sot është nga GRETA është përgatitur në konsultim me autoritete relevante dhe organizatat joqeveritare dhe ndërkombëtare aktive në fushatat kundër trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri. Mësohet se para publikimit të raportit, një draft i është dërguar edhe autoriteteve shqiptare, dhe se komentet e tyre janë përfshirë në raportin përfundimtar të miratuar nga GRETA.

12/02/2011

No comments:

Post a Comment