Publikuar: 27.12.2011 - 20:23
Në këtë periudhë festash ndjeva një nevojë të shkruaja diçka të mirë për Kosovën, me kushtin e domosdoshëm profesional gazetaresk që të jetë edhe e vërtetë. Si shpëtimtare më erdhi një anketë e Fondacionit Bamirës Botëror për indexin ndërkombëtar të bamirësisë që nxjerr kosovarët si popullin më bamirës në rajon. Ja pra diçka e mirë për të cilën jemi të parët, ndonëse mbetemi më të varfrit
Fundi i vitit, afrimi i festave të Kërshëndellave dhe i Vitit të Ri, është një periudhë reflektimi kur njerëzit mendojnë më shumë për të afërmit e tyre, për familjet, por edhe për ata që nuk janë të afërt e kanë nevojë për përkujdesje, që dikush të mendojë edhe për ta dhe t’u ndihmojë. Sidomos nëpër vendet e zhvilluara perëndimore dukshëm rriten kontributet për ndihma humanitare, televizionet organizojnë spektakle të mbledhjes së donacioneve, njëlloj bëjnë kompanitë e mëdha, organizatat fetare, shkollat dhe asociacionet e ndryshme. Është një kohë kur njerëzit bëhen më të dashur, më pak të vrazhdë dhe më të butë seç janë gjatë tërë vitit. Mundohen t’i lënë për një kohë anash lajmet e këqija dhe të mendojnë për gjëra të mira.
Edhe unë këto ditë ndjeva një nevojë që të shkruaja diçka të mirë për vendin tim, për Kosovën. Ndjeva këtë ide, sepse nganjëherë gazetarët e kanë një lloj roli të “avokatit të djallit” kur duhet të raportojnë për gjithçka që ndodh, e ato janë shpesh negative. Kosova është vendi më i varfër në rajon. Kosova nuk njihet nga 5 shtetet e BE-së, gjë që e lë jashtë rrugës formale të integrimit në BE. Populli i Kosovës është i vetmi në rajon që nuk ka liberalizim vizash. Në Kosovë krimi i organizuar dhe korrupsioni janë shumë të përhapur dhe nuk ka sa duhet luftë kundër këtyre dukurive. Edhe shpëlarja e parave është dukuri me të cilën shpesh identifikohet Kosova. Ka pasur rritje edhe të dukurive të tjera të këqija. Këto kanë qenë shpesh thënie në Bruksel, kushtuar Kosovës në vitin që po lëmë pas. Për këto kam shkruar shpesh në vitin 2011. Dhe tash doja me doemos që të shkruaja diçka të mirë për Kosovën, por me kushtin e domosdoshëm profesional gazetaresk, që ajo që shkruaj të jetë edhe e vërtetë. Çka të gjej të mirë në këto rrethana jo edhe aq të mira.
Si shpëtimtare më erdhi një anketë e Fondacionit Bamirës Botëror, që i nxjerr kosovarët si popullin më bamirës në rajon. Kjo anketë, nga 153 shtete ku janë bërë anketat, Kosova radhitet në vendin e 71-të për nga bamirësia e qytetarëve të saj duke u radhitur kështu bindshëm si e para në rajonin e Ballkanit dhe duke qenë diku në mesataren botërore. Deri tek këto rezultate është arritur përmes anketës së organizatës Gallup, e cila ka anketuar njerëzit duke i pyetur: “Sa keni dhënë para për çështje humanitare muajin e fundit, a keni punuar vullnetarisht për ndonjë organizatë humanitare, a i keni ndihmuar ndonjë personi të panjohur?”
Rezultatet e këtij publikimi janë shokuese për disa popuj të cilët mendojnë se janë shumë humanitarë e sidomos për ata që mendojnë se popujt e zhvilluar të botës veriperëndimore janë më egoistë sesa ata të Jugut dhe Lindjes që, sipas disa paragjykimeve, do të duhej të ishin më zemërgjerë. Për shembull, në vendin e parë për nga bamirësia janë amerikanët e pas tyre Australia dhe Zelanda e Re. Nga evropianët shtetet me popullatë më bamirëse janë Irlanda dhe Britania e Madhe që ndajnë pozitën e 5 në botë e pas tyre është Holanda. E pikërisht holandezët konsiderohen në paragjykime si koprracë dhe për këtë ka edhe shumë barsoleta. Shtetet jugore të Evropës me popullatë kryesisht katolike do të duhej të mendohen mirë, sepse shumë flasin për humanizëm dhe pak bëjnë. Portugalia për shembull është e 127-ta në botë dhe Italia zë vendin e 104-të. Disa shtete e kanë marrë shumë seriozisht këtë anketë, ndërsa radiostacionet në Perëndim parashikojnë që në predikimet gjatë meshave të festave nëpër kisha të zërë vend edhe kritika për ulje të gatishmërisë për të bërë mirë. As shtetet me popullatë myslimane në Lindjen e Mesme nuk qëndrojnë shumë lartë në listë, edhe pse shumë flasin për fenë që bamirësinë e kushtëzon edhe si obligim të besimtarëve. Me përjashtim të Katarit, në pozitën e 19-të, Emirateve të Bashkuara Arabe në pozitën e 47-të dhe Kuvajtit në vendin e 52-të, shtetet e tjera nuk kanë popullatë që do të mburrej se kanë bërë shumë vepra të mira në ndihmë të tjerëve.
E rajoni i Ballkanit qëndron jashtëzakonisht keq. Kroatët në pozitën e 149-të. Fqinji i tyre verior, Sllovenia, për qytetarët e të cilëve kroatët tregojnë barsoleta për koprraci, janë për 110 vende më mirë në pozitën e 36-të në botë. As maqedonasit në pozitën e 132-të, malazezët në pozitën e 144-të, Bosnja po ashtu ndan pozitën e 144-të, serbët në atë të 147-të nuk qëndrojnë mirë për nga bamirësia. Ndonëse kryetari i shtetit e ka emrin “Bamir” bashkëkombësit tanë në Shqipëri janë të fundit në rajon për nga indexi i bamirësisë dhe në mesin e vendeve të fundit në botë për nga bamirësia, duke zënë vendin e 150-të. Më keq se Shqipëria janë vetëm edhe Greqia në pozitën 151-të dhe Burundi në pozitën e 153-të. Pra, është një rezultat i jashtëzakonshëm i Kosovës që të jetë dy herë më e mirë sesa të gjitha vendet e rajonit në gatishmërinë e qytetarëve të saj për të bërë mirë.
Ja pra diçka e mirë për të cilën jemi të parët në rajon, ndonëse mbetemi më të varfrit. Si popull që kemi përfituar nga mirësia e të tjerëve, si popull ku edhe varfëria tejkalohet falë ndihmave njëri-tjetrit, duhet ruajtur këtë virtyt dhe të mendojmë gjatë tërë vitit e jo vetëm tash në kohët e festave.
No comments:
Post a Comment