Flamur Vezaj
TIRANË- Tre burgim të përjetshëm, 127 vite e 6 muaj burg, 80.9 milionë lekë të reja gjobë dhe një “pafajësi” kërkoi dje prokuroria për 27 njerëzit e akuzuar për tragjedinë e Gërdecit. Burgimi i përjetshëm është kërkuar për Mihajl Delijorgjin, Dritan Minxhollin dhe Ylli Pinarin në një kohë kur të tre këta persona janë të lirë sepse u kanë mbaruar afatet e qëndrimit në paraburgim. Ata do të presin vendimin e gjykatës nga shtëpitë e tyre dhe nëse shpallen fajtorë do të paraqiten vetë tek dera e burgut së bashku me rrobat që do të marrin me vete. Situatë paksa absurde dhe në dukje e pavërtetë pasi vështirë se gjen një njëri që të presë kaq qetësisht burgun e përjetshëm, por ky është ligji shqiptar. Dënimet e kërkuara nga prokuroria janë kundërshtuar nga familjarët e viktimave. Ata kërkonin dënimin me burgim të përjetshëm të të gjithë të pandehurve.
Sipas prokurorisë, të pandehurit Mihal Delijorgji, kunati i tij Dritan Minxholli dhe ish-drejtori i kompanisë shtetërore pranë Ministrisë së Mbrojtjes MEICO, i pandehuri Ylli Pinari duhet të dënohen me burgim të përjetshëm. Ky i fundit, lajmin e masës së dënimit të kërkuar nga Prokuroria e ka marrë nga avokati i tij mbrojtës, në ambientet spitalore ku është shtruar dy javë më parë pasi ka kaluar një para-infarkt. Edhe Delijorgji e kunati i tij, Minxholli nuk preferuan që të paraqiteshin dje në gjykatë gjatë leximit të konkluzioneve nga prokuroria.
Përveç tre dënimeve me “burg të përjetshëm” për konsumimin e veprave penale të “vrasjes në rrethana cilësuese” më shumë se një herë, përfaqësuesit e prokurorisë kërkuan që 25 të pandehurit e tjerë të këtij procesi të dënohen me 127 vite e 6 muaj burg në total dhe 80 milionë e 900 mijë lekë të reja gjobë.
24 të pandehur janë ushtarakë ose funksionarë shtetërorë dhe për ta prokuroria kërkoi që të ndalohen për 95 vjet nga postet drejtuese në ushtri apo në administratë publike. Ndërsa, për një nga të pandehurit e këtij procesi, organi i prokurorisë tërhoqi akuzën për hetime të mëtejshme.
Për herë të parë në historinë e drejtësisë shqiptare, prokuroria kërkoi nga togat e zeza që të deklarojë një person juridik fajtor njësoj si një person fizik. Dje prokuroria kërkoi dënimin e shoqërisë “Albademil” sh.p.k. për kryerjen e veprës penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” të kryer në bashkëpunim në dëm të 26 personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave të tjerë. Gjithashtu, kërkoi që po kjo kompani të deklarohet fajtor edhe për kryerjen e veprës penale të “shkatërrimit të pronës me eksploziv” e kryer në bashkëpunim dhe dënimin e saj në total me 75 milionë lekë të reja.
Sipas prokurorisë, të 28 të pandehurit, për të cilët organi i akuzës kërkoi masat e dënimit, kanë konsumuar veprat penale të “vrasjes në rrethana cilësuese” ndaj 26 personave, “shkatërrimit të pronës me eksploziv” duke shkaktuar dëme të rënda materiale në vlerë 2.243.843.616 lekë, e cila përfshin shkatërrimin e pronës private në vlerë 2.141.343.616 lekë dhe shkatërrimin e pronës publike në vlerë 102.500.000 lekë. “Shpërdorim të detyrës”; “shpërdorim të detyrës në kuadër komandues” dhe akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve” në bashkëpunim.
Dënimet dhe posti i çdo të pandehuri në tragjedinë e Gërdecit
Mihal Delijorgji është cilësuar nga prokuroria si njeriu me më shumë përgjegjësi për tragjedinë e Gërdecit. Për të është kërkuar që të kalojë të gjithë jetën në burg dhe nga ana tjetër të mos ushtrojë ndonjë funksione drejtues në ndonjë aktivitet të ndryshëm për 10 vjet. Nëse Delijorgji dënohet me burg përjetë duhet të mos drejtojë asnjë aktivitet në burg ose ky është një tregues që dënimi nuk do të jetë kaq i ashpër.
Për Ylli Pinarin, përveç masës së dënimit kapital, prokuroria kërkoi që të paguajë edhe një shumë prej dy milion lekëve të reja në formë gjobe. I vetmi i pandehur që ndodhej në sallën e gjyqit dhe që akuzohej për “vrasje” ishte Sokol Ngjeçi për të cilin prokuroria kërkoi dënimin e tij me 23 vite burg. Dënime me burg, për prokurorinë, duhet të jepen edhe për ish-krerët e lartë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe atyre që tashmë janë në detyrë pranë Shtabit të Përgjithshëm apo Ministrisë së Mbrojtjes.
Për ish-Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë gjeneral Luan Hoxha, ish-komandantin e Forcës së Bashkuar, gjeneral Shpëtim Spahiu, ish-drejtorin e Logjistikës pranë Ministrisë së Mbrojtjes njëherazi ish-kryetar i Komisionit të Kategorizimit të Municioneve Dashnor Çaushaj dhe ish-drejtorin e Menaxhimit të Instalimeve dhe Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, Shkëlzen Madani organi i akuzës kërkoi dënimin me nga 8 vjet burg secilin. Për këtë të fundit, akuza kërkoi që të dënohet përveç dënimit me burg edhe me gjobë prej 2 milion lekë të reja. Gjithashtu, për këta të pandehur, Hoxha, Spahiu, Çaushaj dhe Madani prokurori kërkoi që për pesë vitet e ardhshme të mos ushtrojnë asnjë funksion drejtues apo publik.
Për ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes Ardian Mullai që mbante këtë detyrë në kohën e ngritjes së fabrikës së demontimit, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 7 vite burg dhe për 5 vitet e ardhshme t’i hiqet e drejta e ushtrimit të funksioneve publike. Për ish-komandantin e Komandës Mbështetëse, Zija Bahja prokuroria kërkoi dënimin e tij me 6 vite burg dhe 4 vitet e ardhshme pas burgut të mos ushtrojë funksione publike. Ndërkaq, për ish-ushtarakët dhe civilët e Ministrisë së Mbrojtjes, të pandehurit Agim Lala, Hilmi Laçaj, Jorgo Mino, Fahri Toska, Agim Babameto, Rezart Tërshana dhe Hysni Çoçka prokuroria kërkoi dënimin me nga 4 vjet heqje lirie.
Për të pandehurit Armand Tartari dhe ushtarakut Zenun Ferro prokuroria kërkoi dënimin e tyre me nga 4 vjet e 6 muaj burg. Për ish-anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Çmimeve të fishekëve Fatbardh Kuçi, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari dhe Besnik Dauti prokuroria kërkoi dënimin me nga 3 vjet e 6 muaj burg secilit. Akuza për të pandehurin Ndue Marku kërkoi dënimin e tij me 3 vite burg dhe 400 mijë lekë të reja gjobë. Ndërkaq, për të pandehurit Juliana Margariti prokuroria kërkoi dënimin me 2 vjet e 6 muaj burg dhe 300 mijë lekë të reja gjobë.
Për Fiqiret Maton akuza kërkoi dënimin e tij me 2 vite burg dhe 1 milion lekë të reja gjobë. Për ish-sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes në kohën e shpërthimit të Gërdecit të pandehurin Ardian Mema prokuroria kërkoi dënimin e tij me 1 vit e 200 mijë lekë gjobë. Ndërkohë, për ish-drejtorin e Uzinës së Poliçanit të pandehurin Lavdi Shatro, firmën e të cilit e kishin falsifikuar, prokuroria tërhoqi akuzat për hetime të mëtejshme. Ndërsa prokuroria kërkoi nga togat e zeza të shpallë fajtore shoqërinë “Albademil” dhe ta dënojë atë me 75 milion lekë të reja gjobë dhe për 20 vitet e ardhshme kompania të mos kryejë demontim të municioneve.
Maksim Haxhiaj, avokati i Delijorgjit: Prokuroria i shërben klaneve për qëllime politike
“Pretenca e lexuar nga prokuroria ka transmetuar dy mesazhe. Një që Prokuroria është katandisur në pikën më të errët që ka qenë ndonjëherë organi i akuzës në Shqipëri, pasi tregoi që vetëm profesionalizëm nuk ka në atë institucion. Ky qëndrim i prokurorisë nuk do t’i shërbej drejtësisë së këtij procesi gjyqësor. Pasi në qëndrimin e saj tregoi se i shërben klaneve të caktuara për të arritur synimet e tyre politike. Organi i akuzës, u përdor në këtë rast nga duart e atyre klaneve politike që i shërbejnë “luftës” së brendshme të tyre. Edhe gjyqi i Nurenbergut nuk ka dhënë dënime më të larta. Kjo tregoj edhe njëherë se organi i akuzës, kërkoi dënime maksimale për ata persona që nuk kanë lidhje me shkaktarët dhe pasojat e asaj çfarë ka sjell shpërthimi duke i lënë të lirë fajtorët e vërtetë”,- tha ndër të tjera avokati Haxhiaj mbrëmw për “Shekullin”.
Arben Prifti, avokati i Minxhollit: Pretenca e prokurorisë, absurde
“Nuk pajtohemi me qëndrimin e mbajtur nga Prokuroria, pasi në asnjë rast nuk mund ta pranojmë faktin se akuzat për “vrasje” të ngritur ndaj klientit tim qëndrojnë. Pasi të dy këto vepra penale, për të cilat prokuroria kërkoi burgim të përjetshme e parashikojnë “dashjen” dhe nuk mund të pranoj faktin se klienti im ka dashur të ndodh një gjë e tillë. Sipas prokurorisë, Dritan Minxholli punonte 24 orë në ditë në këtë fabrikë dhe paska pasur dëshirë që shpërthimi të ndodh, kjo është absurde dhe ne do të ndjekim të gjithë rrugët ligjore për të fituar drejtësinë”-tha avokat Prifti mbrëmw për “Shekullin”.
Bashkim Asllani, avokati i Pinarit: Pinari zbatoi urdhrat e ministrit dhe KM-së
“Unë ndodhem me klientin tim këtu në Spital ku ndodhet i shtruar dhe po i komunikoj pretendimet absurde të prokurorisë. Ky qëndrim i organit të akuzës është jashtë çdo linje profesionale të mbajtur deri më tani. Gjatë procesit gjyqësor ne pritwm që organi i akuzës të korrigjonte veprimet e saja të nxituara, shkeljet procedurale gjatë fazës së hetimit si dhe vënien para drejtësisë të autorëve të vërtetë. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi organi i akuzës jo vetëm që nuk rregulloi ato gabime antikushtetuese, por vazhdoi t’i shkelë duke bërë që të dyshojmë se ky qëndrim i prokurorisë është urdhëruar nga të tjerë apo është mbajtur në kuadër të ndonjë presioni. Klienti im ishte drejtues i një ndërmarrje civile pranë Ministrisë së Mbrojtjes, që funksiononte në bazë të urdhrave të ministrit dhe vendimit të Këshillit të Ministrave. Vendime këto që vazhdojnë të jenë në zbatim edhe tani që po flasim nga zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes. Dhe si ka mundësi që klienti im paska bërë shkelje pse i ka zbatuar këto vendime dhe të tjerët vazhdojnë t’i zbatojnë edhe sot”-tha avokati Asllani.
Ylli Pinari, ish-drejtoir i MEICO: Jam në spital, kam pësuar para-infarkt
“Ndodhem prej dy javësh i shtruar në Spital, pasi kam disa probleme shëndetësore. Ku kam pësuar një para-infarkt dhe po vazhdoj të jem nën kujdesin mjekësore duke marrw mjekimet e nevojshme. Tani që po flasim, kam në dhomë avokatin tim, i cili më ka sjellw konkluzionet e prokurorisë me të cilat po njihem me detaje. Nuk më duket ndonjë gjë ndryshe nga ato që kam lexuar në mbyllje të fazës hetimore. Kështu që po konstatoj se shtetit i ka kushtuar rreth 4 milion dollarë hetimi dhe gjykimi i kësaj dosje, që për mua përsëri po e them se hetimi ka mbetur në ditën e parë të arrestimit tonë. Konkluzionet e prokurorisë, më duken jo profesionale sepse në asnjë rast nuk i gjej të renditura dëshmitë e dëshmitarëve dhe ekspertëve të dhënë para Gjykatës së Shkallës së Parë. Në konkluzione po shoh vetëm ata dëshmi që janë dhënë në fazën e hetimit dhe nuk po shoh ndonjë ndryshim nga ato me të cilat jam njohur në mbyllje të fazës hetimore. Për këtë fakt, konstatoj se prokuroria nuk është treguar profesionale. Procesi gjyqësor, ishte një histori e gjatë që përfundoi me të njëjtin argument si në mbyllje të hetimeve. Në ditët në vazhdim së bashku me avokatin do të bëjmë një analizë të këtyre konkluzioneve dhe do të paraqesim pretendimet tona, ku do të provoj se implikimi im në vrasjen e atyre personave ka qenë i gabuar nga ana e prokurorisë. Do t’i vëmë në dukje shkeljet procedurale, ligjore por gjithçka me kohën dhe një ditë drejtësia do të triumfowj”-tha për “Shekullin” Ylli Pinari.
PRETENCA PËR TË PANDEHURIT E TJERË
Mihajl Delijorgji, me burgim të përjetshëm
Dritan Minxholli, me burgim të përjetshëm
Ylli Pinari, me burgim të përjetshëm dhe 2 milion lekë të reja gjobë
Sokol Ngjeçi me 23 vite burg
Shkelzen Madani me 8 vite burg dhe 2 milion lekë të reja gjobë
Shpëtim Spahiu me 8 vite burg
Luan Hoxha me 8 vite burg,
Dashnor Çaushi me 8 vite burg
Ardian Mullai me 7 vite burg
Zija Baja me 6 vite burg
Armand Tartari me 4 vite e 6 muaj burg
Zenun Ferro me 4 vite e 6 muaj burg
Agim Lala, me 4 vite burg
Fari Toska me 4 vite burg
Agim Babameto me 4 vite burg
Hilmi Laçaj me 4 vite burg
Jorgo Mino me 4 vite burg
Rezart Tërshana me 4 vite burg
Hysni Çoçka me 4 vite burg
Fatbardh Kuçi me 3 vite e 6 muaj burg
Gëzim Oshafi me 3 vite e 6 muaj burg
Denis Hajdari me 3 vite e 6 muaj burg
Besnik Dauti me 3 vite e 6 muaj burg
Ndue Marku me 3 vite burg dhe 400 mijë lekë gjobë
Juliana Margariti me 2 vjet e 6 muaj burg dhe 300 mijë lekë të reja gjobë
Fiqiret Maton me 2 vite burg dhe 1 milion lekë të reja gjobë
Ardian Mema me 1 vit e 200 mijë lekë të reja gjobë
Personi Juridik “Albademil” me 75 milion lekë gjobë
Lavdi Shatro, prokuroria tërhoqi akuzën
No comments:
Post a Comment