Total Pageviews

Wednesday, October 12, 2011

Hoxha: Kryetarët e grupeve, lidhje korruptive me zonat


Deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Hoxha, mbështet Leonard Demin sa i përket skemës së kësaj force politike me kryetarë të grupeve të punës nëpër rrethe. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai shprehet se kjo lidhje e shkurtër që është krijuar mes “kryedeputetëve” dhe të zgjedhurve të partisë në rrethe, është antipërgjegjshmëri, është klienteliste, nepotike dhe, në disa raste, korruptive. “Pavarësisht se kush është kryetar i grupit të punës, sado i aftë të jetë ai, në mënyrë që grupet e punës të funksionojnë siç duhet, është i nevojshëm përcaktimi i rregullave dhe kompetencave të qarta. Në të kundërt, rrezikohet të kthehemi në një situatë ku një person kthehet në ‘vetë Ali dhe vetë kadi’”, shprehet Hoxha.
Zoti Hoxha, një javë më parë, deputeti i PD-së, Leonard Demi, foli për një lidhje mes të zgjedhurve të partisë në rrethe dhe krerëve të gupeve të punës, që, sipas tij, i bën emërimet jotransparente. A ekziston ky fenomen sipas jush?
Një shqetësim i deputetit Leonard Demi, i shprehur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe i lakuar edhe në shtyp, hap në mënyrë të paevitueshme debatin për rolin e deputetit në ngrehinën e pushtetit. Në kushtet kur në Shqipëri vetëm kryetarët e komunave dhe të bashkive zgjidhen drejtpërdrejt nga populli, roli, vendi dhe hapësira e ligjvënësve ka ndryshuar, jo në kuptimin e funksionit bazë të punës së tyre në Kuvend, por në raport me qytetarët e zgjedhësit. Një deputet e ka në adrenalinën e tij kontaktin me zgjedhësit, është skaneri i domosdoshëm i problemeve, shqetësimeve dhe halleve të komunitetit. Është përçuesi, por edhe njeriu që u jep zgjidhje atyre problemeve që mund të zgjidhen me ndërhyrjen e tij. Deputeti Demi tha se “kryetarët e grupeve të punës kanë krijuar lidhje të shkurtër me të zgjedhurit e partisë në qarqe”. Të ashtuquajturat “grupet e punës” janë grupi i deputetëve të një qarku me një kryetar të zgjedhur nga radhët e tyre, si i parë midis të barabartëve. Grupi i punës ka për detyrë të bëjë menaxhimin politik të punëve në qarqe, me përgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë e nivelit më të lartë, atë të deputetit.
Sipas jush, ekziston kjo “lidhje e shkurtër”? A ka pasoja politike kjo lidhje për PD?
Lidhja e shkurtër, nga ana tjetër, është e kundërta e tij, është antigrupi. Për pasojë, është dhe antipërgjegjshmëri. Lidhja e shkurtër nuk është parimore, nuk është demokratike, nuk është politike, është klienteliste, nepotike, jo rezultative dhe në disa raste korruptive. Por, lidhja e shkurtër ka dhe një pasojë politike afatgjatë tepër të dëmshme dhe që duhet luftuar me forcë. Në kushtet kur, ta zëmë, problemeve në një qark të caktuar i jep “drejtim” vetëm kryetari i grupit të punës, qoftë ky deputet apo ministër, minimizohet roli i deputetit dhe bëhet gati i pamundur kontakti me zgjedhësit si për të përçuar arritjet dhe rezultatet, ashtu dhe për të marrë përsipër zgjidhjen e telasheve apo problemeve në zonë. Lidhja e shkurtër prish atmosferën në bazë, mbjell padrejtësinë, ngjall konfliktet, zhgënjimin, pakënaqësinë dhe deputeti nuk ka më asnjë instrument për të ndërhyrë, për të vendosur ekuilibra, për të paqtuar apo korrigjuar, sepse grupi (bashkë me të dhe deputeti) nuk kanë më peshë. Pavarësisht se kush është kryetar i grupit të punës, sado i aftë të jetë ai, në mënyrë që grupet e punës të funksionojnë siç duhet, është i nevojshëm përcaktimi i rregullave dhe kompetencave të qarta. Në të kundërt, rrezikohet të kthehemi në një situatë ku një person kthehet në “vetë Ali dhe vetë kadi”.
Ngritja e strukturave në rrethe me kryetar të grupit të punës u bë gjatë zgjedhjeve të vitit 2009, për shkak edhe të ndryshimit të sistemit zgjedhor. Gjatë kësaj periudhe ka pasur mbledhje dhe konsultime mes këtyre grupeve?
Ka raste që grupet edhe mblidhen, debatojnë dhe konkludojnë për probleme të rëndësishme, emërtesash apo dhe të tjera, por jo gjithmonë zgjidhja vjen nga konsultimi në grup, pasi “kryetari i grupit” e ka më të kollajtë lidhjen e shkurtër. Kjo ndodh rëndom, sidomos kur linja, pozicioni apo përzgjedhja e tij është e dobët, nuk ka argument, nuk ka mbështetje apo justifikim politik. Sot vihen re raste ku puna e dobët e ndonjë drejtuesi lokal nuk sjell kurrë nxjerrjen përpara përgjegjësisë apo shkarkimin e tij, sepse lidhja e shkurtër nuk e lë kryetarin e grupit të veprojë, pavarësisht se të gjitha këto janë pasoja që rëndojnë në qeverisje. Me këtë mënyrë veprimi, “kryetari i grupit” tregon se është i vetmi të cilit mund t’i adresohen dhe se vetëm ai mund të zgjidhë probleme. Lidhja e shkurtër që krijohet nga “kryetari i grupit” me drejtues të institucioneve në qarqe i bën këta të fundit të paprekshëm edhe në rastet kur ka abuzim me detyrën. Këta drejtues institucionesh nuk duan t’ia dinë për detyrën dhe për askënd, pasi e “kanë mirë” me kryetarin. Marrja e vendimeve në grup dhe përçimi i tyre poshtë si vendime të grupit, do të përmirësonte ndjeshëm qeverisjen vendore dhe atë qendrore.
Si mund të zgjidhet kjo situatë kur tani jemi në vitin e tretë të këtij mandati?
Para zgjedhësve janë të gjithë njësoj, si kryetari grupeve të punës, ashtu dhe deputetët. Në ditën e zgjedhjeve votuesit nuk do të gjykojnë se sa mirë është sjellë apo sa i zoti ka qenë një person, qoftë ky edhe babaxhan, por do të gjykojnë për qeverisjen dhe arritjet e saj, dhe arritjet nuk mund t’i përçojë dot një njeri i vetëm. Kjo është në rastin më të mirë. Në rastin më të keq, për fat të keq, vihen re tendenca që me anë të lidhjeve të shkurtra, kryetarët e grupeve injorojnë kolegët e tyre deputetë dhe jo vetëm që nuk zgjidhin hallet dhe problemet ekzistuese, por shpikin dhe nxjerrin probleme artificiale. Parakusht për të realizuar një enë komunikuese funksionuese mes zgjedhësve dhe deputetëve është që këtyre të fundit t’u lihet hapësira dhe të kenë peshën e nevojshme për të zgjidhur dhe adresuar çdo problem dhe shqetësim të qytetarëve. Me mbylljen e gjysmës së mandatit të dytë, është koha për të parë funksionimin e skemës me “kryetarët e grupeve”. Në krye të “grupeve të punës” ka edhe njerëz shumë të ngarkuar me funksione të tjera, ministra që kanë vite që punojnë me ngarkesë të plotë dhe të zgjedhur në forumet kryesore të partisë, që pavarësisht energjisë, dëshirës dhe kurajës, i pengon axhenda e ngarkuar për të qenë kudo dhe kurdo që del një problem në bazë. Shqetësimi i deputetit Demi është i drejtë dhe duhet adresuar pa humbur kohë.

ADI SHKEMBI

No comments:

Post a Comment