Emri i Shkëlzen Berishës është shfaqur disa herë në dosjen hetimore të “Gërdecit”, por ai ai, ashtu edhe i ati Sali Berisha, e kanë mohuar këtë fakt. Asnjë dëshmitar nuk ka pranuar të flasë me emër dhe të drejtojë gishtin tek djali i kryeministrit. Një raportim i ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxhës, në Ambasadën Amerikane në Tiranë, (kabllogram i zbardhur nga Wikileaks) zbulon arsyen përse askush nuk dëshmon kundër Shkëlzen Berishës. “Shkëlzen Berisha më ka marrë në telefon dhe më kërkonte më shumë fushekë në Gërdec. Unë nuk ia kam thënë këtë gjë prokurorisë pasi kam frikë për jetën. Shumë njerëz e dinë këtë informacion, por askush nuk pranon të dëshmojë:,- ka thënë Hoxha në Ambasadë. Më pas zyrtarët e ambasadës kanë analizuar situatën dhe i kanë raportuar Uashingtonit se të dhënat e tyre tregojnë që Luan Hoxha të ketë të drejtë.
Titulli: Ish-Shefi i Shtabit tregon historinë e tij: Gërdeci pretendon një viktimë tjetër
“Këmbëngulja dhe entuziazmi i ngjarjeve të fundit politike nga ndryshimet e diskutueshme kushtetuese në mes të prillit tek emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë në mes të qershorit nuk kanë shumë peshë…
Në klimën e nxehtë politike, ish-Shefi i Shtabit, Luan Hoxha, kërkoi një takim me ambasadorin për të diskutuar shkarkimin e tij pak kohë më parë, bashkëpunimin e tij me prokurorinë dhe këndvështrimin për atë që ndodhi në Gërdec.
Në një takimin e 17 qershorit, Shefi i sapo shkarkuar i Shtabit, Luan Hoxha tregoi anën e tij të historisë së Gërdecit. Ndryshe nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili ia hedh fajin e Gërdecit ushtarakëve, Hoxha deklaron se nga këndvështrimi i tij, Mediu mori të gjitha vendimet që nga zgjedhja e gërdecit për për të shkatërruar municionet, tek çfarë lloj municionesh do të përdoreshin, në çfarë kohe dhe cili do të ishte programi.
Hoxha thotë se stafi i tij kishte për detyrë vetëm transportimin e municioneve dhe të ruanin perimetrin e jashtëm, asgjë tjetër. Hoxha thotë se kur ka vizituar Gërdecin në mes të vitit 2007, ushtarët e tij po kryenin këto dy detyra dhe në sipërfaqe nuk dukej se kishte ndonjë problem. Ai shpjegon se gjatë gjysmës së dytë të projektit, e cila filloi në dhjetor 2007, ai u drejtua nga Mediu që ti shkruante kryeministrit Berisha (të njëjtin material ta kopjonte për Topallin dhe Mediun) ku të shprehte shqetësimet e tij dhe presionet direkte me telefon nga “një djalë i ri”, i cili më vonë u konfirmua se ishte Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit. Ai i kishte bërë presion që të vazhdonte të dorëzonte municione të një kalibri më të lartë në Gërdec dhe këtë gjë ta kryente pa vonesa.
I pyetur nga Ambasada nëse ia kishte raportuar këtë fakt Prokurores së Përgjithshme, Hoxha u përgjigj: PO. Ai i kishte dorëzuar të gjitha informacionet dhe dokumentet zyrës së prokurorëve, përveç informacionit në lidhje me djalin e Berishës. Për këtë ai tha se nuk ishte i sigurt të fliste
Ambasadori i shpjegoi se hetimi i prokurorisë mund të ishte i suksesshëm vetëm nëse ata që dinin gjëra të thoshin të vërtetën. Hoxha pranoi që në interes të drejtësisë ai duhet të fliste, por nuk konfirmoi që do ta bënte një gjë të tillë. (Shënim: Hoxha tha se shumë të tjerë kishin dijeni për këtë informacion.)
Ky është rasti i dytë ku një zyrtar shpreh shqetësimin e thellë dhe frikën e madhe për jetën dhe karrierën e tij, gjatë një takimi me ambasadorin. (E para ka ardhur nga zv.kreu i KLD-së, Kreshnik Spahiu.) Disa prova të jashtme konfirmojnë variantin e Hoxhës.
Si Shefi i Shtabit, marrëdhëniet e Hoxhës me ish-ministrin Mediu ishin gjithmonë të tendosura dhe nga marrëveshjen tona me të dukej se ishte jashtë loje dhe nuk kishte autoritetin e duhur për të kryer detyrat që kërkonte zyra e tij. Sipas informacioneve publike, prokuroria po fokuson hetimin larg ushtarakëve dhe drejt Mediut, ndoshta sepse atje të shpien provat e deritanishme.
Nëse versioni i Hoxhës përmban elementë të të vërtetës, ai mund të ndihmojë për të shpjeguar pyetjen më të rëndësishme të momentit: Pse kryeministri ka nisur sulme kaq të fuqishme kundër institucioneve kushtetuese duke alarmuar komunitetin ndërkombëtar aq sa të vërë në diskutim kredencialet demokratike të Shqipërisë në një kohë kur kaq shumë gjëra janë në tavë në lidhje me NATO-n.
http://www.shekulli.com.al/shekulli/2011/09/03/shkelzen-berisha-jepte-urdherat-per-furnizimin-e-gerdecit/
03/09/2011
No comments:
Post a Comment