Total Pageviews

Tuesday, September 6, 2011

SHISH-i që kërkon Berisha është për shantazh dhe gjobëvënie


“Ndryshimet do të lejojnë Berishën që të përdorë SHISH për të spiunuar rivalët e brendshëm politikë dhe për të shantazhuar ndonjë politikan. Informatat e mbledhura mund të përdoren për ryshfet ose grabitje/gjobëvënie” – Ky ka qenë shqetësimi i ambasadës së Tiranës përcjellë Uashingtonit lidhur me përpjekjet e Berishës për të vendosur nën kontroll Shërbimin Informativ. Edhe vetë Presidenti Topi ka shprehur në Ambasadë shqetësimin se Berisha kërkon të kthejë SHISH në ish-Sigurimin e dikurshëm.



Titulli: Berisha kërkon polici të re sekrete

Datë: 27 janar 2010

Dërguar nga Ambasada Amerikane në Tiranë

Merr Departamenti i Drejtësisë, Këshilli i Sigurimit Kombëtar Uashington, NATO

Firmosur nga Ambasadori Xhon Uidhers

Klasifikuar si material sekret/ deklasifikohet më 27 janar 2020



“Në fillim të janarit kryeministri Berisha futi një draft të ri për ndryshime në ligjin për shërbimin inteligjent shqiptar. Në thelb qëllimi i ligjit është që të kufizojë përgjegjësitë e inteligjencës së huaj të SHISH, rritjen e përgjegjësive të tij të brendshme të zbulimit në mënyrë të qartë në funksion të zbatimit të ligjit, dhe për të rritur varësinë e tij ndaj institucionit të Kryeministrit. Ndërsa ka pasur disa protesta publike mbi kufizimin e afatit të drejtorit të SHISH dhe ndoshta shkarkimin e drejtorit aktual, Bahri Shaqiri, ka pasur shumë pak diskutim publik për këtë ligj shqetësues. Shërbimi, siç propozohet në projektligj, mund të bëhet një mjet politik për Berishën apo ndonjë kryeministër të ardhshëm për të trembur dhe shtrydhur rivalët politikë. Ndryshimet gjithashtu do të pengojë bashkëpunimin me shërbimet e huaja informative (përfshirë vendin tonë) dhe do të dëmtojnë besimin e ndërkombëtarëve në aftësitë e Shqipërisë për të monitoruar të burgosurit e Guantanamos që ka pranuar, ose që do të pranojë në të ardhmen. Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, ka thënë se ligji do të diskutohet në parlament në shkurt, gjë që lë shumë pak kohë për komunitetin ndërkombëtar për ta peshuar dhe për të bindur qeverinë Berisha për dëmin që mund të shkaktojë ligji për integrimin Euro- Atlantik. Ambasada, ashtu si edhe ekspertët ligjorë të Bashkimit Europian, kanë parë ligjin dhe kanë shprehur shqetësime serioze për mundësinë e abuzimit me ligjin.



Historia e gjakut të keq

Kjo nuk është hera e parë që qeveria Berisha është përpjekur që të vërë nën varësi SHISH dhe t’i japë rolin e spiunazhit të brendshëm. Megjithatë, SHISH deri më tani ka qenë një nga të vetmet institucione shqiptare që kanë qenë në gjendje të ruajnë pavarësinë e tij, pavarësisht kostos në rritje të armiqësisë mes SHISH dhe Kryeministrit. Në 2005 Berisha propozoi një ligj që të bashkojë SHISH në Ministrinë e Brendshme, por u tërhoq pas këmbënguljes së ndërkombëtarëve dhe opozitës. Në vitin 2006, Berisha montoi publikisht një fushatë, por në fund të pasuksesshme, për të shkarkuar Drejtorin e SHISH, Shaqiri, me të cilin Berisha ka marrëdhënie shumë të dobët. Sipas burimeve, edhe pse në ligj thuhet që drejtori i SHISH duhet të informonte kryeministrin të paktën njëherë në vit, Shaqiri dhe Berisha nuk janë takuar ballë për ballë dhe Shaqiri thjesht informon në mënyrë të shkurtuar me shkrim kryeministrin një herë në vit. Pas këtyre përpjekjeve të dështuara për postin e Shaqirit, Berisha kohët e fundit është përpjekur që të shkatërrojë fuqinë e SHISH duke i dhënë agjencive të tjera aftësitë e përgjimit dhe të drejtat e përgjimit apo duke prerë edhe fondet për SHISH.



Policia e re e sekrete e Shqipërisë

Së pari, projekt-ligji aktual kërkon të devijojë aktivitetet e SHISH në zbatimin e ligjit vendas në spiunazh të brendshëm Në mënyrë të veçantë, amendamenti i jep SHISH përgjegjësinë e “mbështetjes së aktiviteteve të forcave të policisë dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit në parandalimin e krimeve të rënda”. SHISH do t’i jepen përgjegjësi shtesë në mbledhjen e informacionit mbi trafikimin e qenieve njerëzore, trafikimin e armëve dhe kontrabandën, pastrimit të parave, dhe më shqetësuesja për “korrupsionin nga personat në poste publike”. Ndërsa ligji i mëparshëm lejonte SHISH që të mblidhte informacion mbi krimin e organizuar që kërcënonte sigurinë kombëtare, ligji i ri heq nevojën për të konsideruar sigurinë kombëtare si kusht dhe zgjeron funksionet e krimit të organizuar për të përfshirë njohjen, zbulimin dhe parandalimin. Në përfundim, Ligji i ri i jep SHISH përgjegjësi të paqarta në mbrojtjen e sigurisë kombëtare nga “çdo veprim që kanë për qëllim për të përmbysur sistemin e demokracisë parlamentare “.

Amendamenti shton disa përgjegjësi të tjera jo të qarta të tilla si “vërtetimi i personave në bazë të kritereve ligjore dhe “garantimi i zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara me palët e treta”. Këto role janë në kundërshtim të qartë me Udhëzimet e Këshillit të Evropës për Kontrollin e Shërbimeve të Sigurisë së Brendshme (prill 1999) dhe mund të rrezikojnë liberalizmin e vizave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe statusin e vendit kandidat të Shqipërisë në BE. (Shënim i Ambasadës: Deri tani, ambasadat evropiane çuditërisht kanë heshtur, edhe pse ne u kemi shprehur atyre shqetësimet tona dhe misioni i ndihmës ligjore të BE ka kryer vetë shqyrtimin shumë kritik të ligjit. Fundi i shënimit).

Për më tepër, ndryshimet do të lejojnë Berishën që të përdorë SHISH për të spiunuar rivalët e brendshëm politikë dhe për të shantazhuar ndonjë politikan. Informatat e mbledhura mund të përdoren për ryshfet ose grabitje/gjobëvënie. Amendamenti gjithashtu ul në mënyrë të ndjeshme pavarësinë e SHISH nga kryeministri Berisha. Mandati i Drejtorit të SHISH do të jetë i kufizuar në 5 vite dhe me kushtin që mund të shërbejë vetëm dy mandate. Më tej, ndërsa më parë drejtori i SHISH informonte kryeministrin dhe Presidentin veçmas një herë në vit, tani SHISH duhet të informojë kryeministrin “në çdo kohë për ndonjë çështje lidhur me aktivitetet e tij “.

Në një takimin e 27 Janarit me ambasadorin Uidhers, Presidenti Topi shprehu gjithashtu shqetësimin e tij të thellë me projektligjin, duke thënë se shërbimi inteligjent , thotë Topi, të kujton Sigurimin e frikshëm të epokës komuniste. Burimet kanë konfirmuar se synimi i qartë i Berishës me projektligjin është që të kontrollojë një nga institucionet e pakta të mbetura të qeverisë shqiptare që deri tani ka shmangur kontrollin e tij të drejtpërdrejtë. Ata kanë konfirmuar gjithashtu se drejtori aktual i SHISH Shaqiri, një mik i qeverisë amerikane dhe një profesionist, ka të ngjarë të hiqet dhe zëvendësohet me një mik i Berishës – diçka që mund të ndodhi brenda pak ditësh. Kjo do të shkaktojë një vale efektesh, ku pjesa më e madhe e stafit të SHISH, shumë prej të cilëve janë trajnuar nga SHBA, do të zëvendësohen nga hileqarët e politikës me pak përvojë në inteligjencë. Të tjerë kanë vënë në dukje edhe lidhje të ngushta në mes të Shaqiri dhe Prokurorit të Përgjithshëm Ina Rama, një tjetër zyrtar publik, i cili ka sfiduar sulmet institucionale të Berishës. Ata besojnë se Shaqiri është i shkarkuar, Rama gjithashtu ka të ngjarë të japë dorëheqjen.

Leonard Demi, kryetar i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, ka thënë se komisioni i tij nuk ka marrë ende projektligjin, por do të marrë atë menjëherë dhe ka të ngjarë që ta diskutojnë dhe të kërkojë për të kaluar ligjin gjatë muajit shkurt. Kjo lë pak ditë për komunitetin ndërkombëtar që të vlerësojë dhe paralajmërojë qeverinë shqiptare për rreziqet të këtij ligji”, thuhet në kabllogramin e publikuar nga Wikileaks.

No comments:

Post a Comment