Total Pageviews

Monday, September 5, 2011

SHBA: “Kutitë”, kauzë e pasinqertë. Rama, i parrezikshëm për stabilitetin


Në një kabllogram behet nje analizë të gjatë në lidhje me situatën në Shqipëri. Ajo shpjegon ngërçin e krijuar dhe analizon sjelljet e dy liderëve politikë. Përfundimi i Ambasadës është se asnjëra palë nuk do të lëshojë dhe se Rama e Berisha nuk duan të ulen në dialog dhe se asnjë prej tyre nuk ka një strategji të saktë për atë që do të ndodhë. Ambasada komenton sulmet e Berishës ndaj biznesmenëve si tentativë për të prerë financat e Ramës. Raportimet konfidenciale të Kastriot Islamit, Erion Veliajt dhe Ilir Rusmalit zbardhin detaje nga planet e të dyja palëve. Më poshtë kabllogrami i plotë:

“Pas tre javësh retorike dhe aksionesh provokative të forta, as kryeministri Berisha dhe as kreu i PS-së, Rama nuk duken të gatshëm që të hyjnë në dialog me njëri-tjetrin ose të ofrojnë ndonjë “degë ulliri” në përpjekje për ti dhënë fund impasit politik. Përkundrazi, të dyja palët besojnë se po fitojnë dhe shohin dialogun ose lëshimet si një shenjë dobësie të panevojshme.

Në javën e kaluar aksionet kërcënuese dhe retorika janë shtuar me qeverinë që po i bën presion biznesemenëve pranë Ramës dhe që po kërcënon vetë Ramën se do ta hetojë. Rama po kërcënon me protesta të vazhdueshme në 2010 “që do të sjellin largimin e Berishës nga zyra”.

Në këtë pikë është ende e paqartë nëse Rama dhe Berisha kanë ndonjë strategji reale të cilën po e ndjekin apo të dy thjesht po improvizojnë dhe po ecin pa asnjë qëllim në mendje. Edhe pse stanjacioni politik duket se do të vazhdojë edhe në të ardhmen, shumica e vëzhguese mendojnë se nuk ka rrezik për dhunë politike apo civile.

Pothuajse menjëherë pas demonstratës së PS-së më 20 nëntor, ku PS nisi thirrjet për zgjedhje të parakohshme, kryeministri Berisha urdhëroi PD-në të forcojë retorikën politike në të gjitha nivelet përmes sulmeve verbale drejtuar PS-së. Vetë kryeministri drejtoi këto sulme dhe në një fjalim të ashpër në parlament përmendi emrin e shumë deputetëve të PS-së dhe biznesmenëve të lidhur me PS-në si anëtarë të “mafias së ndërtimit”.

Në të njëjtën kohë qeveria shqiptare po i bën presion shumë mbështetësve financiarë të Ramës përmes taksave dhe lejeve të ndërtimit, përfshirë prishjen e një ndërtese në pronësi të kunatit të një deputeti të PS-së…

Edhe Rama e ka forcuar dorën në këto javë duke lënë thirrjet për hapjen e kutive të votimit dhe duke kërkuar zgjedhje të parakohshme duke premtuar se do të fitojë. Slogani i ri i PS-së është bërë “Hap kutitë ose largohu”. PS-ja ka forcuar retorikën e saj politike kundër kryeministrit Berisha duke e bazuar strategjinë tek sharjet dhe korrupsioni…

Bojkoti parlamentar i PS-së është në muajin e katërt dhe burimet i thanë Ambasadës se mund të vazhdojë për muaj të tërë, madje deri në zgjedhjet lokale të 2011. Gjatë një takimi më 9 dhjetor me ambasadorin Uidhers, Rama shprehu mendimin se strategjia e bojkotit dhe protestave po bëhej më efektive dhe po i bënte presion qeverisë.

Gjatë një takimi më 16 dhjetor, Erion Veliaj (Kreu i partisë aleate me PS-në G99 dhe njeri shumë pranë Ramës) i tha ambasadës se përpjekjet e qeverisë për ti bërë presion financiar mbështetësve të Ramës po funksionojnë, duke pretenduar se financat e ramës po mbaronin teksa biznesmenët që mbështesin PS-në po tërhiqen. Gjithsesi Veliaj shtoi se sulmet e Berishës kanë bindur Ramën se bojkoti dhe strategjia e protestave po merrnin peshë, me Ramën që beson se qëndrimi i Berishës për të mos hapur kutitë tregon që Berisha ka diçka për të fshehur. Veliaj tha se edhe nëse Berisha bën lëshime reale në këtë pikë, Rama do të kërkojë më shumë me demonstratat dhe thirrje të forta për zgjedhje të parakohshme pasi beson se “PS nuk ka zgjidhje tjetër”.

Çfarë synon Rama të fitojë nga bojkoti dhe protestat është ende e paqartë. Rama dhe mbështetësit e tij pretendojnë se bojkoti dhe protestat do të vazhdojnë deri sa qeveria të plotësojë kërkesat e shumta, përfshirë edhe hapjen e kutive… qeveria nga ana e saj thotë që do plotësojë çdo kërkesë përveç hapjes së kutive, të cilën ajo e quan të paligjshme (Në këtë pikë mbështetet formalisht edhe nga ODIHR).

Kërkesat e PS-së për “transparencë” janë pothuajse me siguri të pasinqerta. Burime të shumta i kanë thënë Ambasadës se hapja e kutive nuk do të provojë asgjë, por në fakt do të tregojë shumë parregullsi të vogla si mungesa e firmave të votuesve, por pa rëndësi për zgjedhjet. Kjo do të shërbejë për të mbështetur dyshimet në rezultatin zgjedhor dhe mbështesë pretendimet e PS-së se parlamenti i zgjedhur në qershor është ilegjitim. Fakti i trishtueshëm është se pjesa më e madhe e manipulimeve në zgjedhje janë bërë nga PD e PS në bashkëpunim me njëra-tjetrën, në kurriz të partive të vogla. Vëzhgues nga të gjitha krahët, përfshirë edhe ata të PS-së, i kanë thënë ambasadës se PS nuk mund të tregojë manipulimet e PD-së pa implikuar edhe veten e saj dhe se thirrja për hapjen e kutive është vetëm një karrem. Fundi i komentit të ambasadës).

Ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti socialist Kastriot Islami (një kritik i Ramës) i ka thënë Ambasadës se Rama ka dy qëllime: Të provojë të marrë pushtet përmes zgjedhjeve të parakohshme; ose/dhe të gjejë një rrugë për të forcuar pozitat teksa duket qartësisht se ai do të ketë një fushatë të vështirë kur do të rikandidojë për kreun e Bashkisë së Tiranës.

Deputeti i PD-së, Ilir Rusmali bie dakord pjesërisht me Islamin duke thënë se thirrjet për zgjedhje të parakohshme janë “mish i kuq që i hidhen bazës socialiste” dhe se Rama nuk ka pritshmëri reale se do të arrijë zgjedhjet e parakohshme. Rusmali pretendon se qëllimi kryesor i Ramës është të pengojë punën e parlamentit dhe të krijojë një atmosferë krize që të dëmtojë perspektivën e PD-së në zgjedhjet e 2011.

Islami iu ankua ambasadës më 15 dhjetor se pavarësisht qëllimeve reale të Ramës, qofshin ato zgjedhje të parakohshme ose forcim i pozitave për 2011, ose të dyja, askush në komunitetin ndërkombëtar dhe kryeministri Berisha mund ti plotësojnë ato. Kjo do të thotë që Rama do të shtyjë edhe më shumë dhe rrezikojë një krizë politike të fortë vetëm që të plotësojë ato, ose do të përballet me një humbje të turpshme.

Edhe qëllimet dhe strategjia e Berishës janë të paqarta. Shumë burime i kanë thënë ambasadës se që nga protesta e PS-së më 20 nëntor, Berisha duket se është i karikuar nga diçka më shumë se inati kundër thirrjeve të Ramës për zgjedhje të parakohshme dhe refuzimit për të mbyllur bojkotin.

(Shënim i ambasadës: Reagimi i Berishës është më i çuditshmi pasi për tre muaj ai iu shmang gjuhës provokuese dhe veprimeve në përgjigje të bojkotit, në një kohë kur qeveria i qëndronte argumenteve ligjore pse kutitë nuk mund të hapeshin. Ai shmangu sulmet personale, të cilat janë rikthyer javët e fundit. Berisha është shumë i praktikuar në artin e shkatërrimit dhe djegies në politikë, dhe shpesh herë është përgjigjja e tij ndaj presionit. Ai synon shkatërrimin e kundërshtarit. Fundi i komentit të ambasadës).

Islami spekuloi se ndoshta Berisha shpreson ti mbyllë Ramës rrugët e mbështetjes duke sulmuar oligarkët që e lidhur me PS-në si dhe deputetët e pasur. Rusmali e konfirmoi këtë pikëpamje duke i thënë Ambasadës se Berisha e sheh PS-në e sotme jo vetëm si të vjetër, por edhe si kryesisht të dominuar nga ndërtues dhe biznesmenë të tjerë që kontrollojnë Edi Ramën. Rusmali spekuloi se Berisha po shkonte pas këtyre njerëzve të biznesit “sepse ata dominojnë Edi Ramën”.

Gjatë një darke më 11 dhjetor me Ambasadën dhe OSBE-në, dy deputetë pranë Ramës insistuan se PD dhe PS nuk mund ta zgjidhin këtë problem të vetëm dhe duhet ndërhyrja e ndërkombëtarëve. Kur i pyetëm se çfarë synonte PS-ja që të arrinte nga ndërkombëtarizimi i këtij problemi, asnjë nga deputetët nuk dinte të përgjigjej. Në një takim të veçantë me Ambasadën, Kastriot Islami tha se Rama dhe disa përreth tij kanë mashtruar veten me idenë se ndërhyrja e ndërkombëtarëve mund të sjellë në një farë mënyre zgjedhje të parakohshme ose shqetësime të tjera të mëdha për Berishën. Islami pretendoi se çdo detaj që tregon se kjo ndërhyrje nuk do të vijë, do ta bëjë Ramën më të papajtueshëm pasi ai do të mendojë se ky është legjitimimi i fushatës së tij “pengo dhe bojkoto”.

Vëzhguesit hedhin poshtë frikën për shpërndarjen e mosbindjes civile ose dhunës. Rusmali dhe Islami i thanë ambasadës se aftësia e Ramës për të shkaktuar mungesë stabiliteti është e kufizuar vetëm brenda aksioneve të PS-së dhe nuk del jashtë saj…

Në këtë pikë asnjë palë nuk duket se do të ulë tensionet dhe ti afrohet dialogut. Edhe pse është e paqartë nëse Rama dhe Berisha kanë ndonjë strategji, të dy mendojnë se po fitojnë dhe nuk kanë nevojë për dialog…

No comments:

Post a Comment