Qeveria parashikon që të harxhojë çdo vit rreth 14 milionë dollarë për të ruajtur personalitetet VIP, vendës apo të huaj që vizitojnë Shqipërinë, deri në 2014-n.Të paktën kështu planifikohet në përshkrimin e projektit, që ka bërë Ministria e Brendshme dhe që ka marrë miratimin e qeverisë në projektdokumentin e “Programit buxhetor 2012-2014”. Ruajtja dhe shoqërimi i personaliteteve të larta shtetërore përcaktohet me ligj dhe një shërbim i tillë bëhet ndaj krerëve të shtetit, kreut të Bankës së Shqipërisë, atij të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe me radhë institucionet e rëndësisë së lartë.
Parashikimi për 3 vite
Për tri vitet e ardhshme, numri i personaliteteve VIP që do të merren në mbrojtje nga Garda e Republikës, e cila është në vartësi të Ministrisë së Brendshme, është statik, 100 persona çdo vit, pra 300 gjithsej për 2012-2014. Por ndërkohë që numri qëndron i pandryshueshëm, fondet që do të shkojnë për këtë shërbim pësojnë rritje nga viti në vit. Për vitin 2012, fondi që do të shkojë për marrjen e shërbimit të ruajtjes së personaliteteve të larta shtetërore apo VIP-ave do të jetë 13.7 milionë dollarë. Për vitin 2013, ky fond rritet dhe arrin në vlerën 14.4 milionë dollarë, ndërkohë që për vitin e fundit të parashikuar në projektdokument niveli i fondit pothuajse kap 15 milionë dollarë. Sakaq, edhe për vitin aktual në projektdokument bëhet me dije numri i VIP-ave që marrin shërbimin e ruajtjes fizike është 100 dhe vlera e fondit është vetëm 13 milionë dollarë.
Rritja e sigurisë
Ministria e Brendshme në përshkrimin e projektit përcakton edhe objektivat, që synohen të arrihen përgjatë viteve të zbatimit të këtij projektdokumenti, duke krahasuar gjithmonë rezultatin me vitin paraardhës. Kështu, për këtë vit, synimi është që të sigurohet rritja e nivelit të sigurimit të personaliteteve të larta shtetërore dhe të objekteve të rëndësisë së veçantë, në një nivel 15 për qind më të lartë se ai i vitit 2010. Për vitin 2012 synohet që rritja e nivelit të sigurimit të VIP-ave të jetë e një niveli 10 për qind më të lartë se ai i vitit 2011. E njëjta përqindje në rritjen e sigurisë parashikohet edhe për vitin 2013, kjo referuar një viti më parë, ndërsa për vitin 2014 Ministria e Brendshme synon rritjen e nivelit të sigurimit të personaliteteve të larta shtetërore dhe të objekteve të rëndësisë së veçantë, në një nivel 5 % më të lartë se ai i vitit 2013.
Ligji për VIP-at
Ligji, që sanksionon ruajtjen e personaliteteve të larta shtetërore, VIP-ave, të huaj ose vendës, si dhe ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë, zbatohet në vend nga Garda e Republikës. Kjo e fundit ka për detyrë të sigurojë ruajtjen dhe shoqërimin e Presidentit të Republikës, Kryeministrin, kryetarin e Kuvendit dhe familjet respektive për dy të fundit. Sakaq, ruajtje duhet të sigurohet edhe për personalitetet e huaja që vizitojnë Shqipërinë dhe që janë të të njëjtit rang me personalitetet në vend. Po kështu, Garda ofron këtë shërbim për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, zëvendëskryetarët e Kuvendit, anëtarët e Këshillit të Ministrave, kryetarin e Gjykatës së Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm, kryetarin e SHISH-it, kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Avokatin e Popullit, kryetarin e KQZ-së dhe një sërë njerëzish me statut të caktuar.
Ruajtja e VIP-ave
Viti 2011
Persona 100
Shpenzime
13 milionë USD
Viti 2012
Persona 100
Shpenzime
13.7 milionë USD
Viti 2013
Persona 100
Shpenzime
14.4 milionë USD
Viti 2014
Persona 100
Shpenzime
14.9 milionë USD
Do blihen dhe 14 mjete të reja
Për dy vitet e fundit, që parashikon projektdokumenti i “Programit buxhetor 2012-2014”, Garda e Republikës do të ketë mundësi të blejë edhe 14 mjete të tjera, të cilat do të zëvendësojnë mjetet aktuale në punën e përditshme. Në përshkrimin e projektit cilësohet se teknika aktuale është shumë e amortizuar dhe se duhet të ndërhyhet për ta zëvendësuar atë me mjete të reja transporti, por kjo do të ndodhë vetëm në vitin 2013, kur do të bëhen edhe blerjet e para të 8 mjeteve me një vlerë prej 250 milionë lekësh të vjetër. Blerja tjetër e radhës do të jetë në vitin 2014, kur Gradës do t’i shtohen edhe 6 mjete të tjera të reja transporti me një vlerë 200 milionë lekë të vjetër. Në total, Grada deri në fund të 2014-s do të ketë plot 14 mjete të reja transporti.
Armatimi i Gardës, do hiqet Kallashnikovi dhe MP5
Armatimi në ditë të zakonshme pune për efektivat e Gardës së Republikës nuk do të jetë më Kallashnikovi apo automatiku, por do të zëvendësohet me armatim më pak asgjësues, por kjo do të fillojë në 2013-n. Në projektin e Ministrisë së Brendshme parashikohet që në vitin 2013 të fillojë edhe zbatimi për blerjen e armatimeve zëvendësuese më pak asgjësuese. Për vitin 2013 parashikohet që të blihen 190 armë të tjera, ndërsa në vitin 2014 parashikohet që të blihen plot 379 armë. Këtë nismë Garda e Republikës e përkufizon me argumentin e “modernizimit të infrastrukturës dhe mjeteve që disponon Garda e Republikës në punën e saj të përditshme, duke synuar në rinovimin periodik të saj, me qëllim final rritjen e shkallës së operacionalitetit të strukturës”. Në total, vlera e blerjeve për vitin 2013 për 190 armë llogaritet të jetë 100 milionë lekë të vjetër, dhe për 2014 të jetë 200 milionë lekë për 379 armë. Gjithsesi, Garda e Republikës vitin që jemi dhe vitin e ardhshëm do të vazhdojë të mbajë armët që mban aktualisht Kallashnikov dhe automatik.
NERTILA MAHO
No comments:
Post a Comment