Afera korruptive e Ndërmarrjes së Ujësjellësit me matësit e rinj po merr çdo ditë e më tepër përmasat e një skandali. Shpërndarja e detyrueshme e sahateve të rinj për abonentët familjarë, nisi si një aksion normal, e në fshehtësi të plotë, por në fakt pas tij qëndron një aferë që sipas një përllogaritjeje fillestare arrin shifrën e 2 milion eurove, që po u vidhet taksapaguesve shqiptarë në mënyrë të hapur. Kjo vetëm me anë të zëvendësimit të aparateve matës të vjetër të ujit me një sahat të ri të cilin Ndërmarrja e Ujësjellësit nuk dihet se si e ka blerë për t’ua shitur me çmimin e vendosur vetë abonentëve familjarë në Tiranë, e për më tepër nuk ka asnjë transparencë në lidhje me kompaninë e kontraktuar për këtë qëllim. Çmimi me të cilin Ujësjellësi po instalon matësit e rinj është mjaft i lartë për xhepat e konsumatorit shqiptar, e shkon nga 1,800 lekë të reja deri në 2,400 lekë të reja, në një kohë kur vlera e sahateve të cilit gjendeshin edhe në treg të lirë deri pak ditë më parë ishte nga 500 deri në 700 lekë të reja, në pikat e shitjes me pakicë. Në bazë të një llogaritjeje të thjeshtë, diferenca mesatare mes çmimit që ofron Ujësjellësi dhe atij që ofronin tregtarët është plot 1,500 lekë të reja për një sahat. Nëse marrim numrin e përgjithshëm të aparateve matës që Ujësjellësi i Tiranës po shpërndan në kryeqytet, ku pritet të pajisen rreth 165 mijë abonentë, përfitimi në total nga kjo aferë shkon në 247,500,000 leke te reja, një shifër kjo e përftuar në vjedhje të hapur ndaj qytetarëve, e cila do të ndahet mes kompanisë që prodhon produktin dhe ndërmarrjes së Ujësjellësit. Sigurisht kjo shifër është mesatare dhe për një çmim shitjeje me pakicë, pasi vlera e blerjes me shumicë është natyrisht disa herë më e vogël dhe si rrjedhojë edhe përfitimi shumë herë më i madh.
Skema e vjedhjes:
Vlera reale e shitjes në treg me pakicë: 500-700 lekë të reja
Mesatarja 600 lekë të reja)
Çmimi me të cilin Ujësjellësi ua faturon abonentëve të saj: 1,800-2,400 lekë
Mesatarja 2,100 lekë
Diferenca 1,500 lekë të reja, gati trefishi i vlerës së mallit, i fut në xhep Ujësjellësi
Do shpërndahen 165 mijë matës vetëm për Tiranën
165,000 matës x 1,500 lekë = 247,500,000 lekë të reja, ose 2 milion euro vjedhje e hapur
Skenari për të përgatitur vjedhjen
Që kur Ndërmarrja e Ujësjellësit nisi aksionin për pajisjen e abonentëve familjarë me aparate të rinj matës qytetarët në fakt e dinin çmimin real të këtyre pajisjeve, e akuzuar ndërmarrjen se përveçse po u faturon për herë të parë atyre vlerën e matësit që si rregull duhet ta sigurojë vetë Drejtoria, po ua shet atë edhe shumë herë më shtrenjtë se sa ai ishte në treg. Por ditët e fundit në tregun e Tiranës është shumë e vështirë të gjesh më në shitje aparate të tillë, duke vërtetuar kështu edhe dyshimet mbi aferën e re. Tregtarët thonë se Ujësjellësi u ka dhënë urdhër atyre të mos i nxjerrin më në treg pajisjet, ndërsa familjarëve që po u imponohen çmimet e vendosura në mënyrë abuzive ua justifikojnë këtë fakt me mungesën e elementëve të sigurisë në aparatet që shiten në treg të lirë. Ka qenë kjo skema e Ujësjellësit për të garantuar operacionin e zëvendësimit të aparateve të rinj matës të ujit në të gjithë Tiranën me çmime mjaft të shtrenjta, gati 3-fish krahasuar me ato që shiteshin më parë. Edhe vetë tregtarët hedhin akuza ndaj ujësjellësit se ka marrë vetë ekskluzivitetin e shitjes së këtij produkti duke favorizuar një kompani të vetme. Ndërsa ekspertë e ish-drejtues të kësaj ndërmarrjeje shkojnë më tej kur thonë se pas këtij aksioni fshihen afera korruptive, pasi kompania që bashkëpunon me Ujësjellësin ka fituar automatikisht monopolin në treg të shitjes së plot 165 mijë matësve, aq sa është numri i abonentëve të ujit të pijshëm. Ata shkojnë më tej madje kur thonë se qytetarët nuk duhet të pranojnë të pajisen me një mjet të tillë që shitet në mënyrë të imponuar me një çmim abuziv.
Kush fshihet pas...?
Gazeta e zbuloi prej ditësh po e trajton në fakt këtë shqetësim të qytetarëve në Tiranë e që pritet të vijojë edhe në qytete të tjera të vendit, por megjithatë askush nga Ndërmarrja e Ujësjellësit nuk ka reaguar për të sqaruar këtë aferë korruptive të pastër, që pason atë të kasave fiskale, e synon të çojë para në xhepat e qeveritarëve. Pas kërcënimit se do t’u pritet furnizimi me ujë nëse nuk pajisen me një aparat të tillë fshihet në fakt biznesi qeveritar që nuk ka zhvilluar asnjë lloj tenderi transparent për kontraktimin e firmës që do të sigurojë këto sahate. Banorë të kryeqytetit shprehen për gazetën se e njëjta kërkesë u është bërë edhe për sahatet e energjisë elektrike. Pagesa e këtij sahati është kërkuar gjithashtu përmes presionit, ndërkohë që asnjë prej përfaqësuesve të drejtorisë nuk ka marrë mundimin të informojë klientët se për cilën arsye duhet të ndryshohet sahati edhe në kushtet kur ai është i ri dhe i padëmtuar. Me siguri, ashtu si edhe për shpërndarjen e detyruar të kasave fiskale për biznesin, aksionit të qeverisë për sahatet e ujit do t’i dalë tymi më vonë. Atëherë kur emri i një firme të lidhur me ekzekutivin do të rezultojë se është ajo që po furnizon sot përmes dhunës dhe presionit, qytetarët me sahate të rinj të ujit.
No comments:
Post a Comment