Total Pageviews

Sunday, August 28, 2011

Diplomatët amerikanë e quanin Aldo Bumçin, një zagar për sulm


Në lidhje me çështjen e Gërdecit, që përfshiu politikanë të lartë, deputetë, ministra e familjarë të kryeministrit, në kabllogramin e datës 15 maj 2009, me titullin “Publikimi i dosjes së Gërdecit shkakton skandal politik”, ambasada amerikane shprehet për Aldo Bumçin duke e quajtur “zagari që përdoret për sulm”. Kontekstualisht bëhet fjalë për dëshminë e ish-sekretares së Bumçit, që në një moment pohoi se në një letër që Bumçi (në atë kohë Ministër i Drejtësisë) ia kishte dërguar Mediut, mbi zarf qe shkruar “Për Shkëlzen Berishën”.

Sipas ambasadës amerikane, deputeti i PD ushtroi presion mbi ish-sekretaren, duke e trembur e duke e bërë të përgënjeshtronte dëshminë e saj. Në kabllogram shkruhet: “Pas kësaj dëshmie Bumçi, që ende është deputet (dhe zagar që PD-ja e përdor shpesh për të sulmuar), e akuzoi ish sekretaren për shpifje dhe e paditi. E trembur, sekretarja pranoi publikisht që dëshmia e saj ishte e rreme” – shkruhet në kabllogramin e datës 15 maj 2009


Amerikanët në 2008: Berisha, mburravec mendjelehte


Emirjon Senja

Në këtë kabllogram të publikuar dje në platformën “Wikileaks”, hartuar nga stafi i Ambasadës Amerikane për Uashingtonin flitet për vizitën e Berluskonit në Shqipëri në dhjetor 2008. Ambasada flet me ironi për të ashtuquajturat “projekte gjigante energjetike” dhe e etiketon kryeministrin e Shqipërisë me togfjalëshin “giddily boasted”, d.m.th., njeri që mburret në mënyrë euforike dhe mendjelehtë. Amerikanët u raportojnë shefave të tyre se si komentohen frazat e fryra të Berishës për “superfuqi energjetike”, duke ngritur pyetjen “Superfuqi apo superkoloni”? Për ta është e qartë që italianët po përfitojnë nga Shqipëria dhe kryeministri “giddily boasted” i këtij vendi:

“Është e qartë që të ndikuar nga filozofia ‘jo probleme në oborrin tim’ italianët do të kenë iniciativën për të vepruar shpejtë në kohë, ndërkohë Shqipëria është dëshpërimisht nevojtare për investimet e huaja, sidomos në sektorin energjetik”, – shkruan kabllogrami. Më poshtë teksti i tij i plotë:


Kabllogram i datës 31 dhjetor 2008

Lënda: Vizita e Kryeministrit Italian, Silvio Berluskoni, në Shqipëri.

Titulli: Superfuqi energjetike, apo super koloni?



Fillim i kabllogramës:

“… Vizita e Kryeministrit Berluskoni këtë muaj tërhoqi një vëmendje të madhe për mirë dhe për keq. Gjatë vizitës u lidhën marrëveshje për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike, veçanërisht në energji dhe agrikulturë. Qeveria shqiptare nënshkroi disa marrëveshje me kompani italiane për infrastrukturën. Dy prej tyre me vlerë 2.7 miliardë dollarë ishin në sektorin energjetik dhe u paraqitën publikut si projektet më të mëdha të së ardhmes.

Ndryshe nga Kryeministri Berisha, mburravec që tha me eufori mendjelehtë se projektet do ta kthenin Shqipërinë në një superfuqi rajonale energjetike, pjesa tjetër i ka pritur ato me rezerva.

Propozimi për ngritjen e një parku ere në Karaburun shkaktoi pakënaqësi në shoqërinë civile, për shkak të ndikimeve në mjedis. Projekti ndodhet shumë pranë një parku kombëtar të mbrojtur (Llogaraja shën. red). I kërkohet qeverisë që të bënte transparent për publikun përfitimi dhe kostot e këtyre projekteve. Por Berisha i përshëndeti këto projekte duke i cilësuar ato si pjesë të projektit për ta kthyer Shqipërinë në një eksportues të madh energjie në rajon. Në mes të dhjetorit, qeveria shqiptare nënshkroi edhe disa kontrata të mëdha me vlerë 1.4 miliardë dollarë me kompani norvegjeze dhe austriake (Statkraft dhe EVN) për ndërtimin e tre HEC-eve në lumin Devoll në jug të Shqipërisë.

Nëse flasim duke iu referuar realitetit, këto projekte mund të kategorizohen si një “mirazh në shkretëtirë” dhe nuk ka gjasa të realizohen, të paktën në afatin e shkurtër. Këto projekte janë të fundit në serinë e projekteve madhore të shpalosura nga qeveria shqiptare me shumë bujë, por që më pas vyshkën dhe nuk ndiqen më për t’u realizuar.

Është e qartë që të ndikuar nga filozofia “jo probleme në oborrin tim” italianët do të kenë iniciativën për të vepruar shpejt në kohë, ndërkohë Shqipëria është dëshpërimisht nevojtare për investimet e huaja, sidomos në sektorin energjetik. Megjithatë, shihet një rritje e pakënaqësisë publike ndaj këtyre projekteve, të cilat më shumë se kthim i Shqipërisë në një superfuqi energjetike, në mendjet e njerëzve lexohen si kthim i Shqipërisë në një koloni të fqinjit të tyre…” Fund i kabllogramës


No comments:

Post a Comment