Vendimi
Skema e transferimit të parave të Mubarakut nga bosi i “Albanian Airlines”
Drejtësia shqiptare ngrin pasurinë e Ali Evsen, biznesmeni turk që ka në pronësi kompaninë “Albanian Airlines”, i hetuar nga Spanja dhe Shqipëria për pastrim parash. Në emër të Evsen figurojnë miliona USD dhe euro pasuri në disa banka të nivelit të dytë në vendin tonë. Gazeta “Shqip” ka siguruar vendimin e Gjykatës së Tiranës për vendosjen e sekuestros preventive të këtyre pasurive, ku detajohen edhe lëvizjet e parave nga njëri shtet në tjetrin. Njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës, e ndihmuar nga policia dhe Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave në Ministrinë e Financave, ka ngritur një skemë të riciklimit të parave, të cilat dyshohet se janë të ish-presidentit egjiptian, Hosni Mubarak. Paratë transferoheshin nga Azerbajxhani në drejtim të Zvicrës dhe Qipros, për të përfunduar më pas në Shqipëri. Megjithatë, në lojë janë futur edhe Greqia dhe Turqia, ndërsa së fundmi miliona USD janë dërguar edhe në Spanjë, vend në të cilin është arrestuar Ali Evsen. Prokuroria thotë se ka marrë informacione nga policia për këto lëvizje të të hollave dhe ka vepruar me shpejtësi për ngrirjen e llogarive bankare, pasi ka rrezik tjetërsimi dhe zhdukje të tyre. “Rezulton se Ali Evsen ka raporte të shumta të transaksioneve të ndryshme bankare me vlera të konsiderueshme monetare”, - thuhet në vendimin e gjykatës, e cila pasqyron të gjitha këto transaksione të majme bankare.
VENDIMI “PËR VENDOSJEN E SEKUSTROS PREVENTIVE”
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e përbërë prej:
GJYQTARE: ELONA GJOKA
asistuar nga sekretare gjyqësore Valtida Ribaj, më datë 24.06.2011, mori në shqyrtim materialin procedues që i përket:
KËRKUES: Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me prokuror Sotir Kllapi
OBJEKTI: Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”
Gjykata, pasi shqyrtoi kërkesën e prokurorit dhe dokumentacionin e paraqitur
VËREN:
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedimin penal 2722, datë 23 qershor 2011 për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale” parashikuar nga Neni 287 i K.Penal.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit i ka dërguar një informacion zyrtar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në lidhje me veprimtari financiare të dyshimta të shtetasit Ali Diyap Evsen, lindur më 20 gusht 1962, me kombësi turke dhe shtetësi shqiptare, me adresë banimi Kompleksi Ciklade, Sauk Tiranë.
Nga informacioni rezulton se në datën 15 qershor 2011, nga ana e autoriteteve spanjolle është arrestuar shtetasi Ali Diyap Evsen dhe disa shtetas të tjerë. Arrestimi i tij është bërë në kuadër të një hetimi të ndërmarrë nga këto autoritete për përfshirjen e tij në veprimtari të ryshfetit, pastrimit të parave dhe të korrupsionit në transaksionet tregtare ndërkombëtare.
Nga informacioni që posedohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, rezulton se ky shtetas ka raporte të shumta të transaksioneve të ndryshme bankare me vlera të konsiderueshme monetare.
Në llogaritë e tij në Bankën Credins në datën 18 shtator 2009, ky shtetas ka depozituar nga Banka Credit Agricol në Zvicër një shumë prej 1 000 000 (një milion) USD.
Në datën 19 shtator 2009 ka kryer dy transferta në të njëjtin numër llogarie nga banka Ukios Bank Kaunas, Lituani në dy shuma, e para prej 230 955 (dyqind e tridhjete mijë e nëntëqind pesëdhjetë e pesë) USD me përshkrimin: likuidim fature Nr.19648, datë 17 gusht 2009 për automobil.
Shuma e dytë prej 238 955 (dyqind e tridhjetë e tetë mijë e nëntëqind pesëdhjetë e pesë) USD për likuidim fature Nr.12584, datë 11 gusht 2009 për automobil.
Ky shtetas ka bërë një sërë pagesash të tjera dhe transfertash bankare në Bankën Kombëtare të Greqisë, dhe dërguesit e parave janë shoqëritë “Diron Trade” limited, Birmingam, Britani e Madhe. Shtetasi Ali Evsen ka përdorur llogaritë e tij personale për të bërë këto transferta, të cilat më pas janë kaluar në llogarinë e shoqërisë “Albania Airlines” sh.p.k.
Ky shtetas ka kryer një sërë transfertash të tjera bankare nga “Notel Assistant” limited në shumën totale 9 000 000 (nëntë milionë) USD, transferta nga Shoqëria “Tandum” limited, Qipro në shumën 5 000 000 (pesë milionë) USD.
Kjo shumë e fundit është futur në depozitë njëjavore dhe është rinovuar tri herë dhe më pas në SWIFTI, është kërkuar rikthimi i kësaj shume, veprim i miratuar nga vetë shtetasi Ali Evsen.
Shtetasi Ali Evsen është aksioner i vetëm i shoqërisë “Noor Airways” sh.p.k, në llogaritë e të cilës janë transferuar në datën 9 shkurt 2011 nga Banka “International of Azerbaijan” dy transferta në shumat 810 000 (tetëqind e dhjetë mijë) euro dhe 2 430 000 (dy milionë e katërqind e tridhjetë mijë) euro. Këto transferta janë bërë me justifikimin e disbursimit të një kredie të marrë nga Banka “International of Azerbaijan” në favor të shoqërisë “Noor Airways” sh.p.k.
Nga shumat e mbërritura prej 2 324 000 (dy milionë e treqind e njëzetë e katër mijë) euro, 1 638 000 (një milion e gjashtëqind e tridhjetë e tetë mijë) euro janë tërhequr nga z. Ali Evsen dhe ekonomistja dhe një shumë prej 971 000 (nëntëqind e shtatëdhjetë e një mijë) euro janë transferuar në favor të shoqërive të tjera “Elite Medica” sh.p.k, “Albanian Electronic Company” sh.p.k. “Air Meditaranee” dhe Ali Evsen.
Nga verifikimet e bëra nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, rezulton se shtetasi Ali Evsen është përfaqësues i disa shoqërive si “Albanian Airlains MAK”, “Albanian Endustrial Company”, “Albanian Electronic Company”, “Elite Medica”, aksioner i shoqërisë “Noor Airways”, ku është aksioner me 100% të kuotave dhe përfaqësues ligjor i saj, “Star Leasing” sh.p.k. ortak i vetëm me 100% të kapitalit me përfaqësues ligjor Ali Asadyllayev.
Për sa më sipër, duke u bazuar edhe në informacionin e ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Informacionin e ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, dyshohet se shtetasi Ali Evsen ka kryer transferta të dyshimta në llogaritë e tij, dhe nëpërmjet tyre ai dyshohet se kryen veprimtari për pastrimin e produkteve të veprës penale.
Nga verifikimet e bëra nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, rezulton se shoqëritë e sipërpërmendura dhe vetë shtetasi Ali Evsen ka llogari bankare dhe depozita pranë bankave të nivelit të dytë.
Duke qenë se këto shuma parash dyshohet se burojnë nga transaksione të dyshimta, si dhe duke qenë se dyshohet se poseduesit e këtyre llogarive kanë mundësi të veprojnë me këto llogari apo depozita për vazhdimin e transaksioneve të tilla, është e nevojshme të merret masa e sigurimit pasuror e sekuestros preventive ndaj tyre.
Konkretisht, nga informacioni i mësipërm rezulton se shtetasi Ali Evsen disponon llogari pranë BKT në euro dhe në GBP, pranë Bankës NBG në euro, pranë Bankës Credins në USD.
Shoqëria “Noor Airways” sh.p.k posedon llogari pranë BKT në euro dhe lekë dhe pranë NBG në USD dhe euro.
Shoqëria “Albanian Airlines” Mak shp.k ka llogari pranë BKT në monedhë shqiptare lekë dhe valutë USD dhe euro; pranë bankës NBG në lekë, euro, USD dhe GBP. Kjo shoqëri posedon llogari pranë “Intesa San Paolo Bank” në euro dhe në CBA në lekë, euro, USD dhe GBP.
Shoqëria “Albanian Electronic Company” sh.p.k., posedon llogari në euro pranë BKT dhe pranë bankës NBG në USD dhe euro.
Shoqëria “Elite Medica” sh.p.k, zotëron llogari në BKT në lekë si dhe pranë NBG në lekë dhe euro.
Shoqëria “Firidun Guyushov” zotëron llogari pranë NBG në euro.
Shtetasja Enkelejda Astrit Hajderi zotëron llogari pranë BKT në lekë dhe pranë NBG Bank në lekë.
Për sa më sipër, duke qenë se krijohet dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasi Ali Evsen është i përfshirë në transferta të dyshimta parash, si dhe duke qenë se ai po hetohet dhe nga autoritetet spanjolle dhe ato shqiptare për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, është e nevojshme vendosja e sekuestros preventive në llogaritë e tij bankare si dhe të shoqërive ku ai është ortak, aksioner apo administrator.
Neni 274 i K.Pr.Penale parashikon se: “Kur ka rrezik që disponimi i lirë i një sendi që lidhet me veprën penale mund të rëndojë ose të zgjasë pasojat e saj ose të lehtësojë kryerjen e veprave penale të tjera, me kërkesën e prokurorit, gjykata kompetente urdhëron sekuestrimin e tij me vendim të arsyetuar. Sekuestroja mund të vendoset edhe për sendet, produktet e veprës penale dhe çdo lloj pasurie tjetër që lejohet të konfiskohet, sipas nenit 36 të K.Penal”.
Kjo masë sigurimi pasuruar duhet marrë pasi ekzistojnë dyshime se ky person është përfshirë në veprimtari të pastrimit të produkteve të veprës penale, dhe nevojitet, me synim ruajtjen e këtyre shumave në gjendjen që janë, duke parandaluar në këtë mënyrë transferimin e tyre dhe tjetërsimin apo fshehjen, duke shmangur në këtë mënyrë shtimin e pasojave të kësaj vepre penale.
Në këto rrethana, Gjykata çmon që kjo kërkesë është e bazuar në ligj dhe si e tillë duhet pranuar.
Gjykata vendosi:
1. Caktimin e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive”, për llogaritë e poshtëshënuara pranë bankave;
Llogaritë bankare të shtetasit Ali Evsen në euro nr. 401315493, dhe GBP. nr. 401315493, pranë Bankës Kombëtare Tregtare.
Llogaritë bankare të shtetasit Ali Evsen në euro nr. 22633610001013, pranë NBG Bank.
Llogaritë bankare të shtetasit Ali Evsen në USD, me nr. 181723 pranë Credins Bank.
Llogaritë bankare të shoqërisë “Noor Airways” sh.p.k në euro, nr. 402335081 dhe lekë nr. 402335081 pranë Bankës kombëtare Tregtare B.K.T.
Llogaritë bankare të shoqërisë “Noor Airways” sh.p.k në euro nr. 25650110016017 dhe USD me nr. 25650110001017, pranë NBG Bank.
Llogaritë bankare të shoqërisë “Albanian Airlines” Mak sh.p.k në euro, nr. 200351 dhe nr. 200351 në lekë dhe USD. nr. 200351, pranë Bankës Kombëtare Tregtare.
Llogaritë bankare të shoqërisë “Albanian Airlines” Mak sh.p.k në euro, nr. 21729810160019, dhe nr. 21729812016016, në lekë nr. 21729810000015, GBP, nr. 21729810009012 dhe USD, nr. 21729810001011, pranë NBG Bank.
Llogaritë bankare të shoqërisë “Albanian Airlines” Mak sh.p.k në euro, me nr. 20152335301, nr. 20152335302 dhe 20152335304, pranë I.S.P. Bank.
Llogaritë bankare të shoqërisë “Albanian Airlines” Mak sh.p.k në Euro, me nr. AL42211110020010111010000001 dhe 15211110020010111010000002, në Lekë, me nr. AL 07211110020010101010000001, GBP, nr. AL47211110020010114010000003 dhe USD, me nr. AL8421111002001012301000001 dhe AL5721111002001012301000002, pranë CBA Bank.
Llogaritë bankare të shoqërisë “Albania Elektronic Company” sh.p.k në euro, me nr. 401437354, pranë Bankës Kombëtare Tregtare.
Llogaritë bankare të shoqërisë “Albania Elektronic Company” sh.p.k në euro, me nr. 25238210016016, dhe USD, me nr. 25238210001019, pranë NBG Bank.
Llogaritë bankare të shoqërisë “Elite Medica” sh.p.k në lekë, me nr. 402435729, pranë Bankës Kombëtare Tregtare.
Llogaritë bankare të shoqërisë “Elite Medica” sh.p.k në lekë, me nr. 25237710000012 dhe euro, me nr. 25237710016016, pranë NBG Bank.
Llogaritë Bankare të shtetasit Firidun Goyushov në euro, me nr. 23852710016015, pranë NBG Bank.
Llogarite bankare të shtetases Enkelejda Astrit Hajdëri në Lekë, me nr. 402266631, pranë Bankës Kombëtare Tregtare.
Llogarite bankare të shtetases Enkelejda Astrit Hajdëri në Lekë, me nr. 238059190000018, pranë NBG Bank.
Ngarkohen Drejtoritë e Bankave të Nivelit të Dytë, Banka Kombëtare Tregtare, Intesa Sanpaolo Bank, Credins Bank, NBG Bank, CBA Bank për ekzekutimin e këtij vendimi.
Gazeta Sot
2011-07-02
Sokol Çobo
No comments:
Post a Comment