Total Pageviews

Friday, May 6, 2011

Pastrim parash? Edhe 48 orë për t'u përgjigjur

Kristi Pinderi | 06/05/2011


Tre ditë para zgjedhjeve të 8 majit, kandidati për kryetar bashkie i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha ende nuk ka kthyer përgjigje për të gjithë pyetjet që "Shekulli" i ka bërë publikisht deri më sot, në lidhje me shumë momente të errëta të së kaluarës së tij.

Nuk është përgjigjur në lidhje me pasaportat e panumërta të tij, në lidhje me faktin që teksa i duhej të paguante kredinë prej rreth 200 mijë eurosh, shpenzonte ndërkohë qindra mijëra euro të tjera për të blerë 3 shtëpi të tjera në Tiranë e një në Durrës.

E po në të njëjtën kohë, shpenzonte rreth 12 mijë euro për të blerë një unazë diamanti, mijëra euro për të blerë ora dore, e mijëra euro të tjera për servise porcelani. Ka vetëm 48 orë që kandidati për Bashkinë e Tiranës të tregojë të vërtetën e të paktën 1 miliard lekëve që ai ka qarkulluar deri në vitin 2005, pak para se të hynte si i pastër në politikën shqiptare, në llogaritë e tij të shumta bankare që sot janë si kasaforta.

Cila është e vërteta e pasaportës amerikane, për të cilën noteri i z. Basha deklaroi se kishte qenë lapsus?

Një korrespondente e gazetës në Utrecht, intervistoi një specialist në lidhje me çështjet noteriale, bankat e kreditë bankare - i cili kërkoi të mbetej anonim - kërkesë që "Shekulli" e respekton dhe i qëndron besnik. Sipas këtij eksperti holandez, në të paktën 20 vjet përvojë që ai ka patur në këtë fushë në Mbretërinë e Vendeve të Ulta, është e pamundur që të bëhen "lapsuse" si ajo e noterit, sipas të cilit ishte ngatërruar një vizë amerikane e Bashës në pasaportën shqiptare e për pasojë, ishte deklaruar në dokumentat e blerjes së shtëpisë në Utrecht se z. Basha ishte paraqitur me një pasaportë amerikane.

"A mund të ndodhë që një noter të bëjë një gabim të tillë në një dokument zyrtar?", e pyeti specialistin holandez bashkëpunëtorja e Shekullit në Utrecht Annette van den berg.

Përgjigja e tij ishte: Të bësh gabime është njerëzore, e si pasojë gabime të tilla mund t'i ndodhin kujtdo, por gjatë 20 vjetëve kur unë kam patur mundësi të bashkëpunoj me zyra të ndryshme noteriale në Holandë, asnjëherë nuk më ka ndodhur të marr vesh se është bërë një gabim i tillë, si ai që përmendni ju".

Sipas këtij specialisti, "informacionet e pasaportës përbëjnë një informacion thelbësor për një dokument dhe të gjitha palët e përfshira në hartimin e një dokumenti mund ta verifikojnë atë".

Zoti Basha akoma nuk ka kthyer një përgjigje për këtë fakt! Eshtë mjaftuar me një deklaratë të lëshuar nga noteri i tij hollandez, i cili deklaronte se e kishte bërë atë lloj gabimi!

Bashkëpunëtorja jonë shkoi të intervistonte noterin në fjalë, i cili refuzoi kategorikisht që të prononcohej, pa patur më parë një leje me shkrim nga klienti i tij, z. Basha.
Por pas noterit, bashkëpunëtorja Annette van den Berg shkoi të bisedojë me eskpertë të tjerë në lidhje me këtë cështje.

Annette pyeti eksperten ligjore Znj. Marianne Mulderij - Anker e cila punon për "Kortman Advocaten", në Hagë. Anker është diplomuar në Universitetin e Leiden për "Të Drejtë Penale dhe Administrative" dhe është specializuar në Ligj Imigracioni. Dhe ja çfarë tha zonja në fjalë:"Kjo histori që ju po më tregoni, është shumë e çuditshme, pasi asnjë noter nuk mund të bëjë një gabim të tillë"...

Eksperti ligjor dhe i kredive të bankave, i sipërpërmendur, shtoi se "ndonëse nuk ka prova të qarta, është e mundur që një noter të mos jetë 100 përqind i besueshëm". Sipas tij, "mund të ndodhë që një noter të bëjë edhe një deklaratë fallco, në këmbim të një shume të majme të hollash".

Përsa kohë që z. Basha nuk ka denjuar që të respektojë qytetarin më parë (! Absurde kjo kur ke parasysh sloganin e tij), duke u përgjigjur në mënyrë bindëse e konkrete ndaj këtij dyshimi, atëherë na lind e drejta të dyshojmë se z. Basha ka paguar noterin hollandez që ai të bëjë një deklaratë fallco.

Përpos kësaj, i bëjmë sërish pyetjen kandidatit Basha: Cila është e vërteta e pasaportës amerikane dhe e shtatë pasaportave të tjera që ju zotëri keni përdorur në këto kohë, herë me aryse e herë pa asnjë arsye të qartë bindëse? Nga çfarë dhe nga kush jeni fshehur, apo jeni druar në këto vite z. Kandidat?
Vazhdojmë më tej!

Inspektoriati i Lartë për Deklarimin e Pasurisë, qartazi bëri një keqllogaritje matematikore kur u përgjigj në lidhje me shitjen e shtëpisë së Bashës në Utrecht në 2007. Po ashtu, ky inspektoriat nuk mundi dot të na sqarojë edhe detaje të tjera në lidhje me dosjen e z. Basha.

Bashkëpunëtorja jonë në Utrecht, shkoi pranë Postbank në Holandë, banka që i dha kredi Bashës, për t'u interesuar në lidhje me kredinë që ky kandidat ka marrë në atë vend në vitin 2001. Bisedoi me z. Raymond Vermeulen, kreun e departamentit për marrëdhënie me publikun në këtë bankë.

Ai u përgjigj: "Eshtë politika jonë që ne të mos përgjigjemi për çfarëdo marrëdhënie që kemi me individë pavarësisht nëse janë ose jo klientët tanë!" E pyetëm zotin Vermeulen, nëse ishte në dijeni se banka të cilën ai përfaqëson është kontaktuar nga Inspektoriati ynë i lartë për Deklarimin e Pasurive, e nëse po a i kishte vënë në dispozicion kjo bankë institucionit kushtetues shqiptar informacionet përkatëse? Ai refuzoi të përgjigjej...

Kësisoj, ne na lind e drejta të dyshojmë në vërtetësinë e të gjitha deklaratave që ky inspektoriat ka bërë në lidhje me pasurinë dhe dosjen e Bashës apo proçesin investigativ që ata kanë bërë për këtë çështje. Kështu, ne pyesim sërish Inspektoriatin: Zoti Basha e shiti shtëpinë në Utrecht, në vitin 2008, ama deklaroi se shtëpinë e shiti një vit para tij, pra në 2007, e me ato të ardhura shleu kredinë që kishte marrë në Holandë.

Si qëndron e vërteta e kësaj? A ka korruptuar Lulzim Basha edhe Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive? Të gjithë ju lexues, ashtu si edhe ne, keni të drejtë të dyshoni për këtë...

No comments:

Post a Comment