Dërguar më: 05/05/2011 - 14:21
Zyra e policisë europiane EUROPOL, në raportin vjetor të publikuar dje mbi krimin e organizuar në Bashkimin Europian e cilëson Shqipërinë si një vend ku grupet kriminale janë shumë të rrezikshme dhe aktive, kryesisht në trafikun e drogës dhe atë të armëve. Sipas EUROPOL-it, Shqipëria është vendburim i rëndësishëm i trafikut të armëve duke evidentuar në veçanti lidhjet e ngushta të grupeve kriminale shqiptare me mafien italiane “Ndrangheta”.
Shqiptarët thuhet në raport, “luajnë një rol të madh edhe në furnizimin me drogë (heroinë, kokainë, kanabis) të vendeve anëtarëve të BE-së”. Në konkluzionet e EUROPOL-it evidentohet fakti se shumë nga anëtarët e grupeve kriminale me kombësi shqiptare kanë një të kaluar në shërbimet sekrete, polici apo forcat paramilitare. Ndërkohë që theksohet se kriminelët me kombësi shqiptare janë të njohur për përdorimin ekstrem të dhunës, përfshirë këtu rastet e vjedhjeve. “Gazeta Shqiptare” boton sot pjesët e raportit vjetor të EUROPOL-it, ku flitet për Shqipërinë.
KRIMI I ORGANIZUAR NE BE
Grupet kriminale kanë përfshirë gjithnjë e më shumë mallra dhe veprimtari kriminale në aktivitetet e tyre. Në grupet me burimet më “të mira” përfshihen ato me kombësi shqiptare dhe lituaneze, që kanë mbledhur portofole të ndryshme të interesave të biznesit kriminal, kanë përmirësuar elasticitetin e tyre në një kohë të krizës ekonomike dhe kanë forcuar aftësitë për të identifikuar dhe shfrytëzuar tregjet e reja të paligjshme. Aktivitete të tilla si mashtrimi me kartat e kreditit, pagesat me karta krediti të rreme dhe falsifikimi i kartëmonedhave kanë tërhequr interesin në rritje të grupeve kriminale për shkak të niveleve më të ulëta të perceptimit. Grupet kriminale shqipfolëse, turke dhe nga zonat e ish-Bashkimit Sovjetik janë duke kërkuar të zgjerojnë interesat e tyre në BE dhe mund të shfrytëzojnë për këtë qëllim mundësinë e pranimit të mundshëm të Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën ‘Shengen’.
HEROINA
Rrugët e Ballkanit shfaqin një shkallë të lartë të diversitetit dhe fleksibilitetit të dërgesave të heroinës përtej Adriatikut. Shqipëria, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Kosova në veçanti, janë vende të rëndësishme për ruajtjen dhe ripaketimin. Kosova është gjithashtu një bazë për grupet kriminale shqipfolëse aktive në trafikimin për në BE. Përzierësit e drogës, të destinuar për zonat e tregtimit, gjithashtu kalojnë tranzit në rajon. Grupet turke dhe shqiptare mbeten më të shquarat në tregun e heroinës, e synuar për t’u tregtuar në BE. Bashkëpunimi mes grupeve lituaneze dhe shqiptare lehtëson trafikimin nga Azia Qendrore në Evropën Perëndimore
KOKAINA
Kokaina gjithnjë e më shumë po hyn në BE nëpërmjet aksit të Ballkanit, burim i furnizimit të të cilit janë grupet shqiptare.
KANABIS
Grupet kriminale shqipfolëse luajnë një rol të rëndësishëm në furnizimin e Europës Juglindore: kanabisi i rritur në Shqipëri dhe rajonin e Kosovës është i shpërndarë në Greqi, Itali, Slloveni, Hungari, dhe është trafikuar edhe në Turqi, ku është shkëmbyer për heroinën. Ka një tendencë në rritje për kultivimin në natyrë nga ana e qytetarëve të moshuar, të cilëve pas korrjes ua blejnë grupet kriminale të angazhuara në shpërndarjen e drogave. Kultivimi i kanabisit sjell grupe të margjinalizuara në shoqëri në afërsi të madhe me krimin e organizuar.
AKSI I BALLKANIT
Grupet kriminale të organizuara në bazë të etnisë janë të përqendruara në rajonin e Kosovës, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Shqipërisë në veçanti. Brenda BE-së, grupet me kombësi shqiptare janë aktive në fushat e tregtimit të kokainës, heroinës, të drogave sintetike dhe trafikimit të kanabisit. Burimeve financiare të këtyre grupeve kanë mundësuar që ato të bashkëveprojnë me organizata kriminale në zonat e burimit për drogat e paligjshme, si dhe për identifikimin e mundësive të reja aktive kriminale. Disa nga të ardhurat e tyre janë të destinuara, thuhet, për mbështetjen e organizatave të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në rastin e organizatave shqiptare të krimit të organizuar, pasuria e grupeve kriminale është rritur, si sa u takon rekrutimeve, ashtu dhe kapaciteteve për investime.
TRAFIKIMI I QENIEVE NJEREZORE
Grupet e krimit të organizuar të përfshira në lehtësimin e emigracionit të paligjshëm janë ato kineze, turke, shqiptare, indiane, irakene dhe ruse. Greqia është tani në fokus për hyrje të paligjshme në BE. Ndërkohë, nivelet e emigracionit të paligjshëm të lidhur me modelet e punës sezonale midis Shqipërisë dhe Greqisë kanë rënë në vitin e kaluar.
ÇESHTJET E REJA PER TE ARDHMEN
Liberalizimi i vizave për Bosnjë-Hercegovinën dhe Shqipërinë mund të çojë në abuzim të përhapur, ashtu si ka ndodhur kur kufizimet e vizave për hyrjen në shumicën e shteteve anëtare të BE-u hoqën për shtetasit e Serbisë, Malit të Zi dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Pa dyshim kjo do të paraqesë mundësi të reja për grupet e krimit të organizuar, të përfshira në emigracionin e paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
DHUNA E GRUPEVE KRIMINALE
Me përjashtim të grupeve kriminale rumune dhe shqipfolëse, trafikantët kanë ulur ndjeshëm dhunën e përdorur ndaj viktimave të tyre. Shumë prej tyre kanë kërkuar për të përshtatur imazhin e tyre me atë të ofruesve të shërbimeve të dobishme dhe ndërmjetësuesit e domosdoshëm ndërmjet klientëve dhe viktimave.
Duke folur për kriminelët shqiptarë, ata janë të njohur për përdorimin e tyre të dhunës ekstreme. Shumë anëtarë të grupeve kriminale kanë një të kaluar në shërbimet sekrete, polici apo forcat paramilitare.
FALSIFIKIMI I EUROVE
Zona e Europës Juglindore është e shquar për veprën penale të prodhimit të eurove të falsifikuara. Prodhuesit bullgarë bashkëpunojnë, kryesisht me grupet kriminale lituaneze, turke, rumune dhe shqiptare për qarkullimin e kartëmonedhave.
TRAFIKIMI I ARMEVE
Shtetet anëtare të BE-së vazhdojnë të jenë të prekura nga armët e trafikuara nga Ballkani Perëndimor. Sasi të mëdha të armëve dhe municioneve nga konfliktet e viteve 1990 kanë mbetur jashtë kontrollit të autoriteteve dhe vazhdojnë të ushqejnë tregjet ndërkombëtare. Ballkani Perëndimor pritet të mbetet burimi kryesor për armët e rënda të trafikuara në BE, për shkak të stoqeve të mëdha ilegale në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Kosovë, Malin e Zi e Serbi. Grupet italiane të krimit të organizuar, të tilla si “Ndrangheta” dhe grupet shqipfolëse janë përfshirë tradicionalisht në tregtinë e paligjshme të armëve. Rrugët e trafikut të armëve janë kryesisht të ngjashme me ato të përcaktuara për trafikun e drogës. Strukturat e ligjshme të biznesit të përdorura në trafikimin e armëve përfshijnë transportin, që arrihet nëpërmjet korrupsionit të shoferëve.
TRAFIKIMI I PALIGJSHEM I MBETURINAVE
Mbeturinat toksike janë shpërndarë nëpërmjet trafikut në Europën Juglindore dhe në Ballkanin Perëndimor (Rumani, Hungari dhe Shqipëri). Italia ka bërë një pikë tranziti për mbeturinat. Ka dëshmi të korrupsionit në sektorët publikë dhe privatë në lidhje me lëshimin e certifikatave me teknikë laboratori.
INTERNETI
Në veçanti, anonimiteti i ofruar nga teknologjitë e komunikimit, të tilla si e-mail, mesazhet, telefonia e interneti janë duke u përdorur gjithnjë e më shumë nga grupet e krimit të organizuar si një kundërmasë ndaj zbatimit të ligjit, zbulimit dhe mbikëqyrjes. Grupet e konsideruara si të lidhura më ngushtë teknologjikisht janë ato shqipfolëse, që e kanë njohur vlerën e platformave të tilla si ‘Skype’. Faqet sociale si ‘Facebook’, ndërkohë janë duke u përdorur nga grupet e krimit të organizuar për krijimin e rrjeteve dhe komunikimit, dhe nga shpërndarësit e drogës sintetike për të kontaktuar konsumatorët.
KONKLUZIONE
Shtetet Anëtare në Europën Juglindore mund të kërkojnë mbështetje shtesë operacionale. Në këtë këndvështrim, partneriteti strategjik dhe operacional i BE-së dhe autoriteteve në Ballkanin Perëndimor kundër grupeve kriminale shqip-folëse duhet të jetë gjithnjë e më i rëndësishëm.
No comments:
Post a Comment