Gazeta Shqiptare
09/03/2011 - 14:59
Tedi Blushi
Kontratat e shitblerjes së armëve mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë janë nënshkruar me ndërmjetësinë e trafikantit të armëve, Sllobodan Tesiç. Shtetasi serb rezulton të ketë qenë përfaqësues i kompanisë “Melvale Corporation Ltd”, me të cilën MEICO ka realizuar në vitin 2006 disa kontrata të majme për eksport municionesh drejt Tbilisit. Skandali është se MEICO ka preferuar partneritetin me Tesiç pavarësisht faktit se qysh prej 14 prillit të vitit 2004, ai ishte në listën e zezë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për trafik armësh. Kjo është lehtësisht e verifikueshme. Mjafton të klikosh në faqen zyrtare në internet të OKB-së http://www.un.org/Neës/Press/docs/2004/sc8062.doc.htm për të vërtetuar se Tesiç, në cilësinë e pronarit të kompanisë “Temex” ka realizuar një sërë aferash të paligjshme me ortakun e tij Orhan Dragan. Ata kanë eksportuar ilegalisht armë nga Serbia drejt Liberisë duke shkelur embargon e vënë ndaj këtij shteti. Kaq ka mjaftuar që OKB-ja ta vendoste Tesiçin dhe Draganin në listën e trafikantëve të armëve. Por për ish-drejtorin e MEICO-s, Ylli Pinari ky fakt nuk ka përbërë asnjë problem. Dy vjet më vonë, me një shkresë drejtuar ish drejtorit te policisë së Tiranës, Albert Dervishi, Pinari kërkonte të pajiste me vizë serbin Tesiç, i cili mbante pasaportën me numër 004812 551. Në shkresën që ish-drejtori i MEICO-s i drejtonte kryepolicit të Tiranës, bëhej e ditur se Sllobodan Tesiç do të vinte në Shqipëri në datat 11-12 prill 2006, pikërisht si përfaqësues i firmës “Melvale Corporation Ltd”. Kjo kompani ishte pajtuar nga qeveria gjeorgjiane për të blerë municion në Shqipëri. “Gazeta Shqiptare” ka siguruar të paktën 4 fatura shitje armatimi të realizuara gjatë vitit 2006, me një vlerë të përafërt rreth 2.5 milion dollarë. Konkretisht rezulton se “Melvale Corporation Ltd” ka blerë nga MEICO brenda harkut kohor të një viti 43 milion fishekë të kalibrit 7.62 x 39mm, 9990 predha mortajë të kalibrit 82mm si edhe 10 milion fishekë të kalibrit 7.62 x 54mm me vlerë totale 311.700 USD. Të gjitha mendohet të jenë realizuar falë ndërmjetësimit të Tesiç, i cili nga ana e tij duhet të ketë përfituar shuma të konsiderueshme në cilësinë e sekserit. Një tjetër fakt që vlen të evidentohet është se kontrata zyrtare mes MEICO-s dhe “Melvale Corporation Ltd” është nënshkruar në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë. Në një kohë që me këtë shtet, as MEICO-n dhe as “Melvale”-n, një kompanie armene, nuk e lidhte gjë. Dyshohet të ketë qenë në fakt këmbëngulja e Tesiçit që kjo kontrata të nënshkruhej në një vend që njihet për partneritetin me Serbinë, vendin e origjinës së trafikantit të armëve. Nuk është hera e parë që faktohen lidhjet e ish drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari me personazhe kryesorë në botën e aferave të pista të shit-blerjes së municioneve. Mjaftojmë të veçojmë Henri Tomein, i cili pas hetimeve të prokurorisë shqiptare mbi tragjedinë e Gërdecit, rezultoi të ishte në partneritet të ngushtë me Pinarin.
No comments:
Post a Comment