nga Tedi Blushi 7/3/2011 Gazeta Sqhiptare
Ministria shqiptare e Mbrojtjes përfshihet në një tjetër skandal të kontrabandës së armëve dhe municioneve. Destinacioni kësaj here rezulton Armenia. Afera fillimisht u denoncua në korrik të vitit 2007, kur një anije shqiptare u nis nga Porti detar i Durrësit e ngarkuar me kontejnerë të mbushur me municion. Destinacioni i tyre ishte Armenia. Por malli i rëndë nuk arriti të mbërrijë atje, për shkak të bllokimit që iu bë anijes nga autoritetet turke. Turqia nuk lejoi kalimin e ngushticës së Bosforit dhe tranzitimin e 56 kontejnerëve drejt Armenisë, të cilët u detyruan të kthehen sërish në Portin e Durrësit dhe më pas të magazinohen në depon ushtarake në Shkozet të Durrësit. Vendimi i Turqisë erdhi për shkak se Azerbajxhani, vend aleat i saj, ishte në konflikt me Armeninë, shtet ndaj të cilit edhe Organizata e Konferencës Islamike, ku bën pjesë dhe Shqipëria, ka ndaluar të eksportohen armë. Drejtori i MEICO-s në atë kohë, Ylli Pinari nxitoi të sqaronte mediat se shitja e municioneve shqiptare për Armeninë ishte bërë në bazë të një kontrate të ligjshme eksporti. Ai por mandej edhe Ministria jonë e Mbrojtjes do të pretendonin se 56 kontenierët ishin të mbushur vetëm me 50.280 copë mortaja të kalibrit 120mm. Por në fakt nuk rezulton kështu. "Gazeta Shqiptare" ka arritur të sigurojë dje ekskluzivisht kopjen e kontratës orgjinale, të nënshkruar në datën 07.06.2006 mes MEICO-s dhe Ministrisë së Mbrojtjes armene. Në bazë të saj, MEICO binte dakord t'i shiste Armenisë respektivisht 340.000 copë predha mortaja të kalibrit 82mm, 100 mijë copë predha të kalibrit 60mm dhe 100 mijë copë predha të tjera të kalibrit 120mm. Eksporti do të realizohej nga kompania "Moston Engineerging Ltd". Kontrata është nënshkruar në dygjuhë dhe Gazeta ka zgjedhur të botojë sot kopjen në gjuhën armene, ku dallohet qartësisht siglimi me firmë e vulë i drejtorit të MEICO-s dhe i zv/ministrit të Mbrojtjes armene. Vlefshmëria e kontratës rikonfirmohet nga palët edhe në datën 30.08.2006 dhe kjo dallohet qartësisht në kokën e shkresës. Në respekt të saj, një ditë më vonë, pra në 31.08.2006, Ministria jonë e Mbrojtjes, me firmën e sekretarit të përgjithshëm, Ardian Mullahi jep licencën e eksportit të armatimit drejt Armenisë. Por me një "pasaktësi" jo dhe aq të vogël në raport me kontratën e nënshkruar. Referuar licencës së sigluar nga Mullahi rezulton se "de jure" nga depot shqiptare do të dilnin vetëm 100 mijë copë predha të kalibrit 60mm dhe 100.000 predha të tjera të kalibrit 120mm për llogari të Armenisë. Ndërkohë që për sasinë tjetër, 340.000 copë predha të kalibrit 82mm, nuk jepet zyrtarisht licencë për eksport ç'ka do të thotë se "de jure" ato figurojnë ende në inventarin e depove të ushtrisë shqiptare. Por skandali thellohet edhe më tej. Nga 200 mijë copë predhat e kalibrit 120mm dhe 60mm të eksportuara të paktën zyrtarisht, në portin e Durrësit u kthyen nga Turqia vetëm 50.280 copët e kalibrit 120mm. E gjithë pjesa tjetër rezulton pra të ketë shkuar në destinacion: Armeni.
No comments:
Post a Comment